Drogë e armë në banesën e dy vëllezërve, arrestohen
Farë kanabisi dhe armë në shtëpitë e dy vëllezërve në fshatin Mafsheq të Krujës. Gjatë një kontrolli të ushtruar në dy shtëpi të njërit prej fshatrave që njihet si kultivues i bimës narkotike kanabis. “Në kuadër të masave që po ndërmerren nga shërbimet e policisë së Qarkut Durrës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, kontrollet në kushtet e flagrancës të kryera në dy banesa të zonës së Krujës, çuan në sekuestrimin e një sasie fare dhe një arsenali armatimi e municionesh luftarake”, bëri të ditur zëdhënësja e policisë së qarkut, Ornela Cako. Rezultatet e kontrollit kanë çuar në arrestimin e shtetasit Astrit Ferra, 38 vjeç, lindur në Mafsheq e banues në Fushë-Thumanë, pasi në banesën e tij u gjetën e u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 111.4 gram farë e dyshuar si farë bimë narkotike e llojit kanabis sativa, një automatik kallashnikov, një krehër me 30 copë fishekë dhe 6 arka me 4320 copë fishekë po të kalibrit 7.62 mm. I arrestuari akuzohet për veprat penale të prodhimit e shitjes së lëndëve narkotike dhe mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake. Në pranga është vënë edhe vëllai i tij, Hamit Ferra, 26 vjeç me banim në fshatin Shkozë e Bardhë të Komunës Thumanë Krujë, i dënuar më parë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 pistoletë dhe 23 fishekë luftarakë që i mbante pa leje. Në një thirrje publike, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës deklaroi se kontrollet e territoreve të predispozuara për kultivim bimësh narkotike do të jenë nën kontroll të vazhdueshëm nga strukturat policore këtë vit, prandaj ftoi banorët e tyre të mos kultivojnë bimët e ndaluara, pasi për kultivim të tyre sanksioni penal shkon deri në 15 vjet burg.
#