E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uidhers: “Prokuroria, e pavarur dhe jashtë çdo ndikimi politik”

Ambasadori amerikan jep mesazhin në mbrojtje të pavarësisë së organit të akuzës. Tani Task-Forcë investiguese edhe në rrethet më të mëdha të vendit

Habjon Hasani

Tiranë – Ambasadori amerikan, Xhon Uidhers, ka bërë apel për pavarësi të Prokurorisë dhe jashtë çdo ndikimi politik. Në ceremoninë e hapjes së gjashtë zyrave të tjera të njësisë Task-Forcë në rrethe, Uidhers është shprehur se çfarëdo kanosje ndaj kësaj pavarësie është një hap i qartë prapa. “Mbi prokurorët nuk duhet të ketë kurrfarë trysnie politike”, - tha Uidhers. Sipas tij, pavarësisht nga situata, prokurorët duhet të mbeten të pavarur dhe të lirë nga shtrëngimi apo ndikimi politik. “Duhet të jenë të lirë të gjurmojnë faktet kudo që çojnë, si dhe duhet të kenë guximin për ta bërë këtë. Shqipëria duhet të përkushtohet ndaj mbrojtjes së pavarësisë së prokurorëve për të siguruar përparimin e saj demokratik”, - u shpreh Uidhers.
Më pas ambasadori amerikan ka cituar një ish-president të Shteteve të Bashkuara për të dhënë në një batutë, ndoshta tharmin e gjithë fjalimit të tij të djeshëm para prokurorëve shqiptarë. “Mbi 230 vjet më parë, një burrë shumë i mençur tha: ‘Dinjiteti dhe qëndrueshmëria e qeverisjes në të gjitha degët e saj, morali i njerëzve, si dhe çdo bekim i shoqërisë varet aq shumë nga një administrim i denjë dhe i aftë i drejtësisë’. Këto janë fjalët e Xhon Adamsit, Presidenti i dytë i Shteteve të Bashkuara, dhe i përkasin vitit 1776, pikërisht themelimit të Shteteve të Bashkuara. Këto fjalë kanë po aq rëndësi sot dhe duhet t’i kujtojnë kujtdo që administrimi i drejtësisë, në mënyrë të drejtë dhe të barabartë, është thelbësor për një shoqëri të drejtë”, - ka deklaruar dje ambasadori. Këtë mesazh ambasadori Uidhers e dha gjatë publikimit të nismës për të filluar krijimin e njësive të përbashkëta të hetimit rajonal, ndërtuar sipas modelit të Task-Forcës në Tiranë, Vlorë, Fier, Korçë, Gjirokastër, Durrës dhe Shkodër. “Ky projekt ambicioz është vetëm një përbërës i Programit të Pragut, Faza II, e Korporatës Sfida e Mijëvjeçarit, në Shqipëri. Program ynë “OPDAT” do të punojë me të gjitha agjencitë e përfaqësuara këtu për të ndihmuar ngritjen dhe trajnimin e këtyre njësive dhe për të ofruar pajisjet që nevojiten që ata të kryejnë punën. Njerëzit në këtë dhomë, prokurorët, oficerët e policisë dhe të tjerët që po punojnë për të luftuar krimin ekonomik dhe korrupsionin, janë në vijën e parë për të siguruar administrimin profesional të drejtësisë”, - tha Uidhers.
Task-Forca
Ambasadori Xhon Uidhers e ka cilësuar ekipin dhe modelin e Task-Forcës në Prokurorinë e Tiranës si një model suksesi që vlen për t’u aplikuar në prokuroritë e tjera si një grupim që ka treguar eficencë dhe që ka bërë diferencën. “Anëtarët e Task-Forcës së Tiranës, si dhe të gjithë ata që punojnë me ta, duhen përgëzuar që kanë ‘bërë drejtësi’ duke luftuar korrupsionin. Task-Forca e Tiranës është modeli për bashkëpunimin midis prokurorëve dhe policisë. Të gjithë duheni përgëzuar për punën e fortë, bashkëpunimin, kurajën tuaj përballë shumë kundërshtive si dhe që keni refuzuar që trysnitë nga jashtë të ndikojnë punën e rëndësishme që bëni. Task-Forca e Tiranës është një model jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për të tjerë. Në Veri, Mali i Zi ka organizuar një Task-Forcë të re prokurorësh dhe oficerësh policie, duke përdorur Task-Forcën e Tiranës si model. Prokurorë deri edhe nga Kirgistani duan të vizitojnë Task-Forcën e Tiranës për të mësuar se si dhe pse është kaq e suksesshme”, - tha Uidhers.
Raporti
“Pavarësisht nga shumë suksese, mbetet shumë punë për të bërë. Javën e kaluar, USAID-i nxori sondazhin e vitit 2009 mbi korrupsionin në Shqipëri, perceptimet dhe përvojat. Jo të gjitha lajmet e sondazhit ishin të mira. Në përgjithësi, sondazhi tregoi që publiku shqiptar ende ka një vështrim negativ për institucionet e veta publike në përgjithësi, por sidomos në aftësinë e atyre institucioneve për të luftuar korrupsionin. Megjithatë, lajmi i mirë është që perceptimi i publikut për Prokurorinë në luftën kundër korrupsionit tregoi përmirësimin më të madh të të gjitha institucioneve publike (një rritje prej 6.1% nga viti 2005 në 2009-n)”, ka deklaruar ambasadori. Sipas tij, për të njëjtën periudhë pati një rritje prej 10 pikësh në besimin e publikut te Prokuroria, përsëri një rritje më e madhe sesa ndonjë institucion tjetër publik. “Me gjithë këtë përmirësim të theksuar, Prokurorisë ende i mungon besimi dhe mbështetja e shumicës së publikut shqiptar. Me qëllim që të vazhdojë kjo tendencë ngritjeje dhe për të ndërtuar edhe më shumë besim në integritetin e proceseve penale, prokurorët, oficerët e Policisë Gjyqësore dhe personat pranë tyre, që janë zgjedhur për të qenë pjesë e Task-Forcës rajonale, duhet të qëndrojnë përtej çdo qortimi. Veçanërisht prokurorët kanë fuqi shumë të mëdha për të kryer hetime dhe për të përdorur të gjitha mjetet që kanë në dispozicion për ta bërë këtë”, - ka theksuar Uidhers.

7 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›