Dua të njihem si Eno Koço
Do të donte ta kujtonin për punën që ka bërë, por ja që mendimit popullor nuk ke ç’i bën. Kudo e prezantojnë si djali i Teftës. Eh, nuk i vjen keq, por jo rrallë herë e vret mendjen për të gjetur arsyen. Eno Koço është një nga dirigjentët më të mirë shqiptarë. Prej vitesh jeton në Angli, por lidhjet me Shqipërinë i ka të forta. Madje, tashmë që ndjen se koha ikën, e ndjen veten më të lidhur me vendin dhe vizitat i ka edhe më të shpeshta. Erdhi në Tiranë, për të drejtuar një koncert me muzikë nga Beethoven, por edhe për të krijuar ca lidhje të nevojshme. Në një intervsitë për “Shekullin” Koço tregon për jetën e tij në Angli, studimet për historinë e muzikës, kujtimet e fëmijërisë, frikërat dhe dashuritë e tij. E ndërsa flet, njeriu, që jeta i ka mësuar shumë, pa e kuptuar përçon tek bashkëbiseduesit një energji dhe optimizëm të jashtëzakonshëm.
U bënë vite tashmë që jeni larguar nga Shqipëria, na thoni cila është jeta juaj në Angli?
Ndonëse jetoj në Angli, marrëdhëniet me Shqipërinë i kam të rregullta. Tre herë në vit vij, bëj koncerte, apo marr pjesë në aktivitete në fushën e muzikologjisë. Kohën që harxhoj atje e kam 100% për Shqipërinë, aq sa fëmijët më thonë: baba, ti vetëm trupin ke në Angli, sepse kokën e ke andej. Është tema, për të cilën punoj që më lidh edhe më tepër me vendin. Për 10 vjet u mora me këngën qytetare në periudhën osmane, pastaj me këngët qytetare të kënduara gjatë viteve ’30. Ç’janë këto këngë, nga kanë ardhur, janë tonat, apo i kanë dhe të tjerët, janë të Lindjes, si kanë ardhur tek ne…? Pastaj mendova të merrem me një periudhë më të herët, paraosmane, bizantine, kur strukturohet kënga jonë, më së shumti kënga e jugut. Ky është subjekti i librit tim të dytë, që nuk guxoj ta botoj. Kam nxjerrë copëza nëpër konferenca, për të matur pak “pulsin”. Jam marrë shumë me këngën liturgjike dhe popullore të arbëreshëve. Jemi marrë me këtë të fundit, sepse kënga liturgjike është pak “fushë e minuar”, ndërsa mua më është dashur të merrem me të vërtetën e gjërave. Dhe them se më mirë se ç’është ruajtur geni shqiptar në kishën arbëreshe, nuk është ruajtur askund tjetër. Ndërsa në popull ndihet ndikimi i vendit, ku u vendos, në kishë, është ruajtur me fanatizëm kënga e marrë me vete para pushtimit osman. Është një fushë gati e pa hulumtuar.
Si nisët të merreni me historinë e muzikës?
Është aksidentale. Në kohën kur shkova në Angli nuk kisha një status (ekonomik, politik), kështu që më duhej të bëhesha student në moshë të madhe. Zgjodha si temë Lirikën qytetare të viteve ’30, periudha e prindërve të mi, që unë e njoh mirë, madje njoh një pjesë të bashkëmoshatarëve të tyre, që nga Poradeci, Kuteli… Mendoj të shkruaj disa prej këtyre kujtimeve. Fatmirësisht kam mbajtur shënime. Nuk i kisha prindërit dhe merrja sa më shumë informacion për periudhën, kur ata jetuan. Kuteli fliste shumë hapur me mua. Isha 19-20 vjeç atëherë, kur më ftonte në shtëpi, madje më përgatiste dhe kafenë. Kjo ishte shtysa e parë. Pas doktoraturës, nisa të bëja të tjera studime. Fillova të shkruaja për këngën karakteristike korçare, nga kam rrënjët. Mirëpo është temë e bukur shumë, që të tërheq. Sa më thellë hyn, gjen fakte të tëra dhe kupton se duhen thënë gjëra që janë thënë ose ndryshe, ose nuk janë thënë me plot gojën. “Bukën” e kam fituar me dirigjim, por 90% të kohës e kaloj me studimin e historikut të muzikës shqiptare.
