E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një jetë me artin, rrëfim nga kamera e Ilia Tërpinit

Nga Dhurata Hamzai

Në jetën e tij prej 70 vjeçari, të duket se të gjitha çastet janë kthyer në diamant. “Koha është diamant” thonë hebrejtë, “koha është flori” thonë shqiptarët.

Koha, është edhe më e çmuar për kino-operatorin e palodhur shqiptar Ilia Tërpini. Për ta vërtetuar këtë, ju do të shihni një njeri me çanta dhe aparate në duar, kudo nëpër Tiranë, dhe do ta keni njohur...ai është Ilia Tërpini! Kemi parë se si koha e tij dhe jona mbahet e fiksuar në celuloidin e aparatit ose kameras së Ilia Tërpinit. Të gjithë jemi bërë pjesë të kujtesës në celuloid.

Dy ditë më parë artisti Tërpini festoi jubileun më të bukur të jetës së tij, mes artistëve dhe kineanstëve të njohur. Këtij jubileu i shtohet një libër kushtuar jetës dhe veprës së kino-operatorit Ilia Tërpini, përgatitur nga Flori Slatina. Megjithatë të rrëfesh jetën e këtij kino-operatori është e pamundur..!

Falë kameras dhe ritmit energjik me të cilin Ilia Tërpini ka ndjekur kohën, kinematografia shqiptare dhe arkivat kanë sot pasurinë e 26 filmave artistikë dhe të mbi 50 filmave dokumentarë.

Flori Slatina, autor i librit “Ilia Tërpini”, që e hartoi me rastin e 70 vjetorit të lindjes së kineastit, ka pohuar në parathënie të tij se “edhe sot nuk e ka ulur kamerën nga supi plot kallo. Ilia Tërpini është jo vetëm një artist i kompletuar, por u bë shkollë për dhjetëra të tjerë që vazhdojnë rrugën drejt artit”. Për artin e tij flasin jo vetëm çmimet, vlerësimet kombëtare, artikujt e shumtë në median e shkruar dhe kronikat e televizioneve, por edhe kolegët që kanë pasur fatin të punojnë me të gjatë viteve. Ilia Tërpini punon ende dhe ishte në meritën e tij një jubile si ai që u organizua dy ditë më parë në Tiranë, me të gjithë bashkudhëtarët në rrugën e vështirë të kinemasë, me miqtë dhe kolegët e tij. Punës së tij tashmë i janë bashkuar edhe dy djemtë: Zhani dhe Klevisi, të cilët vazhdojnë me pasion këtë art të bukur, me të cilin i edukoi i ati, mjeshtri Ilia Tërpini. Tashmë ata janë në pragun e pjekurisë së karrierës së tyre, që ka nisur të shoqërohet me trofe e çmime për vlerat artistike të filmave ose dokumentarëve që kanë prodhuar dhe të ekspozitave me fotografi artistike. Shtatëdhjetë vjetori i Tërpinit u shoqërua me një libër rreth veprimtarisë së tij artistike dhe duhet përmendur fakti se në zanafillë të këtij libri një vend nderi e ka familja e Tërpinëve, të cilën autori i librit Slatina, me plot të drejtë e quan si një familje që renditet padyshim në librin e artë të familjeve të mëdha shqiptare. Duke e nisur rrugëtimin e tij nga i pari i Tërpinëve, Ilia Iliopulos, një nënpunës i shquar i Perandorisë Osmane që bëri emër në Stamboll e më tej, autori i librit, Flori Slatina, pohon se Ilia Iliopulis së bashku me bashkëshorten e tij Katerinën lindën dhe rritën 6 fëmijë që më pas u bënë personalitete dhe e çuan më lart emrin e Tërpinëve. Ndër ta shquhej i ati i Ilias, Petro Tërpini një flautist i Bandës Kombëtare “Vatra” që la SHBA-në dhe së bashku me patriotët e tjerë erdhën për të luftuar për vendin e tyre, më 1920-ën. Petro Tërpini krahas përpjekjeve për edukimin e brezit të ri, futi në gjakun dhe shpirtin e bashkëfshatarëve të tij, dëshirën për artin dhe njëherësh dashurinë e pakufishme për gjuhën shqipe. Ai si mësues me karrierë të gjatë, edukoi sa e sa breza fëmijësh, të cilët e kujtojnë edhe sot me respekt dhe dashuri. Pra, në faqet e librit kushtuar Ilia Tërpinit bëhet një lidhje e tillë për të kujtuar që në brezin e tretë të Tërpinëve renditet operatori i shquar i filmit shqiptar, Ilia Tërpini një artist me syrin e artë që xhiroi me mijëra kilometra film, që fiksoi në celuloid artistët më të mëdhenj shqiptarë. Ilia Tërpini xhiroi ngjarjet më të mëdha në historinë e Shqipërisë dhe krijoi artin me vlera të padiskutueshme në 40 e ca vjet karrierrë artistike. Është interesante kur dëgjon nga goja e artistit se si një thëllëzë mali ka qenë kumbare e artit, nga i cili ai nuk hoqi dorë kurrë. Ishte koha e luftës italo-greke. Ilia Tërpini ishte vetëm një fëmijë 5 vjeç. Vëllai i tij më i madh kishte kapur një thëllëzë, një ushtar italian anonim, u afrohet fëmijëve dhe u thotë: “-Ejani këtu!”. Djali e fsheh pas shpinës thëllëzën. Nuk kishte dëshirë t’ia falte. “Mezi e kishte kapur”, -rrëfen Tërpini. Ai nxori nga çanta një gjë të çuditshme që fëmijët se kishin parë kurrë. Ishte një aparat fotografik 4x4, që i bindi përfudimisht fëmijët për ta shkëmbyer me thëllëzën e kapur. I vëllai i Ilias se vlerësoi gjatë aparatin, e la diku mënjanë në shtëpi, por për Ilian ai aparat pati vlerën e një mrekullie. E mbajti si gjë të çmuar pranë lodrave. Me të bëri fotografitë e para, duke vijuar pavarësisht tij pasionin mbi fotografinë. Aparatin e ruan ende, tashmë ka vlera muzeale, por ky është një detaj shumë domethënës në jetën artistike të këtij kineasti dhe fotografi të palodhur.

