E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogat e përziera, rreziku i ri i të rinjve

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Numri i të droguarve në vendin tonë po rritet vit pas viti. Sipas të dhënave nga qendra diagnostikuese narkomane në Spitalin Ushtarak, vetëm në 6 muaj paraqiten 1100 raste të reja. Substancat psikoaktive që përdoren më masivisht ndër përdoruesit e drogës janë prodhimet e kanabisit, me rreth 65 %. Të dhënat u theksuan dje nga ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, gjatë takimit me temë "Droga, një shqetësim i përbashkët”. Sipas saj, përdoruesit kryesisht të heroinës, janë 20-25% (një pjesë e konsiderushme e të cilave administrohet intravenoz, duke përbërë një kërcënim potencial për sëmundje të trasmetueshme. Ndërsa, rreth 10% janë përdorues të kokainës. Ministrja e Shëndetësisë theksoi se "aktualisht numri i përdoruesve të drogës në Shqipëri ka kapur shifrën afër 40 mijë". Ndërkohë, vëzhgimet dhe studimet e fundit konstatojnë një rritje të preferencave për substanca sintetike të tipit të amfetaminës (ekstazi,metamfetaminë). "Këtu duhet theksuar rritja e vëmëndjes sonë lidhur me prekursorët e këtyre substancave (efedrinë, pseudoefedrinë etj), të cilat janë substanca medikamentoze legale, jo vështirësisht të disponushme në tregun tonë farmaceutik dhe që në kushte edhe të një teknologjie laboratorike primitive artizanale, modifikohen për përftimin e substancave në fjalë", tha ministrja Godo. Ajo theksoi se "në kushte të zhvillimeve të tilla, përgjigja adekuate sociale ndaj fenomenit të drogës, në të dy frontet, atë të ofertës dhe kërkesës, përbën dhe duhet të përbëjë një ndër përparësitë e lëvizjeve sociale, ku padyshim ajo institucionale përbën një aspekt të rëndësishëm". Sipas saj, aktivitetet e kontrollit të drogës në nivelin e parandalimit primar, kryesisht me karakter edukativ dhe informues, kanë përbërë pjesën dërmuese të tyre. Ndërkohë, Godo vuri në dukje se "reduktimi i dëmit si një filozofi e shëndetit publik, megjithë qëndrimet skeptike për përshtatshmërinë dhe efikasitetin e saj, ka gjetur edhe tek ne, hapësirë në spektrin e përpjekjeve për kontrollin e drogës". "Jo pak projekte të parandalimit terciar (reduktimit të dëmit) janë implementuar apo janë në proces implementimi, sidomos nga shoqata të ndryshme jo qeveritare, si Stop AIDS, Aprad, Aksion Plus, etj", tha ajo. "Impaktet negative të këtij fenomeni tashmë identifikohen qartë në aspektin social shëndetësor dhe ekonomik", tha shefi i Sektorit për problemet e Drogës dhe Alkoolit në MSH, Sokol Morina. "Kjo situatë kërkon moblilizimin dhe bashkëpunimin institucional atë shoqëror dhe të shoqërisë civile në përgjithësi për një kundërvënie sa më të efektshme ndaj këtij fenomeni, kaq kërcënues", theksoi në fjalën e tij Morina. Sipas tij, kjo është pikërisht arsyeja e një pjesëmarrjeje kaq të gjerë në këtë takim, ku të pranishëm ishin krahas përfaqësuesve të institucioneve shëndetësore, zv.ministri i Brendshëm, Gent Strazimiri, dhe përfaqësues të institucioneve të tjera shtetërore në vend, si dhe organizata jotimprurëse që operojnë në këtë fushë. E pranishme në këtë takim ishte edhe Presidentja e Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë "Domenick Scaglione", bashkëshortja e Kryeministrit Sali Berisha, dr. Liri Berisha. Nga ana e tij, zv.ministri i Brendshëm informoi të pranishmit lidhur me përpjekjet e kësaj ministrie për parandalimin e këtij fenomeni. Ndërsa, i pranishëm në këtë takim, përfaqësuesi i Qendrës "Aksion Plus", njohu të pranishmit me punën terapeutike që është bërë në këtë qendër, lidhur me përdoruesit e drogave.

