E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duam t’i zhdoganojmë mallrat dhe në Shkodër

27/05/2010 Tregtarët shkodranë peticion qeverisë

SHKDOER- Tregtarët shkodranë që importojnë mallra nga jashtë po hasin prej kohësh vështirësi për nxjerrjen në kohë në treg artikujt e aktivitetit të tyre. Shkak është bërë detyrimi i tyre për të zhdoganuar mallrat në doganat e qyteteve te tjera të vendit, ndërkohë që në Shkodër ekziston një doganë, madje e emërtuar rajonale. Sipas këtyre tregtarëve, kjo mënyrë e funksionimit të zhdoganimit të mallrave po u sjell shumë humbje. Nisur nga ky fakt ata i kanë dërguar një peticion qeverisë, me anë të të cilit i kërkojnë kalimin e së drejtës së zhdoganimit të mallrave në doganën rajonale të Shkodrës, që përfshin veprimet për gjithë rajonin verior të vendit, duke filluar nga rrethi i Kukësit deri në rrethin e Lezhës. Peticioni është dërguar nga tregtarët shkodranë, të cilët i sjellin mallrat e tyre kryesisht nga Kina dhe Turqia nëpërmjet portit të Tivarit të malit të Zi. Pas hyrjes në doganën e Hanit të Hotit, tregtarët shkodranë duhet të nisen në njërën prej doganave, të Durrësit,Tiranës, Elbasanit, apo Fierit për zhdoganimin e mallrave të tyre. Kjo procedurë zhdoganimi ka ardhur pasi në shtator të vitit 2009, Drejtoria e përgjithshme e Doganave të Shqipërisë ka nxjerrë një urdhër, me anë të të cilit përcakton se duhet të jenë vetëm këto dogana që do merren me mallrat që vijnë në vendin tonë nga Kina apo Turqia. Në këtë mënyrë tregtarët e zonës së Shkodrës duhet të shpenzojnë më shumë karburant dhe pagesa punonjësish, duke shkuar në doganat e qyteteve të tjera dhe normalisht edhe për t’u rikthyer. Për më tepër një kosto mjaft e madhe për tregtarët e zonës së Shkodrës është dhe koha e humbur për vajtjen dhe qëndrimin në radhë të gjatë të doganave të qyteteve të tjera. Pikërisht kanë qenë këto dhe arsyet e dërgimit të një peticioni qeverisë shqiptare, për të bërë të mundur heqjen e urdhëresës së Drejtorisë së përgjithshme të Doganave dhe lejimin e Drejtorisë rajonale të Doganës Shkodër për zhdoganimin e mallrave që vijnë nga Turqia e Kina dhe futen në vendin tonë nga pika doganore e Hanit të Hotit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›