E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vieira dyshon në fuqinë e Arsenalit

Nga Express më 23 korrik 2011 në ora 13:49

Patrick Vieira beson se ekipit aktual të Arsenalit i mungon përparësia fizike, që shënoi epokën e suksesshme të tij në klub.

Arsenali ka kaluar gjashtë sezone pa fituar asnjë trofe prej kur Vieira, i cili bëri 406 paraqitje për londinezët, shënoi penalltinë vendimtare në finalen e FA Cup 2005.

Kjo ishte ndeshja e fundit e 35 vjeçarit për Arsenalin dhe derisa ekipi me kalimin e viteve ka ndërtuar një stil të lojës së bukur, ai sugjeroi se dështimi për të frikësuar kundërshtarët i ka kushtuar atyre me tituj.

“Prej kur jam larguar nga Arsenali, kanë ardhur futbollistë të rinj, një gjeneratë e re dhe ndoshta filozofi e re sepse Arsenali luan futboll më të mirë nga koha ime”, tha Vieira i cili javën e kaluar u emërua ambasador i trajnerëve në Manchester City pas pensionimit të tij.

“Pasimet dhe lëvizjet janë më të mira dhe më të shpejta. Por, ekipi ynë ishte më fizik dhe iu përgjigj më mirë futbollit anglez. Ekziston një dallim i madh mes ekipit të tanishëm të Arsenalit dhe atij në të cilin kam luajtur unë. Shikojeni portierin e atëhershëm, ne kishim personalitet dhe prezencë nga David Seaman. Në mbrojtje ishin futbollistë si Tony Adams, Steve Bould dhe Martin Keown e më pas unë e Emmanuel Petit në mesfushë, ishim të mëdhenj, fizikë, ekip i frikshëm”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›