Le të kthehemi pak pas në kohë… Cili është kujtimi më i hershëm që ju vjen në mend?
Kam pasur një fëmijëri të brishtë. Nga mosha 4-14 vjeç nuk do të shkëpusja asgjë interesante. Më tej nis diçka më interesante. Kur isha pionier (nuk isha i dalluar, por më futën ashtu…) shkova në Bullgari, ku pashë që kishte dhe qytetërim tjetër veç Shqipërisë. Pastaj një vit më vonë shkova tek halla ime në Rumani. Nuk e dija që ajo ekzistonte. Ai është momenti që ndryshoi jetën time. Pashë një njeri që më donte shumë. Ajo kishte vite që kishte humbur kontaktet me vëllanë e saj, nuk e dinte që unë kisha lindur. Nga pikëpamja jetësore ky ishte momenti më i bukur. Unë nuk e dija ç’ishte dashuria dhe s’ma hante mendja që mund ta doja aq shumë. Në moshën 16 vjeç shkova në Bashkimin Sovjetik, ku filloi jeta ime me muzikën, ku mora principet e edukimit, të të menduarit, të punës. Një periudhë shumë e domosdoshme. Edhe kur u ktheva këtu, nuk u shkëputa nga kjo mënyrë pune. Këtë vit me rastin e ditëlindjes, familja vendosi të më çojë në San Petersburg. Shkova tek shkolla e muzikës dhe asgjë nuk kishte ndryshuar që atëherë.
Nëse do të kishit mundësi ta rijetonit jetën nga e para, çfarë do të ndryshonit?
Tashmë asgjë nuk mund të ndryshojë, ndaj nuk do të doja ta mendoja. Ndoshta fëmijërija… Por unë jam i kënaqur. Kam pasur fëmijëri të vështirë, por më ka bërë më të fortë. Më vonë, pas viteve ’60 kisha një dajë, “armik i Partisë dhe Popullit”, Koço Tashko. Nga njëra anë ishte Tefta, nga ana tjetër Koço dhe nuk e dija nga anonte balanca. Ishte një periudhë që zgjati shumë. Kjo më bënte mua si njeri, jo të vendosur, jo të qartë. Çdo gjë duhet ta bëja…, jo me një dyzim agresiv. Nuk u bëra anëtar partie dhe nuk isha tepër i zellshëm për të treguar devotshmërinë time ndaj sistemit. Veçse isha shumë i kujdesshëm. Më pëlqen ajo ç’ka thënë Kristo Frashëri: “e gjithë kjo më ka kushtuar 280 lekë, sa një dryn, që ia vura gojës e nuk fola më”. Më vonë jeta rrodhi normalisht. Nuk kanë fund ato që do njeriu të bëjë, por unë ndihem mirë.
Cili është mësimi më i mirë që jeta ju ka dhënë?
Jetën e kam filluar me shumë vështirësi dhe mësimi më i mirë ishte të rezitoja dhe të përballoja situata të ndryshme. Vendosmëria për të arritur një gjë të caktuar, dëshira për të ecur në gjurmët e prindërve.
Për çfarë iu detyroheni prindërve tuaj?
Mua edhe sot më njohin më shumë si djalin e Teftës se sa për punën time, edhe pse kam gati dyfishin e jetës që jetoi ajo.. U detyrohem sepse kanë qenë patriotë, jo në kuptimin nacionalist, por sepse dhanë kontribut, lanë vendet nga ishin për të ardhur në Shqipëri, ndryshe nga unë që ika jashtë.
Thatë se vazhdojnë t’ju quajnë djali i Teftës, por si do të donit t’ju kujtonin?
