E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandalet e “Albania Airlines”, për shkak të borxheve, ja vendimet e gjykatave

Thimi Samarxhiu

Borxhet e mëdha të kompanisë “Albania Airlines” ndaj koncesionarit të Rinasit dhe partnerëve të saj janë ndër shkaqet që sollën incidentet e ditëve të fundit me udhëtarët në linjat ndërkombëtare që realizon. Gazeta “Albania” sjell dokumente që e tregojnë një gjë të tillë dhe proceset e vazhdueshme gjyqësore që ka me disa kompani, të cilave do t’u duhet të paguajë shuma të mëdha financiare. Po ashtu, me vendim gjykate është lëshuar edhe urdhër sekuestrimi për një avion që ka në pronësi, si detyrim për palët e treta. ”Tirana International Airport” prej shkurtit 2009 mban të bllokuar një avion të kompanisë “Albanian Airlines”, pasi kjo e fundit i detyrohet TIA-s një shumë prej 1 059 994 eurosh, si mospagesë e kontratës të lidhur më 29.10.2008. Nga zbardhja e këtyre vendimeve, kuptohet qartë se incidenti i përpara disa ditëve me linjën e fluturimit Tirana-Bolonja, ishte i paralajmëruar.
Gazeta disponon dy vendime të Gjykatës së Tiranës, që mbajnë datat 05.03.2009 dhe 09.10.2009. Në vendimin e datës 5 mars, TIA kërkon nga ana e gjykatës caktimin e një mase për sigurimin e padisë dhe gjykata ka vendosur bllokimin e avionit të kësaj kompanie deri në shlyerjen e borxhit. Ndërkohë që në vendimin e datës 9 tetor, gjykata e detyron kompaninë “Albanian Airlines” t’i paguajë shoqërisë ”Tirana International Airport” një shumë prej 893 940 eurosh.

Bllokimi i avionit
Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është paraqitur për shqyrtim kërkesa civile me kërkues shoqërinë “Tirana International Airport” sh.p.k., me objekt sigurimin e padisë me garantimin e pagimit të detyrimit në masën 1 059 994 euro, duke vendosur sekuestrimin në regjistrin e aeronautikës të Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil të avionit në pronësi të Shoqërisë “Albanian Airlines” sh.a., regjistruar me numër: ZA MEV BAE 146-300. Shoqëria “Albanian Airlines” nuk ka shlyer në mënyrë të plotë dhe korrekte detyrimin e saj kontraktor kundrejt kërkuesit për shërbimet e marra nga kjo e fundit. Si rrjedhojë, detyrimi financiar i të paditurit kundrejt kërkuesit ka arritur vlerën 1 059 994 euro. Vlera e detyrimit të vërtetohet me faturat përkatëse tatimore, të cilat janë lëshuar nga kërkuesi për shërbimet përkatëse të kryera kundrejt të paditurit “Albanian Airlines”. Këto fatura nuk janë kundërshtuar nga “Albanian Airlines dhe janë nënshkruar rregullisht prej tyre. Kërkuesi dhe shoqëria “Albania Airlines” kanë ndërmarrë negociata me qëllim zgjidhjen e kësaj çështjeje me pajtim dhe, si rezultat, pasi është rënë dakord, më datë 29.10.2008 palët kanë nënshkruar marrëveshjen për shlyerjen e detyrimit dhe parapagimin e tarifave aeroportuale gjatë çdo fluturimi. Por edhe kjo marrëveshje nuk është respektuar nga i padituri “Albanian Airlines”. Në vijim, kërkuesi u shpreh se meqenëse shoqëria “Albanian Airlines” është debitor kundrejt tij në shumën prej 1 059 994 eurosh, në mënyrë që të garantojë që ekzekutimi i detyrimit nuk do të jetë i vështirë apo i pamundur, kërkoi nga Gjykata pranimin e kërkesës. Gjykata, pasi dëgjoi pretendimin e kërkuesit dhe shqyrtoi aktet në dosje, arrin në përfundimin se kërkesa për marrjen e masës së sigurimit të padisë së paraqitur nga kërkuesi duhet pranuar si e bazuar në ligj dhe në prova.
Kërkuesi pretendoi se detyrimi i shoqërisë “Albanian Airlines” sh.a. kundrejt tij është në masën 1 059 994 euro dhe për këtë paraqiti si provë Marrëveshjen për shlyerjen e detyrimit, datë 29.10.2008, si dhe faturat tatimore për shërbimet e kryera, të cilat në total kapin shifrën 1 059 994 euro. Në përfundim, Gjykata e Tiranës vendosi pranimin e kërkesës dhe vendosjen e masës së bllokimit në regjistrin e aeronautikës shqiptare të Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil të avionit në pronësi të shoqërisë “Albanian Airlines” me shenjat e regjistrimit Nr. ZA MEV duke urdhëruar mostjetërsimin e këtij sendi deri në përfundim të gjykimit.

