E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-ministri gjerman, Zëpel: “Rama ka përmirësuar imazhin e së majtës në Europë”

Flet Kristof Zëpel, ish-ministri i Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë. Procesi i zgjerimit të BE-së dhe anëtarësimi i Shqipërisë, zhvillimet në politikën shqiptare, zgjedhjet e 28 qershorit dhe bashkëpunimi ekonomik dypalësh. Ish-zyrtari i

Dr. Kristof Zëpel (Cristoph Zöpel) e ka të lehtë të flasë për Shqipërinë, pasi që nga viti 2000 dhe deri tani ai e ka vizituar atë të paktën 15 herë. Në ndalesën e fundit të tij nuk vjen si ministër Shteti pranë Ministrisë së Jashtme të Republikës Federale Gjermane, por si ekspert i çështjeve integruese të vendit tonë në Bashkimin Europian. Zëpel, që i qëndroi pranë Shqipërisë gjatë kohës së luftës në Kosovë, apo edhe trazirave në Maqedoni, është optimist për të ardhmen e afërt të saj. “Deri në vitin 2015 ky vend do të jetë anëtar i Bashkimit Europian”, - thotë ish-ministri, duke përcaktuar 10 sfida që duhet të kapërcejnë shoqëria, politika dhe institucionet shqiptare. Në leksionin e mbajtur dy ditë më parë në Tiranë ai theksoi se Brukseli është më i interesuar sesa Tirana që Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Europian.
Ndërsa kur vjen puna për të diskutuar për çështjet e politikës shqiptare, socialdemokrati gjerman vlerëson hapat që ka ndërmarrë kryesocialisti Rama pas ardhjes në krye të kësaj partie. Sipas Zëpel, ai e ka përmirësuar imazhin dhe sfida e vetme mbetet bashkimi, qoftë edhe pas zgjedhjeve të radhës, me partitë e tjera të majta. Duke u ndaluar te kryeministri dhe njëherësh kryetari i PD-së, Sali Berisha, ai vlerëson karrierën 20-vjeçare gjatë gjithë këtyre viteve të tranzicionit, por thekson se në supet e tij rëndon një “hipotekë”, që lidhet me ngjarjet e vitit 1997.
Por, doktor Zëpel thotë se Shqipëria ka ecur përpara në shumë drejtime; tani sfida mbetet te zgjedhjet e 28 qershorit. Ai u përcjell një mesazh të qartë votuesve: “Shihni nëse kandidatët janë të korruptuar. Nëse janë të tillë, të mos u jepet vota”.

Zoti Zëpel, ju keni qenë disa herë në Tiranë. Si e shikoni Tiranën e herës së parë kur keni ardhur në vendin tonë dhe Tiranën e tanishme?
Vizita ime e parë ka qenë në vitin 2000 dhe po ta krahasojmë atë me 2009-n, do të më lejoni të them se Tirana nuk njihet më. Tirana është bërë një qytet i madh, në qendrën e të cilit mund të udhëtosh lirisht, me makinë dhe në këmbë. Unë kujtoj gjatë vizitës së parë se ka pasur probleme me rrugët, por tani nuk e konstatova një gjë të tillë.

Ky vit përkon me 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit dhe 5-vjetorin e zgjerimit të BE-së me vendet e Europës Lindore. Pra është një moment bilancesh. Cilat do të vlerësonit si suksese dhe dështime të Perëndimit në politikat e ndjekura ndaj vendeve ish-komuniste europiano-lindore?
Këto janë bilance që i bën edhe një qytetar i thjeshtë. Bashkimi Europian ka sjellë për të gjithë europiano-lindorët lirinë; shtetet që hynë 5 vjet më parë, si Sllovenia, Sllovakia etj., kanë euron si monedhë të tyren. Po të më pyesnit 6 muaj më parë, do të thosha se situata ekonomike e këtyre vendeve është shumë herë më mirë se më parë. Natyrisht, tani kriza financiare globale ka shkaktuar disa pasoja. Asnjëri nuk mund ta dijë se situata do të ishte më mirë nëse shtetet nuk do të ishin anëtare të BE-së.

BE-ja ka harxhuar shumë para dhe energji në rajon që nga viti 1990 deri tani. A janë të justifikuara këto energji me zhvillimin e vendeve të Ballkanit?