Në xhirimet e të gjithë filmave, Ilia Tërpini ka luftuar që mjeshtërinë e tij artistike ta vëjë në shërbim të spektatorit që ai të marrë maksimumin e emocioneve, nëpërmjet kompozimit të bukur të kuadrit, këndvështrimit të kameras, ngjyrave, dritës, etj. Ai ka dhënë gjithçka nga shpirti i tij krijues për t’iu futur sa më thellë botës shpirtërore të personazhit aktor. Janë mbi tre dekada që Ilia Tërpini sakrifikoi shpirtin dhe artin e tij. Një jetë të tërë punoi pa u lodhur në kinostudion “Shqipëria e re”. Edhe pasi iku nga Albafilmi, institucion rudimentar i kinostudios së madhe në tranzicion, Ilia Tërpini nuk e ka lëshuar kameran nga dora. Aktiviteti i tij në televizion vazhdon edhe sot e kësaj dite që të jetë edhe më i larmishëm. Ndër filmat e realizuar kohëve të fundit janë “Efesi, Turqia”, “Shoqata Ablanopulli në Paris”, “Brukseli”, “Nga Tirana në Europë” të cilin e ka realizuar së bashku me aktorin e shquar shqiptar Viktor Gjoka. Pak muaj më parë shënoi sukses me dokumentarin për motrën e mbretëreshës Geraldinë, që titullohej “Madamme Musellier”. Të tjera vlerësime i kanë shprehur më mirë kolegët e tij, sidomos aktorët, suksesi i të cilëve është varur jo pak nga syri i Tërpinit. “Ilia nuk do të plaket kurrë se ka zemrën e një 20 vjeçari”, -thotë regjizori Saimir Kumbaro. Në çdo tur xhirimesh ai ka qenë njeriu që nuk u ka munguar kurrë aktorëve dhe natyrisht njeriu më i afërt.

