Nijmegen pret përgjigje për Fejzullahun nga Majllby

Erton Fejzullahu mund të rikthehet në futbollin suedez, respektivisht në skuadrën e Mjallbyt, aty ku edhe bëri emër. Skuadra holandeze NEC Nijmegen ka pranuar disa oferta për sulmuesin shqiptar, i cili sipas gjitha gjasave pritet të largohet nga futbolli holandez.
Sipas drejtorit sportiv të Nijmegen, Carlos Aalbers, njëra nga skuadrat e interesuara për 23 vjeçarin është Majllby. Ai tregon se kanë biseduar me drejtuesit e klubit suedez dhe po pret një përgjigje.
“Ne kemi folur me njëri-tjetrin dhe tani jemi duke pritur një përgjigje”, ka theksuar Carlos Aalbers për ueb faqen suedeze kristianstadsbladet.se
Por, në anën tjetër kryetari i Majllbyt, Jorgen Martinsson, ka qenë i rezervuar rreth kësaj. “Ky është spekulim, ne jemi duke punuar me disa emra tjerë”, ka thënë ai.
Fejzullahu ka kontratë me klubin holandez deri në vitin 2013. Por, NEC Nijmegen është i gatshëm ta japë sulmuesin kosovar edhe huazim. NEC kështu kishte vepruar edhe gjatë dimrit, kur e huazoi reprezentuesin U21 të Suedisë në klubin danez Randers.
Fejzullahu është pjesë e NEC Nijmegen që nga vera e vitit 2009, kur ishte transferuar nga Majllby.
Mirëpo, deri më tani 23 vjeçari nuk ka pasur eksperiencë të mirë në futbollin holandez, ku vuajti edhe nga lëndimet.