E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogë “Lazarati” drejt Greqisë, zbulohen 286 kg

 

Droga e Lazaratit çon në pranga pesë persona nga Delvina. Operacioni i koduar "Kundërpërgjigja e Parë", organizuar nga policia e Vlorës në bashkëpunim me atë të Sarandës, sekuestroi sasinë prej 286.1 kilogramë lënde narkotike "kanabis sativa". Ndërhyrja e policisë u bë në orët e para të mëngjesit të djeshëm te "Qafa e Saronesë", në rrugën mes fshatrave Pllakë e Xarrë të Sarandës. Nga ky operacion, efektivët e antidrogës arrestuan Aleksandër Draçin, 29 vjeç, Fetah Muhametin, 22 vjeç, Arben Tahirajn, 40 vjeç, Lavdërim Tozon, 51 vjeç dhe Gramoz Tahirajn, 42 vjeç, që të gjithë nga Delvina. Policia tha se droga ishte blerë nga trafikantët në fshatin Lazarat dhe kishte destinacion Greqinë, por nuk bëri të ditur nëse trafiku i saj do të kryhej në rrugë tokësore apo me gomone. Sipas burimeve, sektori i antidrogës kishte siguruar në rrugë operative informacionet për veprimtarinë kriminale të të arrestuarve. Prej një muaji ata janë mbajtur në survejim. Ndërkohë janë përdorur edhe metoda të nevojshme ligjore për të shkuar gjer te sekuestrimi i kanabisit, siç është përgjimi. Në sajë të këtyre mekanizmave ligjorë, blutë finalizuan mëngjesin e djeshëm aksionin me sekuestrimin e lëndës narkotike dhe arrestimin e trafikantëve të saj. Malli i sekuestruar po transportohej nga një furgon "Volksvagen", me targa DL 28 78 A, që drejtohej nga Arben Tahiraj. Në momentin e ndalimit, Tahiraj tentoi t'i kundërpërgjigjej policisë me një armë automatike. Policia lokalizoi shpejt situatën, duke mos i dhënë atij mundësi veprimi. Por nuk përjashtohet as dyshimi se veprimi i shpejtë i tij me armën mund të ketë qenë për ta hedhur atë para se t'ia gjenin në mjet. Tahiraj rezultoi se ishte person i shpallur në kërkim për "dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit". Gjykata e Sarandës e kishte dënuar për këtë vepër në mungesë me 2 vjet burg. Policia e Vlorës dhe ajo e Sarandës, duke i pasur në mbikëqyrje të gjitha lëvizjet e tyre, iu zuri pritë pikërisht në vendin ku i arrestoi në mënyrë të befasishme, pa i dhënë asnjërit mundësinë të largohej. Ata bllokuan edhe një mjet tip "Mercedes-Benz" 250, me targa DL 29 37 A, që po shoqëronte furgonin. Pas kontrollit u sekuestrua edhe një armë automatike model 56, disa fishekë me kalibër 7.62 mm, 5 celularë si dhe 30 mijë lekë. Të arrestuarit akuzohen për "trafik të lëndëve narkotike në bashkëpunim" dhe "prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit". Policia nuk përjashtoi mundësinë e ndonjë arrestimi tjetër në kuadër të të njëjtit operacion, por nuk u konfirmua nëse ndërhyrja e radhës do të jetë në Lazarat. sh.d/q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›