Nëse do të pyesni për zhvillimet në Europën Juglindore, në krahasim me pjesën tjetër të Europës, do të shihni se ka pasur shpenzime të mëdha. Ato kanë qenë më të kushtueshme sesa pjesa tjetër e kontinentit. Shumë para shkuan për të mbyllur luftën midis Kroacisë, Bosnjës dhe Serbisë. Më vonë, në vitin 1999, në luftën e Kosovës, për të parandaluar atë që bëri Millosheviçi. Dhe së fundi, për shkak të luftës civile në Maqedoni. Të gjitha këto i kanë kushtuar jashtëzakonisht shumë Bashkimit Europian, krahasuar me pjesën tjetër të parave, që janë dhënë për zhvillimin e rajonit. Megjithatë, këto para janë shpenzuar nga BE-ja me synimin për të stabilizuar gjendjen në këtë rajon. Përsa u përket sukseseve ekonomike dhe respektimit të të drejtave të njeriut në këtë zonë, gjykimi mund të jetë i ndryshëm. Zhvillimi ekonomik është më i mirë në Kroaci dhe Shqipëri dhe më i dobët në Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë dhe në Serbi. Por, përsa i përket Serbisë, kjo lidhet me luftërat që ka bërë gjatë viteve të fundit. Ndërsa Shqipëria ka arritur një rezultat shumë të mirë për veten e saj dhe për Europën. Sepse po të kujtojmë situatën e krizës së piramidave, pikërisht që nga ai moment dhe deri sot, Shqipëria ka bërë shumë përparime.

Ka debate për një dështim të mundshëm të instrumentit të integrimit nga BE-ja. Nëse dështon realizimi i këtij instrumenti, a ka Europa një plan B? Çfarë do të bëhet me Ballkanin?
Debati që ekziston aktualisht ka të bëjë me faktin se disa vende të rajonit nuk mund të bëhen tani shpejt anëtare të Bashkimit Europian. Ky lloj debati ndodhi edhe disa vite më parë; përpara hyrjes së Polonisë dhe Çekisë në Bashkimin Europian. Megjithatë, ato kanë hyrë dhe tashmë janë bërë pjesë e BE-së. Unë jam i mendimit se do të ishte krejtësisht normale që Shqipëria të pranohet në Bashkimin Europian rreth vitit 2015. Plani B është zbatuar përgjysmë. Ai është konsumuar në pjesën e parë, në gjashtë muajt e parë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit. Pra, menjëherë pas saj fillon zbatimi i Marrëveshjes, dhe kjo përbën gjysmën tjetër. Brenda dy vitesh do të arrihet zbatimi i plotë i këtij plani pasi lidhet me lirinë dhe me elemente të tjera të zhvillimit në këto vende. Por, plani B mbetet më i keq në qoftë se banorët e vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk do të bashkëveprojnë demokratikisht në kuadër të Bashkimit Europian.

Shqipëria ka aplikuar për statusin e vendit kandidat më 28 prill. Disa vende të BE-së kërkuan që ky hap të hidhej pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Por zoti Berisha e ndërmori këtë veprim pa marrë parasysh sugjerimet dhe momentin. Realisht, a ishte kohë e përshtatshme për të aplikuar, apo jo?
Fakti se Berisha ka aplikuar, kjo do të mbetet çështje e hapur nëse ai ka aplikuar se ndodhet përpara zgjedhjeve. Por zgjedhjet në përgjithësi janë shumë vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë në Europë. Nëse qeveria i organizon zgjedhjet në një mënyrë të tillë që të mos jenë të ndershme dhe jokorrekte, - kjo do ta ngadalësonte rrugën e vendit për në BE. Nëse Ministria e Brendshme nuk e organizon mirë infrastrukturën zgjedhore, atëherë dorëzimi i dokumentit nuk do të vlente; përkundrazi, do të dëmtohej procesi. Pa dyshim, do të ishte në të mirën e Shqipërisë nëse dy partitë e mëdha do të thoshin: “Ne duam zgjedhje korrekte. Ne do të ftojmë OSBE-në që t’i monitorojë zgjedhjet dhe çdo lloj qeverie që do të dilte nga zgjedhjet. Ajo të dorëzonte aplikimin për vendin kandidat”.

A nuk ju duket se deri tani është bërë më shumë demagogji sesa është luftuar korrupsioni në Shqipëri?
Është deri diku e pranueshme që në vendet ish-komuniste, si Shqipëria, ka pasur më pak korrupsion sesa tani. Kjo lidhet me faktin se siguria sociale tani është më e ulët. Por kjo nuk i ndihmon partitë në këto vende që të sulmojnë njëra-tjetrën si të korruptuara. Përcaktuese është që ai që qeveris duhet të jetë i vendosur që të nxisë proceset ligjore për personat që janë të korruptuar; t’i largojë ata nga postet zyrtare që mbajnë.