Do të doja të kisha emrin tim, për punët që kam bërë, por s’ke ç’i bën. Dhe jo vetëm mua, por edhe timë bijë e thërrasin mbesa e Teftës. Mendimit popullor s’ke çi bën. Dhe nuk di ta shpjegoj.
Cila është pasuria juaj më e madhe?
Familja, por edhe ana intelektuale.
Cila është frika juaj më e madhe?
Frika ime më e madhe është mos më zhduken materialet që kam në kompjuter. Mundohem t’i ruaj në shumë mënyra. Më duket një panik i jashtëzakonshëm. Është puna e gjithë jetës dhe më duhet të marr të gjitha masat që kjo të mos ndodhë.
Çfarë ju bën të qeshni?
Budallallëqet e shumta që dëgjoj. Gënjeshtrat që shiten si të vërteta nëpër televizione. Kjo më bën të qesh, por edhe më nervozon. Nga pikëpmja e vërtetë e të qeshurit, më pëlqen humori në fjalë, jo në gjeste, në kontekst, në veprimin e fjalës. Më shumë të nënqesh (nuk qesh me zë të lartë). Më pëlqen humori anglez. Në fillim nuk e kuptoja, por tani më pëlqen.
Kur keni qarë për herë të fundit?
Në shtëpi çuditen se si nuk më kanë parë ndonjëherë të qaj. Nuk e mbaj mend kur kam qarë për herë të fundit. Thjesht mund të kem pasur ndonjë moment mallëngjimi. Nuk e di, kur vdiq Ledi Djana, pata një lloj prekjeje. Dhe tani që e mendoj, çuditërisht, lotova pak dhe nuk e mbajta dot veten, në koncertin që organizuam vjet në Korçë, ku Teuta këndoi “Perëndeshën e bukurisë” me Grupin “Lira”. E çuditshme si ndërrohen brezat. Ata të moshuar nga 80, apo 90 vjeç dhe Teuta e re, që këndonte me ta..
Si do ta përkufizonit sot dashurinë?
Në mendje më vjen halla. Kur takova atë, kuptova se kishte edhe një njeri që më donte. Ajo dukej sikur rrezatonte dhe ishte e vëmendshme ndaj çdo gjëje që bëja dhe të them të drejtën për mua, dashuria e hallës, ka mbetur simboli i dashurisë humane. Madje librin e parë që kam shkruar ia kam dedikuar hallës.
Çfarë libri i dedikuat asaj?
Bëhet fjalë për librin “Tefta dhe koha e saj”, të cilin do të doja ta zgjeroja. Është shkruar edhe më parë për Teftën, por atëherë gjërat glorifikoheshin, ndoshta ishte nevojë e kohës për heronj. Shumë gjëra u zmadhuan edhe për Teftën. U shkrua sikur Tefta ka dhënë koncerte në fshatra, pastaj një pikturë ku e hipën në qerre, më vonë filmi me Lushnjen. Dhe vazhdoi kjo puna e qerres… Por duhet të themi të vërtetën, që Tefta nuk ka shkuar ndonjëherë në fshat. Sigurisht ka dhënë koncerte në Fier e Lushnje, por ishin qytete atëherë, sado provinciale. Nuk di të jenë transportuar piano me buaj. Kështu që në librin që shkrova janë vetëm fakte reale. Bazohet mbi korrespondencën, letra, shkrime nëpër gazeta, opinione dhe aty-këtu shënime që kam mbajtur nga bashkëkohësit. Pra hallës i dedikova një libër për nënën, të zhveshur nga emocionet, por vetëm me fakte.
Cili është kompozitori juaj i preferuar?
Moxart! E padiskutueshme. Në Angli e kanë zakon, që kur vdes, të përcjellin me muzikë dhe unë dua Moxart. I ka të gjitha, dramën, tragjedinë, bukurinë, lirikën, ndjeshmërinë, fisnikërinë, hyjnoren… Gjithçka.