Droga në Vlorë, dy shoqëruesit kanë ikur në Greqi

Ende asnje i arrestuar per sasine e droges se sekuestruar një ditë më parë nga strukturat e policisë së Vlorës. Policia ka identifikuar autorët, të cilët i ka shpallur në kërkim, ndonëse dyshohet se janë larguar në drejtim të shtetit grek. Policia e Vlorës përmes operacionit të koduar “Karaburuni”, ka sekuestruar një ditë më parë rreth 1 ton kanabis sativa 3 km larg Gjirit të “Shën Vasilit”. Policia në një konferencë për shtyp ka dhënë detaje lidhur këtë ngjarje.
“Nga Strukturat e Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Policisë Qarku Vlorë është marrë informacion në rrugë operative se në një sasi e madhe lëndësh narkotike gjendej në brigjet e gadishullit të Karaburunit dhe se do të trafikohej në drejtim të Greqisë. Menjëherë nga shërbimet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë është koordinuar puna me Repartin e Forcave Speciale Delta Forcë dhe kemi organizuar një operacion të përbashkët antidrogë. Falë një pune intensive me shërbime të alternuara tokësore dhe detare mbas disa orë kërkimesh është bërë e mundur që rreth 3 km larg Gjirit të "Shën Vasilit" në gadishullin e Karaburunit të gjendej një sasi prej rreth 1 ton lënde narkotike "Cannabis sattiva"” thuhet në njoftimin e policisë.
Nga hetimet intensive të deritanishme dyshohet se droga do të trafikohej në Greqi, në ishullin e Korfuzit dhe se transporti do të kryhej me një mjet lundrues turistik.