PS, Kadeli: “Shembet sërish Rruga e Kombit, qeveria fsheh të vërtetën”
Partia Socialiste deklaroi dje se një tjetër dëmtim i radhës ka ndodhur në rrugën Durrës-Kukës, ndërkohë që qeveria po mban të fshehur të vërtetën. Deklarata vjen nga deputeti socialist i qarkut të Lezhës, Gjovalin Kadeli, i cili ka shprehur shqetësimin se dëmet e shembjes së rrugës Durrës-Kukës janë kosto që dalin nga xhepat e taksapaguesve shqiptarë. Ndërtimi i kësaj rruge është konsideruar një projekt i jashtëzakonshëm dhe një investim i madh jo vetëm për Shqipërinë, Kosovën, por për gjithë rajonin. Në kohën kur nisën punimet për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, sipas mediave maqedonase, qarqet shtetërore dhe të biznesit në Maqedoni u frikësuan se do të shmangeshin udhëtimet nëpër Maqedoni, që për destinacion kanë Portin e Selanikut, por edhe ato drejt shteteve tjera.
Reagimi
Deputeti i socialist ka konstatuar se shembja e rrugës Durrës-Kukës ka ndodhur prej katër ditësh, ndërsa qeveria nuk ka marrë asnjë masë për ta bërë atë të kalueshme për qytetarët shqiptarë dhe kosovarë. “Prej 4 ditësh, një tjetër dëmtim ka ndodhur në rrugën Durrës Kukës. Prej 4 ditësh Ministria e Transportit hesht, duke u përpjekur të mbajë të fshehur të vërtetën e asaj që po ndodh me Rrugën e Kombit”, - u shpreh deputeti Kadeli. Sipas tij, katastrofat e krijuara njëra pas tjetrës kanë ardhur nga papërgjegjshmëria e kryeministrit Sali Berisha. Në këtë kuadër, Kadeli u shpreh se qeveria e votave të vjedhura është kthyer në një skuadër zjarrfikësish, që ka gjithmonë një zjarr për të shuar. “Në fillim shpërthimi i korrupsionit në Gërdec, që mori 26 jetë të pafajshme, më pas shembja e Tunelit të Kalimashit, që groposi miliona euro të taksapaguesve shqiptarë. Përmbytjet në Shkodër dhe Lezhë, që lanë qindra familje pa banesa, pa gjë të gjallë e pa prodhime bujqësore. Sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, u shfaq dhe miu që sabotoi ndeshjen ku luanin yjet e Realit të Madridit, duke e turpëruar Shqipërinë në faqet e gazetave prestigjioze ndërkombëtare”, - u shpreh deputeti Kadeli. Në kuadrin e gjithë fatkeqësive të njëpasnjëshme që kanë ndodhur në vendin tonë, deputeti socialist shprehet se të gjitha këto kanë fajtorët e tyre kryesorë. “Por, pavarësisht të gjithave, shqiptarët kërkojnë të dinë se çfarë po ndodh në këtë vend. Çfarë po ndodh me paratë e tyre? A kanë fajtorë këto katastrofave që po ndodhin gjithmonë e më shpesh? Dhe për të qenë akoma më specifikë: Çfarë po ndodh me Rrugën e Kombit? Përse po shembet dita-ditës, pjesë-pjesë? ǒpo ndodh në tunel? Kur do të hapet ai? Sa do të kushtojë? Po shembjet e pjesëve të tjera të rrugës, faji i kujt është? Përse po ndodhin? Kur do të riparohen? Sa do të kushtojnë riparimet dhe kush do t’i paguajë këto para? Akoma po vazhdoni të merrni borxh për të larë borxhet ku një pjesë do ta përdorni për investime? Mos vallë do të ketë fatin e shpërdorimit të madh si më parë?” - u shpreh Kadeli.
