E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, Kushtetuesja shfuqizon dy nene

27/05/2010 Gjykata pranon kërkesën ankimore të Gjykatës së Lartë për ligjin

Pakica në trupin gjykues vlerëson se çështja duhej pushuar

Drejtori i përgjithshëm i AKKP-së nuk do të mund të marrë në shqyrtim edhe vendimet e ish-KKKP, aq më tepër pa asnjë kufi kohor. Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar dy nenet që lidheshin pikërisht me të drejtat e këtij organi, pas kërkesës së depozituar pranë tij nga Gjykata e Lartë dhe nga Avokatit i Popullit. “Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të neneve 15 pika 1, germat c, ç, d, dh dhe 16 të ligjit nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar me ligjin nr. 10207, datë 23.12.2009, “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.07.2004 ‘Për kthimin dhe kompensimin e pronës’ i ndryshuar”, ishte vendimi i Kushtetueses publikuar në faqen zyrtare. Vendimi është marrë me shumicë votash, pasi dy anëtarë të kësaj trupe gjykuese janë shprehur kundër. Dispozitat që u kërkuan nga Gjykata e Lartë të shfuqizohen sipas subjektit kërkues, me kompetencat që i japin drejtorit të përgjithshëm të AKKP-së, cenojnë parimin e sigurisë juridike. Gjithashtu subjektet e shpronësuara dhe Avokati i Shtetit nuk mund të kundërshtojnë vendimet e ish-KKKP pa asnjë afat kohor. Shkak për këtë kërkesë është bërë refuzimi i të drejtës së një subjekti për të ankimuar vendimin e AKKP-së për të rishqyrtuar një vendim të ish-KKKP-së, me pretendimin se drejtori i përgjithshëm i AKKP-së ka disponuar në lidhje me një çështje që ishte zgjidhur më parë me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe për rrjedhojë, akti i nxjerrë prej tij është absolutisht i pavlefshëm. “Zbatimi nga një organ administrativ si AKKP-ja i parimeve të revokimit dhe shfuqizimit të akteve të ish-KKKP është i pabazuar, pasi mungon një interes i ligjshëm shtetëror dhe aktet që shfuqizohen ose revokohen nuk janë akte tipike administrative të një organi tipik administrativ. Drejtori i AKKP-së është një organ në vartësi të Këshillit të Ministrave, dhe në këtë kuptim vendimi i marrë prej tij për të ndërhyrë mbi interesa civile të shtetasve, në kuptim të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, është i pajustifikuar”, thuhet në vendim. Duke qenë se procesi i rishikimit të vendimeve të KKKP-ve, vijon vendimi, kryhet në kushtet e mungesës së interesit publik, duke zbatuar norma të së drejtës publike, të cilat janë të papërshtatshme për të rregulluar të drejta subjektive të shtetasve, kemi për rrjedhojë edhe një cenim të nenit 42/1 të Kushtetutës. Sipas Gjykatës Kushtetuese, është detyrim kushtetues për gjykatat që të zgjidhin konfliktet gjyqësore për të cilat investohen. Lidhur me pretendimin e Avokatit të Popullit për cenim të neneve 5 dhe 7 të Kushtetutës, Gjykata arriti në përfundimin se këto pretendime nuk janë ngritur në nivel kushtetues. Sipas përcaktimit të nenit 3, që ndryshon nenin 16 “AKKP-ja përfundon shqyrtimin e ankimeve kundër vendimit të njohjes së të drejtës së pronësisë, të kthimit ose kompensimit të pronës, si dhe të të drejtave të tjera reale të ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qarqe, të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe të ish-komisioneve të rretheve a bashkive për kthimin ose kompensimin e pronave ish-pronarëve. AKKP-ja mund të shqyrtojë me nismën e vet vendimet e dhëna nga zyrat rajonale të AKKP-së, të cilat për shkak të shkeljeve flagrante të ligjit të kohës, i bëjnë këto vendime absolutisht të pavlefshme”.

Mendimi i pakicës

Gjyqtarët Vladimir Kristo dhe Admir Thanza ishin kundër vendimit të shumicës. Sipas tyre, në çështjen objekt shqyrtimi nuk ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë ndërmjet kushtetutshmërisë së neneve 16 dhe 18 të ligjit nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i ndryshuar, dhe zgjidhjes së çështjes konkrete. Për rrjedhojë, Gjykata e Lartë nuk legjitimohej për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, në rrugën e kontrollit incidental të normës. Duke iu referuar vendimit të kolegëve të tyre, ata deklarojnë se ajo vjen në kundërshtim edhe me jurisprudencën tashmë të konsoliduar të kësaj Gjykate, që ka të bëjë me qëndrimin e mbajtur më parë për raste të ngjashme. Për këtë, ata përmendin vendimin nr. 4, datë 12.02.2010, me të cilin njëzëri kjo Gjykatë vendos pushimin e gjykimit të çështjes lidhur me papajtueshmërinë me Kushtetutën të disa dispozitave të ligjit nr. 9831, datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, me arsyetimin se gjatë shqyrtimit të çështjes ligjvënësi miratoi një ligj të ri, që ndryshonte dispozitat objekt shqyrtimi. “Në zbatim të Kushtetutës e ligjit dhe në respekt të jurisprudencës së saj, Gjykata duhet të kishte vendosur edhe për çështjen në fjalë pushimin e gjykimit”, thuhet në vendim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›