Gjoba prej 893 940 eurosh
Vetëm disa muaj më vonë, “Tirana International Airport” depozitoi në Gjykatën e Tiranës një tjetër padi, por këtë herë për rikthimin e shumës prej 10 59 994 eurosh, por në fund gjykata vendosi vetëm për 893 940 euro, kërkesa ishte e bazuar në prova. Në vendimin e datës 09.10.2009 thuhet: Në padinë e paraqitur për shqyrtim, pala paditëse pretendon se në kuadër të ushtrimit të veprimtarisë së saj, në datën 01.06.2007 ka lidhur me palën e paditur kontratën standarde për shërbimet në tokë, nëpërmjet së cilës pala paditëse, shoqëria “TIA” sh.p.k., ka marrë përsipër kryerjen e shërbimeve të ndryshme për të paditurin, me qëllim realizimin e transportit të udhëtarëve dhe mallrave në destinacione të ndryshme. Po kështu, pala paditëse pretendon se kundrejt përmbushjes së rregullt të detyrimeve të saj që rrjedhin nga kjo kontratë, pala e paditur është treguar jo korrekte përsa i përket pagimit të detyrimeve të përcaktuara në faturat tatimore të shitjes. Në kushtet kur termat e kësaj marrëveshjeje nuk janë respektuar nga i padituri, pala paditëse i është drejtuar gjykatës, fillimisht me kërkesën për sigurimin e objektit të padisë dhe me padinë objekt gjykimi.
Pala e paditur, “Albanian Airlines”, megjithëse ka pasur dijeni rregullisht për zhvillimin e gjykimit, nuk tregoi interes për të, duke e lënë në këtë mënyrë gjykimin në mungesë të saj.
Nga shqyrtimi gjyqësor i provave të administruara, gjykata arrin në përfundimin se padia është e bazuar në prova dhe në ligj vetëm në vlerën 893 940 euro. Me kontratën standarde për shërbimet në tokë, datë 12.09.2007, Aneksi B i kontratës së janarit 2004, palët, në varësi të natyrës së objektit të veprimtarive respektive, rezulton që të kenë marrë përsipër të drejta dhe detyrime specifike. Kështu, pala paditëse, shoqëria “TIA” sh.p.k., në cilësinë e ofruesit të shërbimit, nëpërmjet kësaj aneks-kontrate ka përcaktuar tarifat përkatëse për secilin shërbim që i ofronte palës së paditur pala paditëse. Gjithashtu, palët kanë rënë dakord edhe për mënyrën e pagesave (brenda një muaji nga dita e lëshimit të faturës), interesat në rast vonese, dëmshpërblimet etj. Pavarësisht kontratës bazë të vitit 2004, aneks-kontrata do të fillonte efektet nga data 01.06.2007 e në vazhdim. Siç dhe provohet nga marrëveshja për shlyerjen e borxhit datë 29.10.2008, pala e paditur nuk ka përmbushur detyrimet e veta kontraktore që rrjedhin nga kontratat e sipërcituara. Nga përmbajtja e kësaj prove shkresore rezulton që palët, pas rakordimeve që kanë bërë në lidhje me detyrimin e pashlyer, kanë rënë dakord që në këtë moment shuma totale e këtij detyrimi ka qenë 893 940 euro. Për shlyerjen e kësaj shume, palët kanë përcaktuar një skemë të posaçme. Në kushtet kur nga pala e paditur rezulton të mos jenë përmbushur detyrimet edhe pas kësaj marrëveshjeje, pala paditëse kërkon gjyqësish, bazuar në kapitullin e detyrimeve të Kodit Civil, detyrimin e palës së paditur t’i paguajë shumën 1 059 994 euro, duke paraqitur në cilësinë e provës në mbështetje të këtij kërkimi, faturat tatimore të shitjes dhe përmbledhjen e librit të shitjeve.
Gjykata e Tiranës, duke iu referuar marrëveshjes që palët kanë nënshkruar në datën 29.10.2008, në bazë të Nenit 511 të Kodit Civil, konkludon në pranimin e padisë vetëm përsa i përket vlerës së detyrimit që palët kanë rakorduar në datën e kësaj marrëveshjeje. Kjo për faktin se në paragrafin 4 të marrëveshjes, palët kanë rënë dakord për shumën përfundimtare të detyrimit në masën 893 940 euro, pasi kanë përfshirë faturën e qirasë dhe të shërbimeve të furnizimit me karburant dhe kanë zbritur shumën prej 100 000 eurosh që pala e paditur ka shlyer në datën 27.10.2008. Në përfundim të procesit, Gjykata e Tiranës vendosi pranimin e pjesshëm të padisë duke e detyruar shoqërinë “Albanian Airlines” sh.p.k. t’i paguajë “Tirana International Airport” shumën prej 893 940 eurosh.

