E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droga në Itali, avionë specialë për survejimin

TIRANE-Për herë të parë, prokurorët dhe oficerët e Antikrimit të organizuar të Italisë dhe Shqipërisë kanë drejtuar nga një tryezë e vetme një operacion të përbashkët. Plot 51 urdhër-arreste, nga të cilat 37 për shtetas shqiptarë, janë firmosur bashkërisht nga magjistratët italianë të Antimafias dhe prokurorët shqiptarë të Krimeve të Rënda në operacionin e përbashkët antidrogë të koduar “Sunrise”, i zhvilluar njëkohësisht në të gdhirë të ditës së djeshme në 4 vende; Itali, Shqipëri, Greqi dhe Belgjikë. “është një operacion mjaft i rëndësishëm për sasitë e mëdha të drogave që janë kapur, për zbatimin e instruksioneve dhe teknikave që përfshin “Ligji anti-mafia i vitit 2006 dhe veçanërisht aktet kur nënvizohet shtyrja e arresteve për qëllim të zbulimit dhe kapjes së të gjithë të implikuarëve, por mbi të gjitha për bashkëpunimin e ngushtë mes dy shteteve mike, për të cilat fati i përbashkët luhet edhe në angazhimet e luftës kundër krimit të organizuar”, citohet nga agjencia ANSA, të jetë shprehur në një konferencë për shtyp zëvendësministri i Brendshëm i Italisë, Alfredo Mantovano. Në të njëjtën konferencë për shtyp ishin të pranishëm kryeprokurorja e Shqipërisë, Ina Rama si dhe zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë Shqiptare dhe njëkohësisht drejtor i Hetimit të krimit, Agron Kuliçaj. “Për këto fakte, - ka vijuar Mantovano në konferencë, - u shprehim mirënjohjen magjistratëve që koordinuan hetimet nga të dyja anët e Kanalit të Otrantos dhe Gurdia di Finanza-s, e veçanërisht komandës së provincës së Leçes, e cila bëri më të mirën e mundshme.
AVIONET “SPIUNE”
Guardia di Finanza përdori edhe avionë spiunë për të ndjekur dhe zbuluar zbarkimet e skafeve me drogë të trafikantëve shqiptarë në brigjet jug-perëndimore të Apenineve. Ndonëse trafikantët janë mundur të realizojnë zbarkimet në orët e vona të natës, teknologjia e avionëve spiunë ka mundur të fiksojë skafet, si dhe të sinjalizojnë Guardia di Finanza-n për vendin ku lihej droga. Gazeta Shqiptare publikon foto ekskluzive të kryera nga avionët spiunë. Sipas fotove, duket afrimi i skafeve drejt brigjeve të Kanania-s ndërsa fotografimet janë kryer rreth mesnate midis orëve 23:42-23:49 të datës 24 prill të vitit 2007. Trafikantët duket të kenë zbarkuar “mallin” dhe janë larguar për t’u kthyer në Shqipëri, ndërsa fotografimet tregonin se në Itali ngarkesën e priste pjesa tjetër e grupit.
Hetimet, sipas të dhënave të prokurorisë së Leçes, kanë nisur në marsin e vitit 2005 dhe procedimi është regjistruar nga Guardia di Finanza e Leçes. Ndërsa për finalizimin e hetimit është dashur bashkëpunimi me hetuesit e vendeve të tjera të përfshira në operacionin antidrogë të policisë ndërkombëtare. Në fakt, në vitin 2005 hetimi nisi nga gjetja e 274 kilogramëve marijuanë nga zona e Punta Palascia në Otranto, në pikën më lindore të Italisë. Në gusht të po atij viti, karabinierët e “Fiamme gialle” gjejnë në Conca Specchiulla 167 kilogramë marijuanë. Në janar të vitit 2006, në bregdetin e Frigoles mbërrijnë nga deti 351 kilogramë të tjera marijuanë, e paketuar më së miri dhe e vendosur në çanta të mëdha. Pastaj në bregdetin brindizian në Torre San Gennaro, në 12 shtator 2006, edhe 275 kilogramë të tjera marijuanë. Në tetor të po atij viti gjenden 217 kilogramë në San Cataldo. Pastaj, heroina. Katër kilogramë e gjysmë në Villa San Giovanni të Reggio Calabrias dhe të tjera 5 kile e gjysmë në Trani, provincë e Barit. Kështu e kanë “shenjuar” hetuesit hartën e trafikut të lëndëve narkotike që vinin nga organizata kriminale e cila përbëhej kryesisht nga shqiptarë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›