E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, ekzekutimi i emigrantit, pasi i moren 3 mijë lekë

FIER- 32 vjecari i cili u gjet i ekzekutuar me pese plumba në kokë të shtunën e kaluar është vrarë për 3 mijë lekë të reja.Skuadra e hetimit të krimeve në policinë e Fierit ka arrestuar një prej tre autorëve të grabitjes dhe vrasjes së emigrantit Leonard Hazizaj, si dhe ka shpallur në kërkim 2 të tjerët. Miço Osmani, 18 vjeç është arrestuar mbrëmjen e së shtunës, ndërsa janë shpallur në kërkim 17-vjeçarët Sotir Hajdini dhe Romeo Osmani. Sipas policisë, Hazizaj me automjetin e tij kishte kaluar në fshatin Levan të Fierit ndërsa ikte për në Frakull. Tre adoleshentët akuzohen se e kanë ndaluar dhe i kanë hipur të armatosur në automjet, duke e drejtuar për në tunelin e ish-repartit të tankeve të ushtrisë. Aty i kanë marrë 3 mijë lekët që kishte me vete, celularin dhe sende të tjera personale dhe më pas e kanë ekzekutuar me armë automatike. Autorët kishin përdorur sërish mjetin e viktimës për t’u larguar nga vendi i ngjarjes. Automjeti është gjetur nga banorët rreth 2 kilometra larg vendit ku u ekzekutua Hazizaj. Po sipas burimeve policore, mjeti ishte lënë pranë lagjes së tre romëve të dyshuar si autorë. Të sinjalizuar nga banorët për mjetin e braktisur, oficerët e shërbimet e Drejtorisë së Policisë së Fierit kanë kryer krehjen e zonës duke gjetur më pas brenda në tunel, trupin e pajetë të Hazizajt. Policia ka vijuar me grumbullimin e informacioneve në rrugë operative për personat që ishin parë të lëviznin me mjetin e braktisur. Ishin këto informacione që zbuluan se në makinën e viktimës kishin qenë tre të dyshuarit, dhe kaq ka mjaftuar që shërbime të shumta të policisë të nisnin kontrollet në banesat e tyre. Policia ka gjetur vetëm Miço Osmanin në banesë, ndërsa dy të tjerët rezulton të ishin larguar fill pas ngjarjes. Sipas burimeve, policia kishte negociuar me familjarët për të mundësuar vetëdorëzimin e tyre.(s.g, GSH/balkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›