“Mesnata”, vihen në pranga 5 persona të akuzuar për 11 vjedhje
TIRANË – Vihen në pranga pesë persona të akuzuar për së paku 11 raste vjedhjesh në lokale dhe dyqane të ndryshme në kryeqytet. Operacioni policor i koduar “Mesnata” çoi në arrestimin e Arjan Fejzullarit, Valter Vladit, Simon Thanasit, Ilir Shehit, Ilir Zenkos dhe në shpalljen në kërkim të një bashkëpunëtori tjetër.
Arrestimi
Burime zyrtare të Policisë së kryeqytetit thanë se shërbimet e hetimit të krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Mesnata”, bënë të mundur goditjen e një grupi kriminal me tendencë vjedhjet e pasurisë. Policia tha se pas një hetimi 40-ditor ka arritur të vërë në pranga pesë persona dhe të shpallë në kërkim një tjetër. “Ndalimi i tyre u bë pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin janë autorë të një sërë vjedhjeve lokalesh e banesash të ndodhura në këtë fillim viti në Tiranë”, - bëjnë të ditur burimet policore. Sipas tyre, kapja e Arjan Fejzullarit u realizua në sajë të posedimit të informacioneve mbi vendndodhjen e tij, i cili qëndronte i fshehur te disa të afërm në qytetin e Elbasanit, ndërsa 4 shtetasit e tjerë u kapën në Laprakë të Tiranës. Të arrestuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi realizonin vjedhjet, sendet e marra i dërgonin në qytetin e Elbasanit, në një pikë shumice, me synim shitjen dhe përfitimin monetar të tyre, sende të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Hetimet
Për rreth 40 ditë, grupi arrestuar ditën e djeshme ka qenë nën vëzhgim të vazhdueshëm nga ana e policisë. Sipas tyre, ky grup, kryesisht vepronte në Tiranë dhe kishte si objektiva të tij dyqane dhe lokale. Të 11 vjedhjet e dokumentuara deri tani nga ana e grupit hetimor janë kryer për 19 ditë, në periudhën kohore 2 janar-21 janar 20010. Pas vëzhgimit të tyre uniformat blu vendosën të finalizonin operacionin duke arrestuar pesë nga eksponentët e këtij grupi dhe duke shpallur njërin në kërkim. Policia tha se gjatë aksionit, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sërë sendesh të vjedhura, mjetet që përdornin për kryerjen e veprave penale si kaçavidë, doreza, kapuça etj. Dosja penale, sipas policisë, është dërguar në prokurori për hetime të mëtejshme dhe për verifikimin e rasteve të tjera të vjedhjeve.
Personat e arrestuar
- Arjan Skënder Fejzullari, 38 vjeç, lindur e banues në Tiranë;
-Valter Shefqet Vladi, 19 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Laknas, i dënuar më parë për vjedhje;
-Simon Robert Thanasi, 28 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i dënuar më parë në shtetin grek për shitje të lëndëve narkotike;
-Ilir Agim Shehi, 32 vjeç, lindur e banues në Tiranë, i dënuar dy herë për vjedhje;
-Ilir Veiz Zenko, 44 vjeç, lindur dhe banues në Mëzez, i dënuar më parë për plagosje;
Vjedhjet e dokumentuara
1- Më datë 2 janar 2010 dyshohet se në Rrugën e Durrësit në Tiranë kanë vjedhur me thyerje dyqanin në pronësi të një shtetasi.
2- Më datë 10 janar 2010, në rrugën “Gjergj Legisi”, pranë shkollës “Aleks Buda”, kanë vjedhur me thyerje dyqanin në pronësi të një shtetasi.
3- Më datë 13 janar 2010, në Rrugën e Durrësit në Tiranë dyshohet se kanë realizuar vjedhjen me thyerje të një lokali bar-kafe “B.....”, në pronësi të një shtetasi.
4- Më datë 20 janar 2010, në rrugën “Pandi Dardha”, dyshohet se kanë vjedhur me thyerje lokalin “A...”, në pronësi të një shtetasi.
5- Më datë 21 janar 2010, në rrugën “Lord Bajron”, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur me thyerje lokalin në pronësi të një shtetasi.
6- Më datë 5 janar 2010, në Laprakë dyshohet se kanë vjedhur me thyerje lokalin në pronësi të një shtetasi.
7- Më datë 8 janar 2010, po në Laprakë dyshohet se kanë vjedhur me thyerje lokalin në pronësi të një shtetasi.
8- Më datë 20 janar 2010, në rrugën “Don Bosko” në Tiranë kanë vjedhur me thyerje furrën e bukës “Thethi”, në pronësi të një shtetasi.
Po ashtu u dokumentua tërësisht implikimi tyre në vjedhjet e mëposhtme:
9- Më datë 12 janar 2010, në Kodër Kamzë kanë vjedhur lokalin e një shtetasi.
10- Më datë 12 janar 2010, në Kodër Kamzë dyshohet se kanë realizuar vjedhjen e lokalit në pronësi të një shtetasi.
11- Më datë 7 janar 2010, në Kodër Kamzë kanë vjedhur lokalin në pronësi të një shtetasi.
Pranga shqiptarit dhe rumunes, akuzohen për trafik droge
ITALI - Një i ri shqiptar dhe një rumune janë arrestuar ditën e djeshme në Rimini të Italisë me akuzën për trafikim të lëndëve të forta narkotike. Elton Maloku 27 vjeç dhe rumunia 22-vjeçare Nikoleta Dinu, u prangosën pasi për ta hetimet kanë filluar që në dhjetor të vitit 2008, kur në plazhin Babilonia ka ndodhur një shkëmbim zjarri ku të pranishëm kanë qenë dhe të arrestuarit e djeshëm. Maloku dhe rumunia Dinu ishin të dyshuar për trafikim të kokainës, ku çdo javë ata arrinin të shpërndanin sasi të konsiderueshme të saj, madje thuhet se ata arrinin të shpërndanin rreth një kilogram për këtë periudhë kohore, kurse lidhur me rolin e tyre në shkëmbimin e zjarrit, policia dha pak informacion. Tashmë Policia e Riminit i ka arrestuar të dy, ku Elton Maloku ndodhet në burgun e Riminit në Itali, ndërsa vajza rumune Nikoleta Dinu ndodhet në burgun e Forlit.
25 Janar 2010