Vlorë, atentat me bomba artizanale deputetit të PS-së
Atentat deputetit. Policia nuk e ka ende të qartë nëse ka qenë një paralajmërim apo një tentativë e dështuar për të eliminuar deputetin dhe kryetarin e PS-së së Vlorës, Eltar Deda, por konfirmon se në mjetin e tij janë gjetur dy bomba artizanale me benzinë.
Një bidon me benzinë, i lidhur me një fitil zjarrpërcjellës është gjetur dje në mëngjes mbi makinën e deputetit Deda, ndërsa një tjetër bidon i mbushur me benzinë kishte të montuar një detonator granate, si dhe një fitil zjarrpërcjellës të gjatë.
Deputeti socialist e konsideron ngjarjen atentat me motive politike, ndërsa policia ngurron të japë përcaktime, për sa kohë hetimet janë në fazë fillestare.
Bombat me benzinëDeputeti socialist Eltar Deda ka dalë dje nga shtëpia si çdo mëngjes bashkë me djalin 11-vjeçar, të cilin do ta çonte në shkollë. Ai me të birin kanë zbritur në orën 07.45 nga apartamenti në katin e tretë të një pallati të vjetër pranë shkollës “Ali Demi” në lagjen “29 Nëntori” të Vlorës. Makinën, një “Volkswagen Jeta” me targë VL5900C, e kishte në një parking privat poshtë pallatit. Sapo i është afruar makinës, deputeti ka vënë re se mbi kapakun e motorit (kofano) ishte vendosur një bidon. Ai e ka marrë në dorë bidonin, që ishte i mbushur me benzinë dhe kishte një fitil zjarrpërcjellës në grykë. Deputeti nuk e ka marrë shumë seriozisht këtë dhe pasi ka lënë bidonin e benzinës në tokë, ka hipur në makinë bashkë me të birin dhe është nisur për të ikur. Kur ka lëvizur vetëm pak metra, një banor i lagjes që kalonte pranë vendit i ka bërë thirrje i alarmuar të ndalonte. Deputeti ka ndalur mjetin, ndërsa fqinji i tij ka vrapuar drejt makinës dhe ka nxjerrë menjëherë prej andej djali 11-vjeçar të Eltar Dedës. Vetëm pasi ka lënë djalin në një vend të sigurt, fqinji i ka treguar deputetit një tjetër bidon plastik me benzinë që kishte qenë poshtë makinës së tij. Në grykën e këtij bidoni ishte montuar një detonator granate, që ishte gjithashtu i lidhur me një fitil zjarrpërcjellës rreth dy metra i gjatë. Kësaj radhe Deda ka ngjitur të birin në shtëpi dhe ka telefonuar menjëherë policinë.
HetimetPak minuta pas sinjalizimit, në vendin e ngjarjes ka mbërritur vetë Drejtori i Policisë së Qarkut të Vlorës, Ylli Metko. Ai është vënë vetë në krye të grupit hetimor që është ngritur për çështjen dhe ka parë nga afër çdo element të vendit të ngjarjes. Bidonët me benzinë, detonatori dhe fitilat zjarrpërcjellës janë dërguar drejt Tiranës për t’u analizuar në laboratorët e kriminalistikës së Ministrisë së Brendshme. Policia ka tërhequr për disa orë në komisariat edhe makinën e deputetit dhe kryetarit të PS-së së Vlorës, Eltar Deda. Ndërkohë, edhe vetë zyrtari i PS-së ka qëndruar për disa minuta në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Vlorës. Ai ka qëndruar në zyrën e drejtorit të Policisë së Qarkut, Ylli Metko, të cilit i ka dhënë edhe sqarime për detaje të nevojshme për hetimet.
Në një prononcim për mediat, deputeti Eltar Deda tha se ngjarja kishte motive politike. “Ky është një akt i pastër presioni politik. Bëhet për shkak të detyrës sime si deputet dhe kryetar i PS-së së Vlorës. Unë nuk kam konflikt me askënd, nuk kam pasur problem a kërcënim me askënd në Vlorë dhe sipas meje, ky është një presion që më bëhet për shkak të detyrës”, tha deputeti.
Por policia është e rezervuar në përcaktimin e shkaqeve, madje edhe të pistave të hetimit. “Po hetojmë çdo pistë. Jemi ende në fazën fillestare”, tha për gazetën “Shqip” një zyrtar i lartë i Policisë së Vlorës. Ndërkohë, burime jozyrtare nga grupi i hetimit bënë të ditur se është arritur të gjenden gjurmë gishtash në materialet e sekuestruara në vendngjarje, por ende nuk është identifikuar autori i vendosjes së bombave me benzinë.
Ky është rasti i dytë brenda këtij muaji, kur zyrtarë të PS-së së Vlorës bëhen objekt të atentateve. Rreth dy javë më parë, këshilltari socialist i Bashkisë së Vlorës, Morand Hoxha, u plagos rëndë nga shpërthimi i një sasie eksplozivi në makinën e tij.
#