E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërhyhet në lirimin e hapësirave publike

Autori i Lajmit: red.
Bashkia e Tiranës ka marrë së fundmi nismën për lirimin e hapësirave publike të zëna nga subjektet tregtare në mënyrë të paligjshme, që pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve. Sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës, “nisma parashikon largimin e objekteve të ndryshme nga subjektet tregtare që nxjerrin në shitje për lirimin e hapësirave publike të zëna padrejtësisht prej tyre, largimin e reklamave të vëna nëpër shtylla dhe posterave në mënyrë të paligjshme si dhe zënien e vendeve për parkime, kur nuk është paguar taksa e posaçme e bashkisë". Zona e parë ku po ndërhyhet për lirimin e hapësirave publike është ajo në Rrugën e Durrësit, ku janë detyruar të gjitha subjektet tregtare që të largojnë objektet, me të cilat zënë rrugët, duke përfshirë edhe baret me karriget nëpër trotuare, ndërsa janë hequr të gjitha piketat e vendeve të parkimeve, që nuk janë me pagesë. Nisma e Bashkisë së Tiranës për lirimin e hapësirave publike do të vazhdojë gjatë gjithë këtij viti, duke ndërhyrë në të gjitha rrugët problematike të Tiranës, bënë të ditur burimet.

Ky lajm është publikuar: 20/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›