E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy presidentë letër Topit: Ne i mbështesim,ndërhy për grevën

 

Aristir Lumezi

Një grup i gjerë intelektualësh kërkojnë ndërhyrjen e Presidentit të Republikës për zgjidhjen e krizës politike.
Përmes një letre të hapur, drejtuar krerëve të shtetit, Presidentit Topi, Kryeministrit Berisha, Kryetares së Parlamentit Topalli, kreut socialist Edi Rama dhe ambasadorëve të SHBA, KE dhe OSBE në Tiranë, 162 intelektualë, pedagogë, gazetarë, artistë, njerëz të kulturës e letrave kërkojnë gjetjen e një zgjidhje për grevën e urisë së 10 deputetëve, të cilët prej 6 ditësh janë ngujuar në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë. "Ju kërkojmë Ju, zoti President, si përfaqësues mbipartiak i Unitetit të Popullit dhe si garantues i zbatimit të Kushtetutës së këtij vendi, të angazhoheni për të gjetur një zgjidhje për këtë krizë politike, në përputhje me frymën e lirive e të drejtave të sanksionuara në Ligjin Themelor të Shtetit", thuhet në letrën e intelektualëve. Ndër të tjera, ata i kërkojnë "partive politike, veçanërisht PD e PS, të tregohen të përgjegjshme se garantimi i të drejtës, vlerës dhe barazisë së votës së qytetarëve është detyrim i tyre ndaj qytetarëve, dhe jo privilegj që e administron politika". Gjithashtu përmes letrës së tyre, grupi i intelektualëve i drejtohet dhe ambasadorëve të huaj në Tiranë, ku i kërkojnë të shprehen qartë për pozicionin e tyre. "I drejtohemi komunitetit ndërkombëtar, përfaqësuesve të OSBE/ODIHR-rit, BE-së dhe SHBA-së, duke i kërkuar të mbajnë qëndrime të qarta e parimore në drejtim të garantimit të vlerave të gjithpërfshirjes dhe konkurrimit të barabartë politik, si një e drejtë, vlerë dhe standard themelor për vendet e qytetëruara e demokratike", shprehen ata në letrën e tyre. Nënshkruesit e letrës së hapur, e para e këtij lloji me përfshirjen e një numri kaq të madhe të njerëzve të shquar të fushave të ndryshme, mbështesin grevën dhe qëllimet e saj. "Mbështesim sot qëllimin e grevës së urisë së 10 deputetëve të parlamentit shqiptar, për të hartuar një Kod Zgjedhor të gjithpërfshirjes dhe të mundësive të barabarta të partive politike në konkurrimet zgjedhore, të sanksionuar edhe në dokumente themelore të OSBE-së, konkretisht në dokumentin për Konferencën e Kopenhagenit për dimensionin njerëzor të OSBE-së, neni 7.6", shprehen intelektualët në letrën e tyre. Intelektualët e njohur përmes letrës së tyre kërkojnë të japin ndihmesën qytetare në zhvillimet demokratike të vendit. "Me përgjegjësi të lartë qytetare si shtetas të përgjegjshëm ndaj zhvillimeve themelore politike në vend; të ndërgjegjshëm se sakrifica sublime e deputetëve ka të bëjë me liritë themelore njerëzore të çdo qytetari për të zgjedhur e për t'u zgjedhur; se, si intelektualë, për ne liria është në themelin e integritetit tonë njerëzor e profesional dhe se lirinë tonë e administrojmë me vullnetin tonë të lirë, kërkojmë ndërhyrjen tuaj për zgjidhjen e një krize të paprecedentë në historinë shqiptare të pluralizmit", vazhdojnë me tej intelektualët e njohur në letrën e hapur. Sipas tyre, "duke vlerësuar se kërkesat e vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar, të OSBE/ODIHR-it, të BE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë për të realizuar një reformë gjithpërfshirëse e transparente zgjedhore, që njeh realitetet politike dhe që garanton zgjedhje të lira e të ndershme, duhet të merren parasysh nga partitë PD-së e PS-së hartuese të Kodit të ri zgjedhor".

