E Shtunë, 31 Tetor 2026

Leskaj: “Sfida e parë e PS-së është çrrënjosja e varfërisë”



Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, e shoqëruar edhe nga deputeti socialist Ndriçim Hysa, kanë zhvilluar një takim me banorët e komunës Labinot-Mal në rrethin e Elbasanit. Duke folur për programin qeverisës së Partisë Socialiste, Leskaj tha se sfida e parë dhe kryesore e qeverisjes së ardhshme të PS-së është çrrënjosja e varfërisë në Shqipëri. “Sfida e parë e Partisë Socialiste është çrrënjosja e varfërisë. Ne nuk mund të pranojmë që njerëzit tanë të vuajnë, që Shqipëria të jetë fshati më i varfëri i Europës. Ne nuk mund të pranojmë që fëmijët tanë të mbeten kufijve. Ne kemi ndërtuar një program bashkë me ju dhe për ju. Kemi bërë një program dinjitoz për shqiptarët, një program i cili ka përfillur çdo shqiptar për hallet që ka, një program i cili ka marrë mendimet e shqiptarëve se si mund të zgjidhen problemet”, - tha Leskaj. Ajo deklaroi se për të gjithë ata që janë në skemën e ndihmës ekonomike, PS-ja do të synojë t’i nxjerrë nga skema e lëmoshës duke tentuar përmes trajnimit profesional punësimin e tyre. “Është themelore që punësimi është në qendër të programit tonë dhe jo skema që stimulojnë lëmoshën dhe nuk i nxjerrin kurrë këto familje nga mjerimi dhe lëmosha e shtetit”, - tha Leskaj.

Veliaj: “Qeveria nuk mbajti premtimin për akcizën e naftës”

Kreu i G99-s, Erion Veliaj, vizitoi disa biznese agrare në komunën e Kutallisë dhe vlerësoi punën e atyre që me sakrifica kanë ndërtuar fabrika me kushte moderne brenda standardeve europiane dhe që punësojnë familjarët e zonës duke lehtësuar plagën e papunësisë, një ndër problemet më kryesore në vend.
Veliaj tha se këto biznese kanë nevojë për mbështetje konkrete dhe jo me premtime boshe, siç bëri Berisha në 2005-n për heqjen e akcizës së naftës. Ai tha se G99-a do të angazhohet për krijimin e kësaj lehtësie në qeverisjen e ardhshme. “Qeveria Berisha premtoi se do të hiqte akcizën e naftës, një taksë e cila e rrit çmimin e naftës për këto biznese, por dhe për biznese të tjera të agrikulturës dhe peshkimit, dhe ajo nuk e mbajti këtë premtim. Heqja e akcizës së naftës lehtëson jo vetëm punën e këtyre fabrikave, por dhe të shumë fermerëve të vegjël që e vuajnë këtë kosto. Nuk mund që një fermer të mbushë traktorin me të njëjtin çmim që dikush mbush serbatorin e një mercedez-i. Këto janë gjërat për të cilat vërtet duhet të shqetësohemi gjatë kësaj fushate. G99-a është e angazhuar që në qeverinë e ardhshme të mbështesë ato biznese që punësojnë familjet në fshat dhe inkurajojnë produktet lokale”, - tha Veliaj.

7 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›