Droga, pesë të arrestuar në 24 orë, bllokohen 26 kg Cannabis
TIRANË-DURRËS – Tri operacione policore në Tiranë dhe Durrës kanë çuar në arrestimin e 5 personave dhe në sekuestrimin e rreth 26 kg Cannabis sativa.
Operacioni i parë i policisë, i koduar me emrin “Emigranti”, nisi rreth orës 04:30 minuta të mëngjesit, fill pas një telefonate në sallën operative të Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit në Durrës, që ka sinjalizuar për lëndë narkotike në automjetin tip “Fiat” me targa të huaja. Antidroga, në kontrollin e ushtruar në automjetin tip “Fiat Punto”, me targë G 820 XV, që do të nisej në Itali me tragetin e linjës Durrës-Bari, të ankoruar në Portin e Durrësit, gjeti sasinë prej 14 kg lëndë narkotike të dyshuar për Cannabis sativa të fshehur në hapësirën e dyerve të makinës. Droga ishte mbështjellë me letër natriban dhe e ndarë në pako. Policia dyshon se droga kishte për destinacion Italinë dhe do të çohej në shtetin fqinj nga 2 kushërinjtë, Flamur Xeka 32 vjeç, drejtues i automjetit, Shkëlqim Xeka 27 vjeç, si dhe shtetasin pasagjer, Ernes Alia, 38 vjeç. Dy të arrestuarit Xeka janë nga Mamurrasi dhe prej vitesh mësohet se janë rezidentë në Itali. Pak minuta pas arrestimit të personave, në kontrollin e ushtruar në banesën e Ernest Alias u gjet dhe sekuestrua 9.35 kg Cannabis, 2 automatikë dhe 1605 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm. Ndërkohë që në kuadër të operacionit “Shpërndarësi”, po policia e qytetit bregdetar ka vënë në pranga Besnik Domin, 43 vjeç. Arrestimi i tij u bë pasi më datë 22.10.2010, rreth orës 10:30, gjatë një kontrolli të ushtruar në banesën e tij në Durrës, u gjetën dhe u sekuestruan rreth 693 gramë Cannabis sativa, e cila ishte e ndarë në qese të vogla farmacie, të përgatitura për shitje.
Ndërsa Policia e Tiranës bëri të ditur se ka vënë në pranga 54-vjeçarin Hysni Klaiqi. Arrestimi i tij u bë pasi dy ditë më parë, në rrugën “Haxhi Hysen Dalliu” është kapur në flagrancë me një sasi lënde të dyshuar si Cannabis sativa. Uniformat blu të kryeqytetit bëjnë të ditur se pas një kontrolli të ushtruar në banesën e tij u gjet një sasi prej 636 gramësh Cannabis sativa, ku nga kjo sasi 368 gramë ishin në një qese të madhe dhe 268 gramë të paketuara në 80 porcione të vendosura në qese farmacie.
Të arrestuarit
DURRËS
Flamur Xeka 32 vjeç,
Shkëlqim Xeka 27 vjeç
Ernes Alia 38 vjeç
Besnik Domi 43 vjeç
TIRANË
Hysni Klaiqi, 54 vjeç
Vidhin pasqyra dhe kasetofonë, ndalohen dy të rinjtë
TIRANË – Rishfaqen vjedhësit e pasqyrave dhe kasetofonëve. Policia e Tiranë ka kapur “mat” duke vjedhur kasetofonin e një makine, Klodian Shezo Bebën, një 25-vjeçar dhe Fabian Medi Batën, 23 vjeç. Policia u shpreh se operacioni u krye mesditën e së premtes në rrugën “Petro Nini Luarasi”, kur autorët janë kapur në tentativë duke vjedhur kasetofonin në mjetin e markës “Benz”, me targa TR 9623 E. Gjithashtu u vërtetua se Beba, në bashkëpunim me Batën, janë autorë të disa vjedhjeve. Ata, më datë 07.11.2009, në rrugën “Ali Demi” në Tiranë dyshohet se kanë vjedhur kasetofonin në mjetin tip “Ford Fiesta”; më 06.09.2009, në rrugën “Mihal Grameno”, kanë vjedhur kasetofonin në një mjet tip “Opel Corsa”; më 18.01.2010, në rrugën “Ali Visha” dyshohet se kanë vjedhur pasqyrat në mjetet me targa TR 2915 S dhe VL 8019 C, në pronësi të dy shtetasve. Policia tha se materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për veprat penale të “vjedhjes së mbetur në tentativë” dhe “vjedhjes” në bashkëpunim më shumë se një herë, në ngarkim të Klodian Bebës, ndërsa Fatjon Bata do të ndiqet në gjendje të lirë.
25 Janar 2010