E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti i Bashkisë, tre muaj afat për t u miratuar

Autori i Lajmit: red.
Buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2009, i cili është rrëzuar dy herë nga Këshilli Bashkiak, ka afat kohor për t u miratuar deri në tre muaj. Gjatë kësaj periudhe, ky këshill mund të mblidhet disa herë për të diskutuar apo votuar buxhetin e vitit 2009, që mund të rrëzohet disa herë, deri në gjetjen e konsensusit midis këshilltarëve. Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Sokol Dervishaj, tha dje se "Çdo diskutim për buxhetin kërkon kohën e vet. Në ligj është e qartësuar se buxheti mund të diskutohet deri në tre muaj, kohë kjo në dispozicion ku ai mund të miratohet, ose rrëzohet disa here”. Madje, shton më tej ai, “edhe buxheti i vitit 2008 u diskutua disa herë, deri në miratimin e tij përfundimtar në muajin mars të vitit 2008”. Buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2009 u rrëzua dy herë: më 19 dhjetor 2008 dhe më 12 janar 2009 nga votat kundër të këshilltarëve të PD-së dhe LSI-së. Në emër të këshilltarëve të PD-së, Ferdinand Pone deklaroi se "ky është një projektbuxhet i pamotivuar, ka mangësi të mëdha dhe ne kërkojmë kryetarin e Bashkisë që minimalisht, ta mbrojë atë”. Ndërsa këshilltarët e LSI e cilësuan si ”një buxhet jo të denjë për kryeqytetin”. Gjithashtu, reagim ka pasur dhe nga Shoqata e Njësive Bashkiake, që pohoi se votimi kundër i buxhetit ka qenë i drejtë për faktin se nuk ka qenë i detajuar sipas zërave, çka, sipas tyre, nuk u jepte zgjidhje ankesave të popullit.
Ky lajm është publikuar: 20/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›