Durrës, masakrohet me thika taksisti 21-vjeçar
Ka masakruar me thika taksistin dhe është larguar duke i marrë automjetin. Për arsye hetimi, policia e ka mbajtur të fshehtë ngjarjen e rëndë, deri pasditen e së enjtes, kur ka mundur të vërë në pranga 20-vjeçarin Andi Dalipaj, i dyshuar si autor i vjedhjes me dhunë. I plagosuri kishte marrë automjetin “Mercedez Benz” të babait të tij dhe e përdorte për të fituar para kundrejt ofrimit të shërbimit taksi. Dalipaj është paraqitur si klient dhe ka kërkuar viktimës së tij ta transportojë deri në Shkozet. çerek ore pas nisjes ai e ka goditur 18 herë me thikë 21-vjeçarin me origjinë nga Puka dhe me banim në plazhin e Durrësit dhe e ka hedhur në mes të rrugës në gjendje të rëndë. Menjëherë më pas është larguar me automjetin. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së martës në unazën e Shkozetit. Shërbimet e Seksionit Kundër Krimeve ndaj Pronës Durrës arritën të identifikojnë personin e dyshuar për kryerjen e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe bënë të mundur kapjen e tij. Të arrestuarit iu gjetën dhe bllokuan edhe arma e krimit, edhe automjeti i vjedhur. Dalipaj ka lindur në Kavajë dhe është banues i lagjes 18 të Durrësit. Ai e kishte marrë taksinë tek Ura e Dajlanit, në hyrje të qytetit bregdetar që të shkonte në drejtim të Shkozetit dhe më pas ka ndërmarrë krimin me qëllim vjedhjen e automjetit.
#