Hetohet gjyshi, mori peng nipin dhe mbesën
Një gjysh është proceduar penalisht pasi i ka marrë ish-nuses së djalit dy fëmijët. Nip e mbesë prej një viti e gjysmë jetojnë në familjen e gjyshërve pas vdekjes aksidentale të babait të tyre. Nëna e dy fëmijëve, duke mos arritur të zgjidhë qetësisht kujdestarinë e tyre me prindërit e burrit të vdekur, i është drejtuar policisë së Krujës, duke kërkuar ndihmë në situatën që i ka mohuar që nga shtatori i vitit 2008 mëmësinë. Burimet zyrtare policore bëjnë të ditur se ndaj shtetasit I.K., 65 vjeç, nga fshati Derven i Krujës, ka nisur procedimi penal për mbajtje të padrejtë të fëmijës, që nisi pas kallëzimit të bërë nga nëna e fëmijëve, 27-vjeçarja L.K, banuese në të njëjtin fshat. Në bazë të denoncimit të bërë nga e veja e djalit të të akuzuarit rezulton se më 1 shtator të vitit 2008, bashkëshorti i saj ka humbur jetën aksidentalisht dhe që nga ai moment e në vazhdim ajo ka pasur probleme me ish-vjehrrin, pasi ai i mban forcërisht dy fëmijët e saj të mitur. Djali 1 vjeç e gjysmë dhe vajza 5 vjeçe jetojnë në shtëpinë e gjyshit, i cili nuk e lejon nënën që t’i takojë fëmijët. Me të marrë kallëzimin, policia kreu veprimet e para hetimore lidhur me pretendimet e nënës 27- vjeçare dhe materialet për këtë vepër penale ia kaloi për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit të Krujës.
#