Topi në VOA mbrojti grevistët

Gjatë një interviste në "Zërin e Amerikës", Presidenti Topi e cilësoi grevën e urisë si rezultat të mungesës së dialogut për Kodin Zgjedhor. "Në progres-raport thuhet që mungon kultura e dialogut politik midis partive politike, gjë që po vërehet edhe në momentet e reformimit të Kodit Zgjedhor, që ka imponuar që edhe një pjesë e deputetëve t'i mbrojnë interesat e tyre në këtë formë të protestës, që po konsiderohet një protestë demokratike, por është në të drejtën, në vizionin, në perceptimin dhe në pozicionin e çdo partie politike dhe çdo deputeti që do të protestojë pikërisht për arritjen e standardit që ka të bëjë me marrjen në konsideratë edhe të interesave të tyre", tha Topi.

PDK: Berisha të marrë përgjegjësi për krizën

Partia Demokristiane i kërkon Kryeministrit Sali Berisha që të ndërhyjë në zgjidhjen e krizës së krijuar për çështjen e ligjit zgjedhor. Sekretari politik i PDK-së, Lazër Stani ka kërkuar që kryeministri të marrë përgjegjësi në zgjidhjen e situatës së krijuar. "Nëse z.Edi Rama ka vendosur të hartojë një Kod Zgjedhor përjashtues, që legjitimon vjedhjen e votës së shqiptarëve, z. Berisha, nuk ka pse të bëhet palë me të keqen, palë me shkatërruesit e procesit zgjedhor, sepse përgjegjësia kryesore do të jetë e tij dhe vetëm e tij", deklaroi Stani. Sipas tij, "Berisha, nëpërmjet përjashtimit të PDK-së nga procesi i administrimit të zgjedhjeve, kërkon të tjetërsojë edhe votën e elektoratit demokristian". "Asnjë parti serioze në botë nuk mund të pranojë që vota e elektoratit të saj të tjetërsohet, të vidhet, të plaçkitet. Këtë tezë politike e ka përsëritur Berisha shumë e shumë herë me të drejtë, kur ishte në opozitë dhe votat e elektoratit demokrat dhunoheshin dhe vidheshin nga socialistët në pushtet, sot fatkeqësisht aleatë të tij në hartimin e një kodi që legjitimon vjedhjen e votës", deklaroi zëdhënësi politik Stani. PDK i bëri thirrje Kryeministrit Berisha, të ndalë luftën e tij të paprinciptë kundër demokristianëve shqiptarë dhe përfaqësuesve të tyre legjitimë. Për PDK kjo grevë nuk bëhet për partitë e deputetëve që janë futur në grevë urie, por për të siguruar votën e lirë dhe mirë funksionimin e demokracisë.

ZMQ: Kodi të bëhet publik
Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve kritikon Kodin e ri Zgjedhor, i cili ka shumë gjasa që të miratohet të hënën në seancën plenare të Kuvendit. Sipas përfaqësuesve të ZMQ-se, Kodi është i padeshifrueshëm, i njëjtë me "Kodin e Da Vincit". Duke kërkuar që Kodi të bëhet publik, pasi ka mungesë transparence, ZMQ thekson se "zgjedhjet e vitit 2009 janë me rëndësi të madhe për integrimin e vendit". "ZMQ kërkon bërjen publike të kodit në mënyrë që grupet e interesuara të kenë mundësi të njihen dhe të kenë kohën e mjaftueshme për të dhënë sugjerimet e tyre. ZMQ ka hulumtuar të gjitha Web sitet e qeverisë apo Kuvendit dhe ende nuk e gjen të zbardhur apo të publikuar projekt Kodin Zgjedhor. Në këtë procedurë Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve vëren me shqetësim se nuk janë garantuar asnjë nga format e përfshirjes së publikut dhe informimit të tij për këtë proces të rëndësishëm", thuhet në deklaratën për median.

