BERZH: Rritja ekonomike këtë vit do jetë 4%, vjet ishte 6,1%
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, (BERZH), tha dje viti 2009 do të jetë i vështirë për ekonominë dhe do të bëjë që rritja ekonomike të zbresë në 4%. Në një raport të publikuar dje për vendet në të cilat vepron kjo bankë e rëndësishme, ndër kontribueset kryesore në ndërtimin e ekonomive të vendeve të Evropës Juglindore, thuhej se rritja ekonomike në Shqipëri për vitin që kaloi nuk mund të jetë më e lartë sesa 6,1% dhe se në vitin 2007 ishte 6%. Ivo Germann, një prej ekonomistëve kryesorë të bankës tha: “Shqipëria po vazhdon të ketë një progres të mirë në disa fusha, por nevojiten më shumë përpjekje për të përmirësuar mjedisin e biznesit dhe rritjen e cilësisë së infrastrukturës për të ruajtur në të ardhmen rritjen mbresëlënëse ekonomike të viteve të fundit.” Raporti i publikuar nga BERZH rrëzon të gjithë retorikën e qeverisë shqiptare për rritje ekonomike me dy shifra dhe dëshmon për mungesën e plotë të realizmit. Kjo mungesë realizmi mund të çojë edhe në vendimmarrje të gabuara, gjë që mund ta thellojë efektin e krizës ekonomike.
BERZH tha se rritja ekonomike në rajonin ku ajo vepron pritet të ngadalësohet dukshëm në vitin 2009, si pasojë e ngadalësimit të ekonomisë botërore dhe e turbulencave në tregjet financiare, si dhe nxiti vendet ku investon që t’i japin prioritet të lartë stabilitetit të sistemit të tyre bankar. Raporti i Tranzicionit 2008 i BERZH, i cili gjurmon ecurinë ekonomike dhe progresin e reformave në vendet ku vepron BERZH, parashikoi se rritja e përgjithshme ekonomike do të ulet në 6.3% në vitin 2008 nga 7.5% në vitin 2007 dhe do të bjerë nën 2% në vitin 2009. Erik Berglof, drejtor i Zyrës Ekonomike të BERZH, u shpreh se mos-ndërprerja e rritjes ekonomike në rajon gjatë fazave të para të krizës botërore ishte një tregues për arritjet e dukshme të reformave. Por tani, rajoni, i përballur me një atmosferë ndërkombëtare shumë pak dashamirëse, me largimin e kapitalit nga tregjet në zhvillim, mungesë oreksi për rrezik si dhe me recesion në ekonomitë kryesore të OECD (Organizata për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ekonomik), do të provojë qëndrueshmërinë e vendeve në tranzicion. Z. Berglof shtoi se ngadalësimi i shpejtë do të zbusë kërcënimin e inflacionit, ndërsa stabiliteti i sistemit bankar do të kthehet në prioritetin kryesor për qeveritë e të gjithë rajonit. “Masat për stabilitet duhet të koordinohen me vendet e tjera, si në Evropën Perëndimore, ashtu edhe në vendet e tjera në tranzicion, duke marrë parasysh pronësitë e ndërlidhura në sistemin financiar të rajonit”, - tha ai. Raporti i Tranzicionit thotë se ekziston një rrezik që rritja ekonomike në rajon vitin e ardhshëm të jetë edhe më e ulët, nëse financimet e jashtme zvogëlohen papritur. “Disa vende në veçanti vazhdojnë të kenë llogari korente me deficite të mëdha të kombinuara me borxhe të larta në monedhë të huaj (Shqipëria është vendi me deficitin korent më të madh në rajon), dhe për këtë arsye janë të prirura të vuajnë nga ulje më të forta të prodhimit të brendshëm, nëse hyrjet e kapitalit zvogëlohen shpejt.”