E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dua të bëhem si Messi

Sulmuesi i Manchester Unitedit, Wayne Rooney synon të bëhet si ylli i Barcelonës, Lionel Messi. Reprezentuesi anglez beson dhe shpreson se mund të arrijë në shkallën e argjentinasit, për të cilin thotë se është me meritë futbollisti më i mirë në botë. Ndërsa për ekipin e tij thotë se ka prioritet të mbrojë titullin e kampionit në Premierligë. Nga Express më 23 korrik 2011 në ora 09:48

Ylli i Manchester Unitedit dhe i Kombëtares angleze, Wayne Rooney dëshiron të bëhet futbollist i mirë si Lionel Messi. Argjentinasi i Barcelonës u zgjodh futbollisti më i mirë në botë për dy vite të njëpasnjëshme dhe konsiderohet njëri prej lojtarëve më të mirë në histori.

Rooney dhe Messi u përballën mes vete në finalen e Ligës së Kampionëve në maj, kur të dy shënuan, por argjentinasi ishte njëra prej arsyeve kryesore që Barcelona fitoi 3-1. Rooney kuptoi se nuk është në të njëjtën shkallë me Messin dhe tani synon të arrijë standardin e 24 vjeçarit.

“Messi është futbollist i mirë, me meritë futbollisti më i mirë në botë. Për çdo futbollist, jo vetëm mua, ai është synimi të cilin dëshironi ta arrini dhe shpresoj ta bëj këtë. Dua të paraqitem mirë dhe e di se gjithmonë mund të përmirësohem. Punoj shumë çdo ditë për t’u munduar të arrij në atë shkallë dhe do të ishte mirë për mua, por edhe për klubin nëse ia dal”, tha Rooney.

Pavarësisht disfatës nga Barcelona në finalen e Ligës së Kampionëve, Manchester United triumfoi në Premierligë duke fituar titullin rekord të 19-të. Rooney konfirmoi se mbrojtja e titullit do të jetë objektivi kryesor në sezonin e ri.

“Kur luani në një klub si Manchester United, synimi është të fitoni të gjitha garat. Është e vërtetë se prioriteti ynë është të mbajmë titullin e Premierligës, por nuk mund të injorojmë asnjë garë. Ne duam të fitojmë të gjitha, duke filluar nga Community Shield (kundër Manchester Cityt). Nuk ka asgjë më mirë se të fillojmë sezonin me një derbi”, shtoi ai.

Manchester City përfundoi pritjen 35 vjeçare për titull, duke triumfuar në FA Cup sezonin e kaluar dhe si rezultat do të takohet me rivalin e qytetit, kampionin Manchester United në Community Shield në Wembley, më 7 gusht.

Me triumfin në Premierligë në sezonin e kaluar, Manchester United tejkaloi Liverpoolin me numrin e titujve të fituar. Por, Rooney pret që rivali nga Anfield Road të paraqitet si kandidat për titull në sezonin e ri.

“Mendoj se Liverpool do të jetë kandidat kësaj radhe. Ata kanë bërë disa përforcime shumë të mira, futbollistë anglezë dhe nën drejtimin e Kenny Dalglish jam i sigurt se do të luftojnë më fortë se deri më tani. Ata do të mendojnë se kanë shanse të fitojnë titullin”, përfundoi ai. Sigurisht se Rooney do të bëjë gjithçka për ta parandaluar këtë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›