Lacio blindon vendin e katërt e Champions
Kryeqytetasit shpartallojnë Katanian në transfertë, ndërsa Juventusi nuk shkon më larg se një barazim pa gola në Firence, duke i larë duart me Ligën e Kampioneve
Lacio ka fituar në transfertë 4-1 ndaj Katanias dhe ka forcuar pozitat në vendin e katër të Serisë A, duke e siguruar këtë vend, të paktën edhe për një javë tjetër. I pari që hapi serinë e golave ishte Hernanes që 5 minuta nga përfundimi i pjesës së parë gjen rrjetën duke cuar në avantazh skuadrën e tij në dhomat e zhveshjes. Me nisjen e pjesës së dytë, vendasit reagojnë duke gjetur golin e barazimit vetëm 2 minuta pas fërshëllimës së gjyqtarit. Barazpesha në rezultat zgjat pak minuta, pasi Mauri kalon sërish në avantazh bardhekaltërit. Në minutën e 78-të Flokari shënon golin e qetësisë për miqtë dhe në të 89’, Zarate vulos fitoren që i ngjit në kuotën e 60 pikëve. Një gol i shënuar nga Erjon Bogdani në minutën e 3 të pjesës së dytë, i ka mjaftuar Çezenës për të marrë 3 pikë me mjaft vlera përballë Barit që e çojnë skuadrën në vendin e 17 në kuotën e 34 pikëve, praktikisht jashtë zonës së skuadrave që bien automatikisht në Serinë B. Seria e fitoreve të Juventusit është ndalur në Firence. Bardhezinjtë barazuan 0-0 me Fiorentinën duke bërë thuajse të pamundur misionin e tyre për të zënë një vend në Ligën e Kampioneve për vitin e ardhshëm. Në ndeshjet e tjera, Xhenoa ka shkatërruar Breshian 3-0, Kievo mundi Bolonjën 2-0 dhe Leçe e Kajliari ndanë nga një pikë pas barazimit 3-3. Juventusi me këtë barazim e sheh gjithnjë e më larg objektivin Champions League, pasi janë plot 8 pikë për t’u rikuperuar, shumë kur kanë mbetur vetëm 5 ndeshje. Për Juventusin objektivi i vetëm mbetet kështu Europa League.
Serie A – Java e 33-të
Rezultatet
Roma – Palermo 2-3
Milan – Sampdoria 3-0
Parma – Inter 2-0
Katania – Lacio 1-4
Çezena – Bari 1-0
Kievo – Bolonja 2-0
Fiorentina – Juventus 0-0
Xhenoa – Breshia 3-0
Leçe – Kajliari 3-3
Napoli – Udineze X-X
Renditja
1) Milan 71
2) Napoli 65
3) Inter 63
4) Lacio 60
5) Udineze 56
6) Roma 53
7) Juventus 52
8) Palermo 47
9) Kajliari 44
10) Fiorentina 43
11) Xhenoa 42
12) Bolonja 40
13) Kievo 39
14) Katania 36
15) Parma 35
16) Leçe 35
17) Çezena 34
18) Sampdoria 32
19) Breshia 30
20) Bari 21