Yllka Mujo (aktore)

Ilia Tërpini, është artisti i parë që më mori për dore e më hapi dritaren e kinemasë !

Një artist me cilësi të mrekullueshme, njerëzore dhe artistike, model i njeriut punëtor dhe i palodhur, me energji të rralla dhe me një optimizëm që e dallon dhe e zbukuron jetën e tij dhe të tjerëve që i qëndrojnë pranë.

Gëzoj një respekt të veçantë për të edhe për faktin se në shoqërinë artistike të tij kam mësuar se çdo të thotë të jesh përherë i ri, me një dashuri të pakufishme për ta jetuar jetën bukur dhe me art.

Tinka Kurti (aktore)

Të punosh me Ilia Tërpinin

Të qëndrosh nën rrezet e kamerës

Me syrin e tij magjik është Fat.

Jo vetëm çdo muskul i fytyrës tënde

Por çdo lëvizje e gjymtyrëve të tua

Janë të regjistruara me mjeshtëri dhe është

Fat

Të njohësh Ilia Tërpinin dhe kamerën e tij,

Të ballafaqohesh në një aktivitet,

Ceremoni gëzimi apo të dhimbshme,

Vetëm syri i tij e bën dallimin dhe është

Fat

Edhe nëse nuk keni pasur rast

Njiheni dhe do të jeni me

Fat

Punova me të dhe jam

Fatlume !

Margarita Xhepa (aktore)

…Fjalët për të as nuk i kërkon dhe as nuk i mendon. Me të kam kujtimet më të bukura gjatë xhirimit të filmave. Ai është modeli më i mirë si njeri dhe si artist. Me buzëqeshjen e tij që rrezaton dritë krijon një atmosferë shumë të këndshme gjatë xhirimeve, ku me dashuri dhe qytetari respektonte jo vetëm aktorët, por edhe figurantët për ta bërë filmin sa më të bukur. Gjatë xhirimive të filmit “Dimri i fundit” në Dardhë të Korçës, ku dëbora ishte deri në gju, Ilia me pasionin e tij, me një durim të madh vendoste kameran për kompozimin e kuadrit, harmonizimin e aktorit me natyrën, apo masën e figurantëve të studiuar me shije dhe elegancë. Asnjëherë nuk mërzitej apo të bëhej nervoz e të ngrinte zërin. Përkundrazi rrezantonte mirësi njerëzore, i palodhur, gjithnjë në kërkim. Më kujtohet në filmin “Tokë e përgjakur”, në momentin që unë qaj burrin e vrarë, kasetës i mbaroi filmi, por Ilia me ndjesinë e artistit më tha: “-Shumë mirë, vazhdo të qash!” dhe në mënyrë të rrufeshme vuri metrat e filmit në kasetë dhe vazhdoi xhirimin, sepse ai vetë hyri me ndjesinë emocionale të aktorit në këto rrethana, sepse ai është artist i vërtetë.

Ilia Tërpini është mjeshtër i kameras, i fotografisë, i ndriçimit që di të bëjë art të madh. Me këta njerëz si Ilia, arti ynë ka bërë e do të bëjë më shumë filma të bukur dhe kinemaja jonë do të shkojë drejt përsosmërisë.

Kristaq Mitro (regjizor)

Tërpini-është një sy që zbulon, një pushtet i figurës,

Një udhëtar i vetes së tij,

një bisedë.

Për verën e kuqe një romancier i sinqertë.

Një intuitë e vërtetë, një sfidë,

Një peisazh emocion,

një kujtesë e kinemasë…

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›