Vrasja e deputetit Xhindi, Ina Rama: “Nuk mund t’ju them asnjë pistë, por po hetojmë fort për ta zbardhur”
Kryeprokurorja prononcohet për herë të parë pas ngjarjes. Policia ka ngushtuar ndjeshëm pistat e hetimit për vrasjen
Tiranë - Kryeprokurorja Ina Rama ka siguruar dje një hetim të fuqishëm për zbardhjen e vrasjes së deputetit Xhindi. Mbi 200 veta janë shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së qarkut të Fierit si persona që mund të japin të dhëna të cilat mund të ndihmojnë grupin hetimor për zbardhjen e vrasjes së deputetit socialist, Fatmir Xhindi. Lajmi konfirmohet nga burime në Drejtorinë e Policisë së qarkut të Fierit, e cila shton se vetëm gjatë ditës së martë dhe të mërkurën janë shoqëruar mbi 80 persona. Prokuroria dhe policia janë të rezervuara në dhënien e detajeve mbi ngjarjen e rëndë që ndodhi mbrëmjen e 2 majit në Roskovec të Fierit. Deputeti socialist, Fatmir Xhindi, u vra afër portës së shtëpisë së tij nga një person, i cili ka qëlluar me breshëri automatiku në një distancë të afërt prej 7 metrash larg viktimës. Edhe prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, u tregua e rezervuar në dhënien e informacioneve mbi hetimet. E pyetur nga gazetarët menjëherë pas përfundimit të konferencës së organizuar për 2-vjetorin e krijimit të Task-Forcës, Ina Rama tha: “Nuk mund t’ju them asnjë pistë, mund t’ju them se po punohet fort dhe me një përkushtim maksimal”.
I gjithë qarku i Fierit është blinduar nga forcat e shumta të policisë, të cilat vazhdojnë kontrollet e rrepta në akset kryesore të qarkut. Një grup deputetësh të Partisë Socialiste ka udhëtuar sot nga Tirana drejt Roskovecit për të kujtuar bashkë me familjen kolegun e tyre, deputetin e vrarë Fatmir Xhindi. Grupi i deputetëve socialistë kryesohej nga kryetarja e Grupit të PS-së, Valentina Leskaj. Familjarët i kanë kërkuar ndihmë PS-së për të zbardhur sa më shpejt ngjarjen dhe autorin e kësaj vrasjeje.
Ndihmesa
Policia vendosi të dielën në dispozicion 250 mijë euro për personin që do të japë informacione në lidhje me autorin e vrasjes së deputetit socialist, Fatmir Xhindi. Menjëherë pasi kjo shifër është bërë publike, gjatë një komunikimi me mediat nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, në numrat e vënë në dispozicion për informatorët, ka pasur një fluks telefonatash nga persona të ndryshëm, kryesisht banorë të Fierit, Roskovecit dhe fshatit Kurjan. Sipas burimeve nga policia, shumë shpejt, telefonuesit, të cilët pretendojnë se mund të hedhin dritë rreth ngjarjes, do të merren në pyetje nga oficerët e policisë, duke u ruajtur anonimati i tyre. Por duket se 24 orët e fundit kanë rezervuar më shumë të dhëna “të ditura që në fillim” nga hetuesit dhe pak të dhëna konkrete apo të verifikueshme janë ofruar nga telefonuesit që kërkojnë shpërblimin e majmë. Policia ka publikuar të dhënat e para të grupit hetimor që është ngritur me zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorëve.
Hetimi
Burimet nga organet hetimore kanë artikuluar zyrtarisht dy ditë më parë katër pista të mundshme, megjithatë diskrecioni me të cilën po trajtohet ky hetim lë shteg të mendosh se pistat mund të jenë “çoroditëse”, me qëllim që të parandalohet publikimi i “pistave të vërteta” në media. Por, duket se pista që lidhet me një konflikt të mundshëm pronësie të deputetit socialist është rrëzuar. Organet hetimore kanë pranuar se së paku tre persona nga zona e Roskovecit dhe nga fshati Kurjan janë piketuar tanimë për pretendime pronësie jo vetëm mbi tokën e ullishtave, që deputeti kishte pronë të vetën në këtë zonë, por edhe mbi disa troje të kthyera sipas Ligjit 7501, por pas verifikimeve ka rezultuar se këto kanë qenë mosmarrëveshje që nuk mund të kishin sjellë të tilla pasoja. Gjithashtu, organet hetimore kanë deklaruar se po hetojnë dhe në pistën që lidhet me problemet personale të deputetit, ku përfshihen edhe episode intime, të cilat janë mbajtur të rezervuara nga hetuesit.