Zoti Berisha është i vetmi udhëheqës në vendet ish-komuniste të Europës Juglindore që është akoma në politikë, në ndryshim nga liderë të tjerë, të cilët rrëzuan komunizmin dhe më pas u tërhoqën. Sipas pikëpamjes tuaj, si do ta shpjegonit një gjë të tillë, duke e parë në realitetin politik shqiptar dhe atë ballkanik?
Që Berisha ka rreth 20 vjet që është në politikë, në vetvete, kjo nuk përbën një fakt negativ. Ai në fillim fitoi, më pas i humbi zgjedhjet dhe i fitoi sërish për herë të dytë. Unë do të isha kritik nëse ai përgjatë 20 vjetëve ai nuk do të kishte fituar asnjëherë.
Por, mund ta them me siguri se Berisha ka mbi shpatullat e tij një “hipotekë” të madhe: Kjo lidhet në radhë të parë me atë që lidhet me piramidat dhe që e çoi vendin në prag të luftës civile. Po ashtu edhe me sjelljen që tregoi me kundërshtarët e tij politikë. Përmendim faktin se ai sapo erdhi në pushtet futi në burg kryetarin e Partisë Socialiste të asaj kohe, zotin Fatos Nano.

Ndërkaq, e majta ka qenë në lëvizje dhe ndryshim të vazhdueshëm. Aktualisht PS-ja drejtohet nga një ish-intelektual antikonformist si Edi Rama. Si e shikoni ju të majtën shqiptare në modelin politik që ofron, duke e krahasuar gjithashtu edhe me partitë socialiste europiane, të cilat prej disa kohësh ndodhen në krizë?

Së pari, unë do të isha shumë i kujdesshëm në lidhje me krizën. Në Irlandë, sapo i fituan zgjedhjet të majtët. Një vit më parë i fituan të majtët. E njëjta gjë ndodhi edhe në Austri. Kjo do të thotë se deri diku ka ndryshuar situata.
Përshtypja ime është se kryetari aktual Edi Rama e ka përmirësuar imazhin e së majtës shqiptare në Europë. Natyrisht, këtu ka pasur vazhdimisht përçarje. Për shembull, socialdemokratët e Gjinushit, që prej vitit 1991 kanë formuar partinë e tyre; Milo është ndarë para disa vitesh nga Partia Socialdemokrate, duke formuar partitë e tij; Meta u nda nga socialistët dhe krijoi Partitë e tij, dhe tashmë G99-a. Por, më e mira do të ishte që të gjithë të majtët të mbështeteshin pas një partie. Kjo vlen edhe për spektrin e djathtë.
Një gjë është e rëndësishme tani për këto zgjedhje. Partitë e majta nuk duhet të përjashtojnë njëra-tjetrën në rast se fitojnë zgjedhjet; pra që të bashkohen, të krijojnë një qeveri të përbashkët nëse fitojnë. Ato nuk duhet të përjashtojnë njëra-tjetrën.

Më 28 qershor janë zgjedhjet e radhës në Shqipëri. Do të desha një mesazh nga ana juaj, por kësaj radhe një mesazh për zgjedhësit shqiptarë...
Unë dua që të jap dy mesazhe: I pari, si anëtar i familjes së madhe socialdemokrate, natyrisht, do t’ju rekomandoja që votuesit tuaj të votojnë për partinë më të madhe shqiptare të tipit socialdemokrat, Partinë Socialiste. Unë mund të them pa frikë se Partia Socialiste e Shqipërisë është një parti e tipit socialdemokrat.
Dhe mesazhi i dytë, për të gjithë votuesit, sipas preferencave që kanë, për të gjitha partitë, natyrisht, duhet t’i shohin mirë kandidatët, të informohen mirë për ta, nëse ata janë të korruptuar dhe më pas ata të marrin vendimin e duhur se kujt do t’ia japin votën.

Së fundi, Gjermania është donatorja më i madhe në radhën e shteteve të Bashkimit Europian në vendin tonë. Ndërkaq, pjesëmarrja në proceset e privatizimeve dhe koncesione të firmave shqiptare në vendin tonë nuk është në nivel të konsiderueshëm krahasuar me vendet e tjera. Kjo ka ndodhur për faktin se Gjermania nuk ka interes për tregun tonë, apo për ndonjë shkak tjetër?