Tuneli i Kalimashit
Shqetësimi tjetër që vjen nga deputeti socialist është dhe fakti se tuneli i Kalimashit vazhdon të jetë i mbyllur pas shembjes që ndodhi vitin e kaluar dhe, sipas tij, askush nuk jep asnjë shpjegim se çfarë është duke ndodhur aktualisht. Por, një zyrtar i kompanisë “Bechtel & Enka” është shprehur ditë më parë se tuneli i Kalimashit mendohet të hapet në pranverë. Burime të kompanisë ndërtuese kanë bërë të ditur se po punohet me intensitet të shtuar në tubin jugor të tunelit të Kalimashit, i cili ka pësuar një shembje në mbrëmjen e 5 nëntorit të vitit kaluar, prej kur edhe mbahet i mbyllur për qarkullim. Siç është bërë e ditur nga burime të kompanisë, punimet po vazhdojnë me intensitet përgjatë 24 orëve. Ndërkohë, sipas kompanisë, punëtoret dhe specialistët janë ndarë në 10 grupe dhe po kryejnë të gjitha llojet e punimeve në tubin jugor të tunelit të Kalimashit. Kompania pohon se më me intensitet është duke punuar në këtë tub, për shkak se sipas kontratës, ky është tubi që duhet lëshuar i pari në qarkullim. Burime të kompanisë “Bechtel & Enka” kanë bërë të ditur gjithashtu se proceset e punës në tunel po vazhdojnë edhe në pjesën e shembur. Pas shembjes në tubin jugor të tunelit të Kalimashit, qeveria shqiptare kontraktoi specialistë nga Austria e Gjermania, të cilësuar nga më të mirët në botë, për t’i dhënë zgjidhje teknike pjesës së shembur.
Imeraj: “E vërteta e hapjes së kutive tremb Ilir Metën për mandatin e tij”
Partia Socialiste deklaron se hapja e kutive të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit do të nxjerrë në pah pazarin e ulët të votave të vjedhura të kryeministrit Sali Berisha dhe zv.kryeministrit, njëkohësisht edhe ministër i Jashtëm, Ilir Meta. Zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj, dje, në një komunikim me mediat, deklaroi se Ilir Meta është i frikësuar për mandatin e tij nga e vërteta që do të zbardhë hapja e kutive. “Së vërtetës as mund t’i fshihesh dhe as mund t’i shpëtosh me kërcënime apo diversion. E vërteta ka dalë në shesh; Ilir Meta i trembet hapjes së kutive pasi ai ka frikë se zbardhja e të vërtetës së 28 qershorit do të nxjerrë në pah faktin se mandati i Ilir Metës në Tiranë është mandat i vjedhur nga Partia Socialiste. Kjo është e vërteta, ky është pazari i ulët i Ilir Metës dhe Sali Berishës”, - u shpreh Imeraj.
Kodheli: “Përmbytjet, qeveria mori masa të vonuara, situata ishte e menaxhueshme”
Partia Socialiste deklaroi dje se qeveria ndërhyri me vonesë për masat që duhet të merrte rreth përmbytjeve që po i shkaktoheshin Shkodrës. Deputetja socialiste, Mimi Kodheli, nga selia e PS-së bëri të ditur se mjaftoi një shkresë e zbuluar nga mediat që zbardhi të vërtetën për përmbytjet në Shkodër. Sipas shkresës së publikuar nga një media, Kodheli u shpreh se kjo shkresë dëshmoi se drejtori i KESH-it, Muharrem Stojku, merrte urdhra me SMS nga ministri i Energjetikës, Dritan Prifti. “Kjo shkresë tregoi se ajo çfarë ndodhi nuk ishte një katastrofë natyrore, por një përmbytje e shkaktuar nga papërgjegjshmëria, paaftësia e korrupsioni i qeverisë ‘Berisha’. Sipas kësaj shkrese, drejtori i KESH-it, më 7 janar i kërkoi Priftit që urdhrat dhe masat të mos jepeshin më me SMS, por në rrugë zyrtare”, - tha Kodheli. Sipas deputetes socialiste, kjo situatë u krijua sepse në kulmin e emergjencës, ministri Prifti nuk ndodhej në Shqipëri. Ajo nënvizoi se në kulmin e emergjencës, qeveria jo vetëm që ishte e vonuar në masat e saj, por dhe në kundërshtim me ligjin, duke mos zbatuar rregulloren, ndërkohë që situata ishte plotësisht e shmangshme.
25 Janar 2010