Frattini: Integrimi i Shqipërisë në BE nuk mund të presë

Ministri i Jashtëm italian Franco Frattini ka ripërsëritur qëndrimin e vendit fqinj për zgjerimin e BE me Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit. Italia mbështet mbajtjen e një samiti të BE-së, me praninë edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të jepej një mesazh i qartë dhe konkret për anëtarësimin në Union të vendeve të Ballkanit.
Vendi fqinj Italia rikonfirmon mbështetjen e saj ndaj integrimit të shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini, deklaron se Italia është në favor të thirrjes së një samiti të kryeministrave të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, për t’i dhënë një mbështetje konkrete procesit të zgjerimit të Evropës së Bashkuar drejt Ballkanit. Frattini ka deklaruar se nga vendet e rajonit, Shqipëria, Serbia, Malit i Zi dhe Bosnje Hercegovina, duhet të punojnë fort për ta parë vetën në këtë union.
“Italia ka mbështetur gjithnjë idenë se BE duhet të zgjerojë hapësirat e saj duke futur në union edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse stabiliteti i rajonit është ngushtësisht i lidhur me progresin drejt BE-së”, tha Frattini.
Sipas tij, vendet anëtare të BE bashkë me SHBA, do të jepnin nxitje konkrete dhe të qartë për anëtarësim të vendeve të Ballkanit në BE.
“Italia ishte i vetmi vend nga ‘pjesa perëndimore’, ndër anëtarët e BE-së, që me shkrim ka insistuar heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e rajonit”, ka deklaruar diplomati italian.
Takimi mund të mbahet vitin e ardhshëm, 10 vjet pas samitit të Zagrebit, ku nisi procesi i avancimit të Ballkanit drejt Unionit.
Duke folur për gazetën “Veçernji Novosti”, kryediplomati italian tha se edhe heqja e vizave me këto vende do të forcojë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin ekonomik mes rajonit dhe vendeve të Bashkimit Evropian dhe do t’u japë mundësi të reja të dyja palëve.
Ndërkohë, i pyetur në lidhje me heqjen e vizave me Kosovën, Frattini mohoi çdo sugjerim se BE synon ta përjashtojë shtetin e ri nga ky proces. “KE është në bisedime e sipër me zyrtarët e qeverisë serbe për të zgjidhur problemin e lëshimit të pasaportave për qytetarët serbë në Kosovë”, tha ai.
Për Serbinë, Fratini tha se pavarësisht rekomandimit të komisionit për heqjen e vizave, asgjë për të nuk përfundon, pasi më parë duhet bashkëpunojë me Komunitetin Evropian dhe të arrestojë me çdo kusht të shumëkërkuarin për krime lufte, Ratko Mladiçin, çka do të përcaktojë edhe kursin e integrimit evropian të saj.
Pak ditë më parë, ministri italian akuzoi zyrtarët e Brukselit, për burokracira të panevojshme, lidhur me shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë, për statusin e vendit kandidat në BE. “Shqipëria nuk mund të presë. Brenda periudhës së verës, duhet të aprovohet kërkesa e Shqipërisë në BE. Brukselit të mos fshihet pas formaliteteve, por duhet t’u përcaktohet koha e saktë vendeve të Ballkanit perëndimor për të qenë pjesë e integruar e BE-së”, u shpreh Frattini, duke i dhënë një mesazh të qartë Brukselit, se mbajtja peng e zgjerimit të unionit me Shqipërinë dhe vendet e rajonit, nuk i shërben Bashkimit Evropian.
...