E Shtunë, 31 Tetor 2026

Droga në shkolla, 20 për qind e gjimnazistëve janë përdorues



Afro 20 për qind e gjimnazistëve në kryeqytet janë përdorues droge. Shifra, aspak pozitive bëhet e ditur nga kryetari i shoqatës “Aksion plus”, Genti Muçollari, sipas të cilit, fenomeni i konsumimit të drogave të lehta ka arritur shifra alarmante. “Konsumimi i drogave të lehta, si hashashi dhe marihuana nga nxënësit e shkollave të mesme shënon një shifër afro 20 për qind”, - deklaron Muçollari. Sipas tij, shumë problematikë, janë edhe nxënësit e shkollave të periferive dhe zonave informale. Këtë gjë Muçollari e theksoi në fushatën sensibilizuese në shkollën e mesme të kryeqytetit “Besnik Sykja”, të organizuar nga drejtuesit e shkollave të mesme, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në bashkëpunim me policinë e Antidrogës. Ndërkohë drejtori i shkollës së mesme “Besnik Sykja”, Ali Taga, është shprehur se kjo shkollë ka organizuar disa herë fushata sensibilizuese kundër drogës dhe se po vazhdon ti kushtojë rëndësi të veçantë këtij fenomeni. Kjo fushatë sensibilizuese do të vazhdojë në të gjitha shkollat e kryeqytetit, për ti bërë të rinjtë të reflektojnë për rrezikshmërinë e drogës.

7 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›