E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkitë sërish prapa me mbledhjen e të ardhurave

 

Fabiola Çela

Pushteti lokal është sërish prapa për mbledhjen e të ardh-urave. Ministria e Financave ka publikuar të dhënat më të fundit për 9-mujorin, ku rezulton se të ardhurat tatimore dhe doganore janë realizuar në masën 99.45 për qind, ndërsa shpenzimet kapitale janë realizuar në masën 83 për qind, me një mosrealizim prej 9.3 miliardë lekësh.
Taksat
Pushteti lokal nuk ka punuar siç duhet në mbledhjen e taksës së tatimit mbi pasurinë. Sipas të dhënave më të fundit nga Ministria e Financave, gjatë këtyre 9 muajve tatimi mbi pasurinë është arkëtuar në masën 65.56 për qind. E kundërta ka ndodhur me mbledhjen e taksave për biznesin e vogël. Të ardhurat nga taksa e biznesit të vogël janë arkëtuar në masën 90.75 për qind. Ndërsa arkëtimi i taksave të tjera lokale është në nivelin e 93.56 për qind. Në total të ardhurat nga pushteti lokal janë realizuar në masën 87.21 për qind. Në fakt, jo pak herë zyrtarë të Ministrisë së Financave i kanë tërhequr vëmendjen drejtuesve të pushtetit lokal që të marrin masat e duhura për të rritur nivelin e arkëtimeve nga taksat që janë nën administrimin e tyre. Sipas të dhënave zyrtare nga financat, për këtë 9-mujor të ardhurat nga tatimet dhe doganat janë realizuar në masën 99.45 për qind. TVSH-ja dhe të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat personale janë dy taksat, realizimi i të cilave ka qenë përtej parashikimeve të bëra në fillim të vitit nga qeveria. Ndërsa për sa i përket të ardhurave nga akciza, niveli i tyre për këtë 9-mujor është 94.48 për qind, ndërsa të ardhurat nga tatim-fitimi janë në nivelin e 97.86 për qind. Pra, këto dy taksa rezultojnë të mos jenë mbledhur në nivelin e parashikuar nga qeveria.
Investimet
Të dhënat zyrtare tregojnë se deri në fund të muajit shtator investimet janë realizuar 83 për qind e parashikimit të periudhës, ose rreth 48.2 për qind e planit vjetor. Sipas përllogaritjeve rezulton se ka një mosrealizim të investimeve prej 9.3 miliardë lekësh. Brenda këtyre shpenzimeve investimet me financim të brendshëm janë realizuar në masën 75.7 për qind, pra ka një mosrealizim prej 6.2 miliardë lekësh. Ndërsa investimet me financim të huaj janë realizuar në masën 89.4 për qind të parashikimit, duke rezultuar me një mosrealizim prej rreth 3.1 miliardë lekësh. Në krahasim me planin vjetor, këto investime janë realizuar respektivisht 39.8 për qind dhe 57.2 për qind. Sipas të dhënave zyrtare krahasuar me vitin e kaluar, investimet e brendshme rezultojnë rreth 3.6 miliardë lekë më të larta, ose rreth 22.8 për qind më të larta. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me investimet me financim të jashtëm, të cilat rezultojnë rreth 20.5 miliardë lekë më të larta, ose rreth 3.7 herë më shumë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›