E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi: Jemi në krizë, pasiguri e panik

TIRANE-Përkundër deklaratave kokëfortësisht jorealiste të kryeministrit Berisha dhe ministrit të Financave, Ridvan Bode, që shprehin një eufori për rritjen e ekonomisë shqiptare në kohë krize globale, anëtarët e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë i janë drejtuar dje Ekzekutivit me një letër. Me anë të saj, ata evidentojnë një situatë tejet të rëndë, ku edhe shteti akuzohet për defekte, duke filluar nga mospagesa e privatëve për punën e kryer.
Treguesit
Për të gjithë është i qartë fakti i përkeqësimit të disa treguesve makro dhe mikroekonomikë, të cilët janë shprehësit e drejtpërdrejtë të gjendjes ekonomike, thuhet në letrën e Dhomës. Ndër to, përmendet ulja e ritmit të rritjes ekonomike, me nivele larg objektivave të parashikuara në fillim të vitit, si dhe ulja e dukshme e vëllimit të eksporteve nga Shqipëria, duke sjellë si pasojë uljen e valutës së huaj që hyn në vendin tonë. Në këtë drejtim të fundit biznesi konstaton edhe uljen e ndjeshme të fluksit të parave, që pritej të dërgonin emigrantët pranë familjeve të tyre, që kanë qenë në të gjitha vitet e tranzicionit impuls shumë i fuqishëm i zhvillimit të ekonomisë në Shqipëri. Kjo ka ndikuar në përkeqësimin e pozitës dhe zhvlerësimin e vazhdueshëm, sidomos muajt e fundit, të lekut në raport, si me euron, ashtu edhe me dollarin amerikan.
Qeveria
Si e ka menaxhuar situatën shteti shqiptar në këto kushte? Dhoma konstaton dobësim të aftësisë likuiduese të sistemit publik, d.m.th buxhetit të shtetit, për kompanitë të cilat janë kontraktuar për realizimin e objekteve të investimeve ose për t'u ofruar shërbime institucioneve shtetërore. "Mosfunksionimi i pagesave me fonde buxhetore, kur po mbyllet edhe muaji i dytë i vitit, është një fenomen, i cili paralizon dhe fut në vështirësi të mëdha financiare një numër kompanish, të cilat shpenzojnë miliona euro për ofrimin e këtyre shërbimeve, si dhe për të paguar punonjësit e ndërmarrjeve të tyre", ankohen biznesmenët e rajonit kryesor ekonomik të vendit.
Qeveria ka vendosur rishikimin e buxhetit me synim shkurtimin e shpenzimeve në masën 5%, në një kohë kur ky buxhet s'është bërë ende operacional. "Ky veprim do të thotë më pak aktivitet për biznesin, më pak të ardhura për kompanitë që administrojnë atë, më pak të ardhura për familjet e punonjësve të këtyre ndërmarrjeve dhe përkeqësim të standardit të jetesës në vend".
Subjektet
Dhoma e Tregtisë deklaron se aktualisht biznesi shqiptar po kalon një periudhë të vështirë financiare. Likuiditetet janë të limituara dhe subjektet janë përfshirë nga fenomeni i "rrudhjes" dhe rreziku i falimentimit. Pothuajse në të gjithë sektorët sundon një ndjesi paniku dhe pasigurie. Një pjesë e madhe e kompanive kredimarrëse rrezikohen të përfshihen nga fenomeni i kredive të këqija. Vërehet në masë fenomeni i ngrirjes apo edhe pezullimit të shumë aktiviteteve, shoqëruar me largime të një pjese të punonjësve, për të cilët janë investuar para, kohë dhe energji, me synim ngritjen e tyre profesionale.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›