Meidani telefonon grevistët: Kauza juaj është parimore

Aristir Lumezi

Ish-presidenti Rexhep Meidani ka përshëndetur deputetët e ngujuar në grevë urie. Ai i ka telefonuar kreut të LSI-së Ilir Meta dhe është interesuar për shëndetin e të gjithë deputetëve pjesëmarrës në të. Meidani ka mbështetur dhe i ka inkurajuar ata për kurajën dhe guximin e ndërmarrjes së një veprimi të tillë për një çështje kaq parimore. Ish-presidenti i Republikës, në pamundësi për t'i vizituar nga afër deputetët e grevës së urisë, vetëm u ka telefonuar atyre. Ai është kthyer vetëm një natë më parë nga Parisi, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Deputetët grevistë kanë marrë mjaft mbështetje gjatë këtyre ditëve nga personalitete të njohura brenda dhe jashtë vendit. Ish-presidenti i vendit Alfred Moisiu, edhe pse nuk është lejuar t'i takojë deputetët grevistë, ka mbështetur veprimin e tyre dhe ka kërkuar gjetjen e zgjidhjes. Në gazetën "Panorama" zoti Moisiu e cilësoi grevën e urisë dhe kushtet në të si një situatë aspak normale. "Duke parë deputetët e ngujuar në parlamentin e vendit, mendoj se kjo nuk është një gjë normale. Përgjegjësia, sipas mendimit tim, bie mbi klasën politike që gjërat të shkojnë deri në këtë pikë", tha Moisiu. Si njeriu që gjatë gjithë kohës së tij si president u mundua të qëndronte mbi palët, Moisiu shprehet se duhej të ishte gjetur një zgjidhje. "Duhej të ishte gjetur një zgjidhje dhe besoj se zgjidhja do gjendet, për një gjithëpërfshirje të forcave politike në administratën zgjedhore", tha Moisiu. Por deputetët e grevës së urisë janë mbështetur edhe nga shkrimtari i njohur Dritëro Agolli. Patriarku i socialistëve i telefonoi kreut të LSI-së Ilir Meta dhe përmes tij përshëndeti dhe mbështeti të gjithë deputetët e ngujuar në grevë. Agolli i cilësoi deputetët grevistë revolucionarë. Duke komentuar kushtet brenda sallës së parlamentit në të cilën po zhvillohet greva, në mungesë të kushteve minimale, Agolli i cilësoi ato jo njerëzore. Sipas tij, greva është pjesë e demokracisë dhe si e tillë ajo duhet të respektohet. Ish-deputeti i PS, shkrimtari i mirënjohur, mendon se Partia Socialiste dhe Edi Rama nuk do qëndrojnë në heshtje ndaj kësaj greve. "Mendoj se PS do të bëjë diçka", shprehet Agolli.

