E Diel, 1 Nëntor 2026

Droga nga Maqedonia, ishte fshehur brenda ne televizor

ELBASAN- Zbardhen detaje të operacionit të koduar “Dhurata” i cili coi në sekuestrimin e mbi 5 kg heroinë si dhe arrestimin e dy korrierëve të saj të shtunën në mbrëmje në unazën e qytetit të Elbasanit. Të arrestuarit Klevis Baxho, 31 vjeç dhe Arjan Petova, 42 vjeç janë transferuar për në ambientet e izolimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ndërsa kanë nisur hetimet për zbulimin e rrjetit ndërkombëtar që e sjell lëndën narkotike nëpërmjet Maqedonisë me destinacion Italinë dhe Greqinë.Skuadra e Antidrogës kreu sekuestrimin në dy pjesë të lëndës narkotike. Sasia prej 2.78 kile u gjet e maskuar brenda një televizori 21-polësh që ndodhej brenda në makinën me targa të huaja të autorëve. Pjesa tjetër prej 2.27 kilogramësh është gjetur gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Baxhos. Janë dashur dy muaj hetime për të zbuluar dy korrierët e heroinës. Sipas burimeve pranë grupit hetimor, droga e cila nga karakteristikat rezulton të jetë prodhuar në Afganistan, ka hyrë në Shqipëri nëpërmjet kufirit tokësor me Maqedoninë. Hetuesit dyshojnë se lënda narkotike kishte për destinacion vendet e BE-së, ndërsa nuk kanë përjashtuar mundësinë se ajo mund të dërgohej për tregun e brendshëm të konsumit të heroinës.(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›