E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drogë në autobusin për Athinë,pranga 25 vjeçarit

GJIROKASTËR- Rreth 13 kg marijuanë e presuar është kapur në autobusin e linjës ndërkombëtare Fier-Athinë nga kontrollorët e Policisë së Kakavijes. Burimet zyrtare, pohojnë se poseduesi i marijuanës është arrestuar në flagrancë dhe ndaj tij rëndon vepra penale e trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Erijon Trifoni 25 vjec, emigrant në Athinë kishte siguruar sasinë e marijuanës në kohën kur ndodhej tek të afërmit e tij në Fier dhe kishte për qëllim ta conte drejt kryeqytetit grek duke fituar nga shitja e saj rreth 13 mijë euro.

Për të mos rënë në sy, ai kishte zgjedhur të udhëtonte jo me mjetin personal, por me linjën e autobuzit nga Fieri drejt Athinës që i përkliste shoqërisë Likometaj. Lëvizjet e 25 vjecarit fierak, dukej se ishin diktuar nga Policia e Shtetit, e cila ishte vënë në lëvizje për të bllokuar trafikun ndërkombëtar të marijuanës. Ka qenë ora 23:00 e të premtes ku në Kakavije mbërriti autobuzi i cili transportonte marijuanën së bashku me disponuesin e saj. Sapo është afruar në qendrën e kontrollit fizik të mjeteve, autobuzi është kontrolluar imtësisht nga shërbimet e Policisë Kufitare përfshirë edhe kontrollin e të gjitha çantave dhe valixheve që ndodheshin në bagazhin e tij dhe ky veprim është ndërmarrë në prezencë të çdo pasagjeri.

Në fund të kontrollit, ka mbetur pa zot një valixhe brenda të cilës kishte sasinë e marijuanës. Pas disa minutave policët kufitarë, arritën të identifikonin 25 vjecarin fierak si personin që kishte në pronësi valixhen së bashku me mallin narkotik në brendësi të saj. Në momentin final, i riu, ka arritur të shkruajë një sms me destinacion një numër shqiptar, ku lajmëronte një individ se e kapën së bashku me drogën. Pasi është vërtetuar se droga i përkiste Trifonit, ai është arrestuar menjëherë dhe materialet u përcollën për ndjekje penale në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në kryeqytet.   PIRO NASE

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›