Bolt nuk është në formë

Kampioni aktual i botës dhe i dyfishtë olimpik, sprinteri Usain Bolt ka thënë se nuk është në formën e tij më të mirë të rekordeve. Xhamajkani 24 vjeç shënoi kohërat më të mira në botë më 2008 dhe 2009, ndërsa ka munguar në pjesën më të gjatë të vitit 2010 për shkak të lëndimit.
“Jam larg nga 9.58 sekonda. Nuk dua të gënjej veten dhe të them se do të arrij aty. Nuk do të ndodhë këtë sezon”, tha ai. “Mund të arrij në 9.6 ose 9.7, jam duke punuar rreth kësaj. Por, 9.58 nuk është një shaka”, shtoi ai.
Bolt vrapoi 9.69 kur fitoi medaljen e artë në Olimpiadën e Pekinit, ndërsa regjistroi 9.58 kur fitoi të artën në Kampionatin botëror një vit më vonë. Por, sezoni i tij 2010 u shkurtua nga lëndimi në shpinë dhe në thembër, gjë që bëri që ai të mungojë në Commonwealth Games dhe kohën më të mirë më 2010 e ka 9.91.
Bolt tha se është duke punuar rreth rrjedhshmërisë dhe teknikës para Kampionatit botëror në Daegu, Koreja e Jugut muajin e ardhshëm.
“Është shumë vështirë të ktheheni nga lëndimi. Ju duhet të merrni kohë dhe të punoni ngadalë. Dua të vrapoj shpejt dhe gjithnjë e më shpejt që është e mundur. Gjithmonë jam i gatshëm për sfida”, përfundoi ai.