E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni në doganë, arrestohet doganieri, në kërkim një tjetër

Policia prangos Syrja Misirajn. Gjykata dha vendimin “arrest në burg”
GJIROKASTËR – Një doganier është arrestuar teksa ndodhej në krye të detyrës, pasi ishte në proces gjykimi për korrupsion, dhe menjëherë pasi gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”, i janë vënë prangat. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se është prangosur shtetasi Syrja Misiraj, 35 vjeç, lindur dhe banues në Fier, pasi ndaj tij kishin nisur hetimet për shpërdorim detyre. Ai bashkë me kolegun e tij, punonjës në doganën e Kakavijës, janë shpallur persona në kërkim që prej ditës së premte, pasi akuzoheshin për korrupsion gjatë ushtrimit të detyrës. Në dhjetor të vitit të kaluar dy doganierët kishin lejuar që të kalonte një maune me mallra ushqimore pa bërë procedurat e zhdoganimit, por një kontroll i befasishëm i policisë, në Tepelenë, nxori në pah shkeljen e bërë nga autoritetet në Kakavijë, gjë që solli nisjen e hetimeve ndaj tre zyrtarëve. Policia nisi ekzekutimin e urdhër-arresteve dy ditë pasi gjykata kishte dhënë masën e sigurisë “burg pa afat” për dy doganierët.

Arrestimi
Ditën e djeshme Syrja Misiraj është nisur në punë në doganën e Kakavijës, por, nuk e ka pritur se pikërisht në momentin që ndodhej në krye të detyrës do ti viheshin prangat. Ditën e shtunë, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër dha vendimin për të dhe kolegun e tij, (emri i të cilit nuk bëhet i ditur për çështje hetimore) pasi kishte nisur procesi gjyqësor për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”. Vetëm 24 orë pas dhënies së masës së sigurisë “burg pa afat” nga trupi gjykues, agjentët e polcisë i kanë paraqitur 35-vjeçarit Misiraj urdhrin e arrestit. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se dje, rreth orës 14.50, specialistët e Sektorit kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim, Syrja Misiraj, lindur dhe banues në Fier, me detyrë doganier i Kontrollit Fizik në degën e Doganës Kakavijë. Zëdhënësi i policisë shton se është shpallur në kërkim edhe një doganier tjetër.

Korrupsioni
Më datën 11 dhjetor 2009, rreth orës 17.00, doganieri Syrja Misiraj, bashkë me kolegun e tij, kanë qenë në detyrë, në doganën e Kakavijës, ku kanë kryer procedurat e zhdoganimit të mjetit tip kamion, me traga TR 1880 R/TR 1882R, i cili vinte nga Athina, me destinacion Tiranën. Pak orë pasi ka kaluar traun e doganës, kamioni i është nënshtruar edhe një kontrolli tjetër nga specialistët e Sektorit kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, teksa ai ndodhej në hyrje të qytetit të Tepelenës. Burime policore pohojnë se kishte informacione të siguruara në rrugë operative se në këtë mjet transportoheshin mallra ushqimore kontrabandë (oriz, rio-mare, vaj, birra, pije freskuese, kartopeceta). “Nga kontrolli i ushtruar në këtë automjet, rezultoi se malli ishte i pa shoqëruar me deklaratë zhdoganimi nga Dogana e Kakavijës”, - thuhet në njoftimin zyrtar. Pikërisht në lidhje me këtë rast, forcat e policore arrestuan në flagrancë drejtuesin e automjetit. Zëdhënësi i Policisë së Qarkut Gjirokastër, Gentian Mullai thotë se “nga veprimet e mëtejshme hetimore dhe procedurale rezultoi se në këtë ngjarje ishte i përfshirë edhe një doganier tjetër, i cili është shpallën në kërkim që prej ditës së djeshme. Njëri prej tyre, Syrja Misiraj, është mbajtur nën hetim, pasi prokuroria nisi procedurat, dhe dosja kaloi në gjykatë rreth një muaj më parë. Më 21 janar, trupi gjykues dha masën e sigurisë “arrest në burg” për doganierët, dhe fill pas tij, u ekzekutua njëri prej vendimeve, duke arrestuar 35-vjeçarin Misiraj.

Ndiqen penalisht dy të moshuar, falsifikuan dokumente për të përfituar pension

DURRËS – Prej 11 vitesh përfitonte pension të paligjshëm pas falsifikimit të certifikatës së lindjes. Bëhet fjalë për Sh.B., datëlindja 1943, lindur në fshatin Bele Kukës e banues në fshatin Kucok Durrës. Sipas Policisë së Durrësit, procedimi penal ndaj tij filloi për arsye se dyshohet se ky shtetas, nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara e konkretisht certifikatës së lindjes, ka ndryshuar datën e lindjes (nga data 05.01.1943 në 13.01.1939), dhe ka arritur të përfitojë pension të paligjshëm që nga viti 1999. Po ditën e djeshme në Durrës, ka nisur një tjetër procedim penal për një tjetër të moshuar. Këtë herë, procedimi ka nisur për T.S, datëlindja 1949, lindur në fshatin Burim Dibër e banuese në lagjen Nr 17 në qytetin bregdetar. Procedimi penal ndaj saj filloi për arsye se nëpërmjet përdorimit të dokumenteve të falsifikuara e konkretisht librezës për vjetërsinë në punë, ka arritur të përfitojë pension të paligjshëm. Materialet në ngarkim të tyre për veprën penale të “mashtrimit në sigurime e falsifikimit të dokumenteve iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

Pranga dy të kërkuarve për tentativë vrasje dhe falsifikim

GJIROKASTËR - Forcat e policisë që qarkut të Gjirokastrës kanë mundësuar kapjen e dy personave të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Policia sqaron se i ndaluari i parë është 21-vjeçari Arlind Meço, lindur dhe banues në Memaliaj, për veprën penale të “Vrasjes me dashje, kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë”. Mësohet se gjatë momentit të kapjes së këtij personi, ai po lëvizte në një rrugicë të Tepelenës. Ai është ndaluar pasi më datën 29.09.2009, së bashku me djalin e xhaxhait të tij shtetasin Mandi Meço , kanë debatuar me S.P, rreth 30 vjeç, po nga Memaliaji , për motive të dobëta . Më pas, ai ka shkuar në shtëpi ku ka marrë një kallashnikov, të cilin e mbante pa leje dhe ka qëlluar në drejtim të S.P, rreth 20 plumba duke e plagosur në këmbë por pa rrezik për jetën dhe kjo pasi S.P, i kishte ngacmuar motrën Arlind Meços. Ndërsa personi i dytë i ndaluar mësohet të jetë 64-vjeçari Spiro Sinani, lindur dhe banues në Tiranë, i cili është kapur në pikën kufitare të Kakavijës. Ai ishte person i shpallur në kërkim nga policia pasi është dënuar nga gjykata me 6 muaj burg për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal. Ky person ka falsifikuar një certifikatë për një të afërmin e vet duke vendosur vulë false të ambasadës sonë në Athinë.

25 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›