Shkaqet
Për sa u përket shkaqeve që i shtyjnë sidomos të rinjtë të marrin drogë renditen kushtet ekonomiko-sociale. Papunësia, emigrimi, divorcet, grindjet në familje apo përfundimi i një historie dashurie janë ndër arsyet e përdorimit të drogës. Ndërkohë që nga ana tjetër mjeku Sulaj ngre zërin për krijimin e një modeli pozitiv të individit, i cili të krijojë një lloj kodi moral ku të gjejnë mbështetje dhe përdoruesit e drogës.

Mungesa e strategjive
Qrendra diagnostikuese narkomane në Spitalin Ushtarak ka vetëm 15 shtretër në dispozicion të përdoruesve të drogës. Kjo tregon se ka një mungesë të theksuar të infrastrukturës në shërbim të trajtimit dhe rehabilitimit të të përdoruesve të drogës. Sipas mjekut specialist Zihni Sulaj, duhet të punojë si media, ashtu dhe institucionet shtetërore në krijimin dhe përhapjen e një strategjie në të ardhmen, e cila të synojë gjetjen e alternativave kundër joshjes së drogës.

Studimet: 40 mijë përdorues
të të gjitha llojeve të drogave
Sot është Dita Ndërkombëtare e Luftës Kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Drogave. Organizata Jofitmprurëse "FENIKS", e cila është një organizatë që merret kryesisht me parandalimin e përdorimit të drogave do të organizojë sot një fushatë sensibilizimi për luftën ndaj drogës në vendin tonë. Sipas të dhënave nga kjo organizatë, bazuar dhe në studime të huaja që janë bërë për Shqipërinë, përdorimi i drogave ka gjithnjë e më shumë rritje. Drogat janë bërë problem kryesisht pas vitit 1993. Të dhënat që ekzistojnë aktualisht për përdorimin e drogave në Shqipëri, janë kaotike. Sipas tyre mendohet të ketë pasur 20.000 përdorues droge në vitin 1998, 5000 në vitin 1995. Aktualisht, nga studimi i vlerësimit të shpejtë të situatës (VSHS) dhe vlerësime të tjera si dhe nga të dhënat prej drejtorive të policisë, mendohet se në Shqipëri janë rreth 40.000 përdorues të të gjitha llojeve të drogave, 10.000 prej të cilëve janë përdorues intravenozë të drogës. Nga raporti i studimit të Survejancës Biologjike dhe asaj të Sjelljes, maj 2006, rezultoi se periudha mesatare e injektimit midis përdoruesve intravenozë të drogave, është rreth 2 vjet. Për sa i përket injektimit, droga më e injektueshme është heroina (91%) të rasteve dhe diazepami (51%) të rasteve, ndërsa jo të injektueshme rezultojnë marijuana (47%) dhe kokaina (26%). Sipas organizatës "FENIKS", mendohet që është urgjente nevoja për vlerësimin e numrit të saktë aktual të përdoruesve të drogës në vend. Drogat që kanë përdorim më të gjerë në Shqipëri janë marijuana, heroina dhe kokaina. Në vend të parë, për sa i përket kërkesës për trajtim janë opiatet, kryesisht heroina, e ndjekur nga marijuana, drogat sintetike (ekstazi etj) si dhe kokaina. Ndër përdoruesit e drogës, 88% e tyre ishin ndërmjet moshës 15-24 vjeç, gjysma e të cilëve ishin midis moshës 20-24 vjeç. Shumica dërmuese e tyre janë meshkuj. 65% e përdoruesve të drogës që kanë kërkuar trajtim në periudhën 1995-1999 kishin një shkallë të mesme apo të lartë arsimimi, ku pjesa më e madhe ishin të papunë ose pjesërisht të punësuar. Tirana është qyteti me përqindjen më të madhe të përdoruesve të drogës. Qytete të tjera me risk të lartë janë Durrësi, Shkodra, Vlora, Fieri, Korça, Berati, Lushnja, etj. Deri në vitin 1999, mënyra kryesore e marrjes së heroinës ishte me anë të tymosjes apo të thithjes me anë të djegies. Përdorimi me anë të injektimit ka ardhur gjithnjë e më shumë në rritje, duke u kthyer në mënyrën kryesore dhe më të përhapur në ditët e sotme. Në Shqipëri shërbime për trajtimin e varësisë nga drogat, aktualisht ofrohen vetëm në Tiranë.
Ky lajm është publikuar: 21/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›