Vrasja, zyrtarisht asnjë emër konkret i dyshuar për ngjarjen
Përkundër informacioneve mediatike që flasin për identifikimin e autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë, zyrtarisht, por edhe jozyrtarisht, nuk ka asnjë identitet apo person të dyshuar për ekzekutimin e deputetit socialist. Zyrtarisht hetimet për këtë ngjarje vazhdojnë të konsiderohen si tepër sekrete, pavarësisht se burimet shtojnë se për çdo informacion të raportuar ngrihen pistat e mundshme. Burimet shtojnë se po përpunohet çdo informacion që flet jo vetëm për orët e fundit të jetës së deputetit, por edhe kontaktet e të ndjerit të disa ditëve më parë apo viteve më parë. Për hetuesit kjo konsiderohet si një ngjarje e vështirë për t’u zbardhur, pavarësisht se që prej së shtunës po kalohet në sitë çdo e dhënë, që përcillet nga agjentët në terren, por edhe nga qytetarët e shumtë, të cilët, nëse do ta çojnë policinë në gjurmët e autorit, do të përfitojnë një shpërblim prej 250 mijë eurosh. Policia dhe ekspertët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë kthyer e rikthyer disa herë gjatë 24 orëve të fundit në qytezën e Roskovecit dhe në fshatin Kurjan, ku deputeti i vrarë ka qëndruar orët e fundit të jetës së tij. Mbrëmjen e së dielës, rreth orës 21:00, mësohet se pjesëtarë të grupit hetimor kanë komunikuar me disa nga familjarët: bashkëshorten, vëllezërit dhe nipërit e deputetit të vrarë. Ata janë pyetur jo vetëm për rrethanat e vrasjes së Fatmirit, por edhe për ndonjë pistë të mundshme ku mund të përqendrohej hetimi. Rreth mesnatës të së dielës, duke aguar e hëna, dy automjete policore, ku ndodheshin kreu i Policisë së Shtetit, prokurorët e Krimeve të Rënda dhe drejtues të policisë lokale, kanë dalë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut ku po kryhen të gjitha konsultat e hetimit dhe kanë shkuar në Roskovec.
Konflikti personal, pista më e mundshme sipas hetuesve
Pista e vetme ku është fokusuar grupi hetimor i Krimeve të Rënda ka qenë konflikti personal i deputetit me persona të njohur të tij. Në këtë rast është marrë në konsideratë mënyra e ekzekutimit dhe largimi i autorit. Hetuesit dyshojnë se personat që mund të kenë qëlluar Xhindin kanë qenë të zonës, pasi i njihnin mjaft mirë lëvizjet e tij, orën kur kthehej në shtëpi dhe rrugët për t‘i shpëtuar policisë. Kjo, sipas hetuesve, mund të realizohej vetëm nga një person i zonës, pasi njerëz që nuk banojnë në atë zonë e kanë të vështirë të orientohen. Në periferi të qytezës së Roskovecit, në jug të tij, janë disa moçale, ndërsa në pjesën veriore janë disa kodra, që e bëjnë terrenin pak të thyer dhe pa rrugëdalje. E vetmja mundësi shpëtimi për autorët ka qenë rruga nacionale Fier-Berat. Por autorët mund të kenë shfrytëzuar edhe rrugën për në qytezën e Patosit, që të çon në Ballsh, dhe më pas në Gjirokastër e Kakavijë. Përpos itinerarit të mundshëm të autorit, hetuesit janë munduar të fokusojnë elemente të vlefshme për hetimin në vendngjarje. Është arritur të evidentohet se 49-vjeçari është qëlluar fillimisht nga një largësi dhe më pas autorët, për t‘u bindur se kanë përmbushur misionin, janë afruar dhe kanë qëlluar përsëri. Kjo për disa sekonda dhe më pas janë larguar.
7 Maj 2009