Aventura e udhëtarëve

Më 17 janar, një avion i nisur nga aeroporti “Nënë Tereza” i Tiranës, me destinacion Bolonjën, ndryshoi kursin e tij dhe u ul në Bratislavë. Për rreth 6 orë, 110 pasagjerët e këtij avioni qëndruan në ambientet e transitit të Aeroportit të Bratislavës, pa ushqime, ndihma mjekësore dhe pa asnjë informacion lidhur me atë çfarë do të ndodhte. Vetëm disa orë më vonë, shoqëria “Abanian Airlines” u bëri të ditur se kishte rezervuar dhoma hoteli për të gjithë pasagjerët. Pas fjetjes një natë në Bratislavë, 110 pasagjerët u nisën për në Bolonja. Shkaku i ndryshimit të kursit të avionit dhe ulja e tij në Sllovaki ishte fakti se pilotët e avionit nuk ishin paguar nga shoqëria “Albanian Airlines” dhe zgjodhën këtë rrugë për të protestuar.

MPPTT dhe DPAC: Do t’u shkojmë deri në fund hetimeve

Ministria e Transporteve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil janë shprehur se do t’i shkojnë deri në fund hetimit të incidentit me avionin e shoqërisë “Albania Airlines”. Sipas tyre, do të mblidhen të gjitha informacionet nga ana e shtetit sllovak dhe më pas do të kërkohet llogari te përgjegjësit për shkakun e devijimit të avionit. Vetëm disa ditë pas incidentit, ministri i Jashtëm sllovak, Lajcak, në një takim me homologun e tij shqiptar, u shpreh se ky ishte një ekzagjerim që bëhej nga ana e mediave. “Është e vërtetë se kjo çështje ka tërhequr një vëmendje të veçantë, por kërkoj që të mos ekzagjerohet pa pasur prova nga autoritetet shqiptare. Theksoj se kjo nuk është një çështje mes dy vendeve tona, por një incident mes dy kompanive”, - u shpreh ministri i Jashtëm sllovak.

25 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›