personalitetet qe firmosen

1. Alfred Moisiu
2. Prof.Dr Rexhep Meidani
3. Dritëro Agolli
4. Prof.Dr. Sabit Brokaj
5. Prof. Dr. Limoz Dizdari
6. Prof. Dr. Ylli Popa
7. Tinka Kurti
8. Drita Pelingu
9. Kujtim Çashku
10. Frrok Çupi
11. Andrea Stefani
12. Mark Marku
13. Shaqir Vukaj
14. Remzi Lani
15. Albert Rakipi
16. Artur Zheji
17. Besa Imami
18. Mero Baze
19. Kim Mehmeti
20. Lutfi Dervishi
21. Baton Haxhiu
22. Armand Shkullaku
23. Prof. Dr. Shezai Rrokaj
24. Prof. Dr. Luan Omari
25. Agim Isaku
26. Elsa Ballauri
27. Ardit Gjebrea
28. Aleksander Cipa
29. Arban Hasani
30. Andi Bushati
31. Andi Tela
32. Fatos Lubonja
33. PhD Mentor Nazarko
34. PhD Zef Preçi
35. Ardit Gjebrea
36. Vera Grabocka
37. Andri Nurellari 
38. Ilva Tare
39. Zana Çela
40. Vera Isaku
41. Ylli Rakipi
42. Prof. Dr. Artan Godo
43. Prof.Dr. Anesti Kondili
44. Prof.Dr. Mihal Tase
45. Prof. Ass. Petrit Nathanaili
46. Prof. Agim Popa
47. Prof. Dr. Defrim Shkupi
48. Prof. Dr. Gazmend Shpuza
49. Prof Dr. Remzi Pernaska
50. Prof. Dr. Ali Xhiku
51. Prof. Dr. Pandeli Çina
52. Prof. Ymer Ciraku
53. Prof. Dr. Gjovalin Gruda                                                            
54. Prof. Dr. Edmond Dragoti
55. Prof. Dr. Adem Mezini
56. Prof. Dr. Llazar Haxhinasto
57. Prof Genc Burazeri
58. Prof. Artan Duka
59. Prof. Lavdosh Ferruni
60. Prof Ass. Dr. Gjergj Titani
61. Prof. Dr. Ajli Ajlushani
62. Prof. Dr. Jorgo Bulo
63. Prof.Dr Gjergj Sinani
64. Prof. Dr. Isa Gorica
65. Prof Dr.  Thanas Dhimarko
66. Prof. Ilir Gjylbegaj
67. Dr. Hasan Hoxha
68. Dr. Selim Belortaja
69. Dr. Zamira Çavo 
70. Petraq Risto
71. Frano Kulli
72. Rexhep Celiku
73. Aldo Shala
74. Enada At' Nikolla
75. Marko Bitraku
76. Ilir Sofroni
77. Sami Neza
78. Juli Xhokaxhi
79. Rubina Kola
80. Gerti Shella
81. Agron Cobani
82. Artur Zonja
83. Gjergj Buxhuku
84. Adrian Hila
85. Dr. Eva Hiskaj
86. Arjan Bregu
87. Altin Driza
88. Petrit Ymeri
89. Tonin Çobani
90. Gaqo Bushaka
91. Lindita Fortuzi
92. Koçi Petriti
93. Fatmir Toçi
94. Kujtim Gjonaj
95. Lili Cingu
96. Nasho Jorgaqi
97. Xhevahir Spahiu
98. Ylli Ziçishti
99. Genc Imeraj
100. Parashqevi Ylli
101. Ilir Gedeshi
102. Mihal Tase
103. Aldon Lipe
104. Leontiev Çuci
105. Eno Birko
106. Henri Çili
107. Rober Rakipllari
108. Roland Qafoku
109. Mirela Muça
110. Vilma Kolpeja
111. Irena Dono
112. Shefqet Dizdari
113. Zef Kovaçi
114. Hektor Ulqini
115. Erkand Qerimaj
116. Leonard Tase
117. Ymer Pampuri
118. Nikolla Buneci
119. Neptun Bajko
120. Dritan Lundra
121. Seit Fishta
122. Robert Papa
123. Sokol Morina
124. Sokol Kushta
125. Koco Mekrezi
126. Edmond Xhediku
127. Klement Kolaneci
128. Ylli Dylgjeri
129. Spartak Poçi
130. Detar Hysi
131. Arian Sukniqi
132. Xhevdet Mahila
133. Sadri Fetahu
134. Besim Boci
135. Loni Ndoni
136. Ramazan Isufi
137. Myzafer Kaci
138. Endrit Shehi
139. Agron Gjoka
140. Gani Kadiu
141. Doni Pengili
142. Dritan Rehovica
143. Gerond Hysi
144. Artur Toto
145. Matilda Kelmendi
146. Argjend Tafaj
147. Elona Brocaj
148. Nevila Caushi
149. Juxhin Profini
150. Moza Cuedari
151. Osa Metaj
152. Monika Fida
153. Ergys Cani
154. Dolores Bardhyli
155. Vjollca Larti
156. Din Abazaj
157. Sokol Morina
158. Artan Shyti
159. Luftar Petoshati
160. Tomor Zani
161. Kimete Grabocka
162. Ilir Progri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›