Projektbuxheti, Idrizi: Qeveria asnjë masë për krizën globale
Projektbuxheti i vitit 2009 ka kthyer edhe një herë debatin mes pozitës dhe opozitës. Në një deklaratë për mediat, deputeti i Partisë Socialiste, Shpëtim Idrizi, e ka cilësuar projektbuxhetin e 2009-ës si piramidal. Madje, ai ka akuzuar qeverinë se nuk po merr asnjë masë për të minimizuar efektet e krizës financiare ndërkombëtare, e cila sipas opozitës do të prekë edhe ekonominë vendase. "Ky projektbuxhet tregon se kjo qeveri është e papërgjegjshme përballë përgjegjësisë së saj, për marrjen e masave për minimizimin e efekteve të mundshme të krizës globale financiare, e cila pritet të ketë ndikimet e veta dhe në vendin tonë. Në këtë projektbuxhet mungojnë masat për përballimin e rritjes së çmimeve dhe krizës së fortë globale financiare", ka deklaruar Idrizi. Madje, sipas tij, ky projektbuxhet është më i çoroditur se kurrë dhe për sa i përket rritjes ekonomike ajo pritet të jetë nga 3.7-4% sipas FMN-së dhe mbi 6% për qeverinë. Por i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i ministrit të Financave, Ridvan Bode. Në një deklaratë zyrtare për mediat, financat kanë hedhur poshtë akuzat e ngritura nga deputeti i PS-së, duke i cilësuar ato si shpifje. "Opozita, e çorientuar përballë arritjeve fiskale të qeverisë dhe vlerësimeve pozitive si kurrë më parë nga partnerët ndërkombëtarë për reformat e ndërmarra dhe rezultatet e arritura në fushën ekonomike, fiskale, të minimizimit të informalitetit dhe korrupsionit, prej ditësh në mënyrë të dëshpëruar po shpif rreth parametrave dhe objektivave të buxhetit 2009", thuhet në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Financave. Sipas Financave, rritja e të ardhurave në buxhetin 2009 me 300 milionë euro është pjesë e tendencës pozitive të tre viteve të mëparshme, kur të ardhurat nga tatimet e taksat u rritën me 4 pikë përqindje të PBB-së, edhe pse taksat janë përgjysmuar tërësisht. "Buxheti 2009 është një buxhet i sigurt dhe jo elektoral, pasi ai është konservativ në programimin e të ardhurave dhe një buxhet me 20 miliardë lekë rezerva e kontigjenca, ndërkohë që buxheti 2005 i ish-qeveritarëve kishte vetëm 2 miliardë kontigjenca", theksohet në deklaratën e Ministrisë së Financave. Projektbuxheti i vitit 2009 aktualisht është miratuar parimisht në Komisionin e Ekonomisë dhe së shpejti pritet të diskutohet në Parlament.