Në rastet më të shumta, Gjermania është donatorja më e madhe në Europë. Kjo lidhet me faktin se ky vend është me popullsinë më të madhe në Europë dhe ka kontributin më të madh social në Europë. Për shembull, Luksemburgu ka mirëqenie të lartë, por nuk mund të jetë kurrë donator në këto nivele për shkak të peshës së vogël që zë. Dhe tani le të kalojmë te pyetja konkrete. Në cilin vend zhvillohen më tepër investimet e karakterit privat? Ndoshta kjo që thoni ju qëndron midis rastësisë dhe ndarjes së punëve midis shteteve. Ka një lloj marrëveshje, që për shembull, bankat austriake të përqendrohen kryesisht në Europën Juglindore. Në fakt, bankat austriake në shumicën e rasteve marrin pjesë edhe në bankat gjermane, por njihen statistikisht bankat gjermane. Përsa u përket investimeve private, në rastin konkret, Shqipëria ka më afër Italinë, qoftë edhe për shkak të afërsisë së saj; qoftë edhe për faktin e historisë së marrëdhënieve midis dy vendeve. Edhe në kohët tragjike, patjetër që ekzistojnë lidhje të veçanta ndaj një vendi të caktuar. Shumë shqiptarë flasin gjithashtu italisht. Italia është ndër vendet me më shumë emigracion shqiptar, dhe është e kuptueshme se prej kësaj vjen edhe prania e madhe e investimeve italiane. Në anën tjetër, Shqipëria është një treg i vogël dhe mbushet shpejt. Nëse janë të pranishme bankat austriake, atëherë nuk ka vend për bankat gjermane apo franceze.

Rasti konkret është paraqitja e kërkesës nga Gjermania, në kohën e kancelarit Shrëder, për të marrë pjesë në privatizimin e Albtelekomit, disa vite më parë...

Ndoshta fituesi ka dhënë ofertën më të mirë. Kjo është konkurrencë. E njëjta gjë mund të thuhet për projektet energjetike, ato infrastrukturore etj.

Ju faleminderit për intervistën

Faleminderit.

Bisedoi Albert Gjoka

Leksioni i ish-ministrit gjerman: Shqipëria duhet të përballojë 10 sfida

Për integrimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, ish-ministri i Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, dr. Kristof Zëpel (Christoph Zöpel), përcaktoi 10 sfida që duhet të kapërcehen. Në leksionin që mbajti në forumin e organizuar nga fondacioni “Friedrich Ebert”, ai shtroi të gjitha çështjet që duhet të kapërcejnë shoqëria dhe institucionet tona. Pika e parë është siguria njerëzore. Integrimi në NATO dhe BE e bën Shqipërinë më të sigurt, por tashmë ajo ndan me BE-në riskun e rreziqeve që i kanosen asaj nga vendet e tjera të botës. Së dyti, vendet e rajonit duhet të hyjnë në bllok në Bashkimin Europian. Së treti, sigurimi i brendshëm rrezikohet nga krimi i organizuar. Sipas zotit Zëpel, “një Shqipëri në BE e bën më pak të rrezikshëm krimin”. Sfida e katërt për ish-ministrin gjerman është funksionimi i Gjyqësorit. Ai mbështet propozimin e EURALIUS-it për rritjen e pagave të gjyqtarëve, si një mjet për të nxitur pavarësinë dhe fuqinë e sistemit. Ndër sfidat më të rëndësishme mbetet siguria sociale. Ai e ka konsideruar gjendjen alarmante, pasi shkalla e informalitetit është e lartë, mbi 33 për qind. Dhe një sistem i tillë është i destinuar që të prodhojë korrupsion dhe pasiguri. Sfida e gjatë me të cilën përballet Shqipëria është kriza ekonomike, e cila pa dyshim që do të prekë edhe ekonominë tonë. Sigurimi i energjisë është sfida e shtatë. Ai ka konsideruar budallallëk ndërtimin e termocentraleve bërthamore dhe ka kërkuar menaxhimin sa më të mirë të burimeve hidrike dhe formave të tjera të sigurimit të energjisë.
Për ish-ministrin gjerman të Shtetit, sfida e tetë është zhvillimi i turizmit. Shqipëria ka pasuri dhe mundësi të mëdha për të zhvilluar të gjitha llojet e turizmit.
Dy sfidat e tjera mbeten zhvillimi i fushës metropolitane të Tiranës, si ndër të rrallat në Europë dhe zhvillimi i sistemit edukativ dhe shkencor. “Europa është më e interesuar për të pasur brenda saj Shqipërinë, sesa kjo e fundit për të qenë anëtare e BE”, - tha Zëpel. Sipas tij, Europa ka nevojë për integritet territorial dhe siguri brenda saj, pasi ndihet e kërcënuar nga shtete të fuqishme në kontinentet e tjera.

7 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›