E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedohen penalisht, falsifikuan dokumentet për pension

27/05/2010 Hiqet nga puna dhe procedohet një punonjëse e sigurimeve shoqërore

DURRES- Dega e sigurimeve shoqërore në Durrës ka plotësuar dosjen dhe ka dërguar në Prokurori punonjësen e saj Mefite Xh., pasi ajo ka favorizuar në mënyrë të kundërligjshme disa qytetarë. Gruaja 48-vjeçare banuese në lagjen numër 16, me arsim të mesëm e punësuar në degën e sigurimeve është pezulluar nga puna deri sa të shprehet drejtësia për veprimtarinë e saj. Ndërkohë i është hequr e drejta e përfitimit të pensionit të invaliditetit shtetasit Nuhi Cerku 53 vjeç lindur e banues në Gjepalaj të Durrësit. Ky shtetas ka plotësuar në mënyrë fiktive disa nga dokumentet e dosjet për pension. Shtetasi në fjalë kishte nisur të merrte pension si invalid një vit më parë, ndërsa fiktiviteti për të cilin dyshohet është zbuluar pas kontrollit të bërë në regjistrin përkatës. Ka qenë një informacion që ka shkuar në sirtarin e drejtorit të degës së sigurimeve që ka shtyrë inspektorët të bllokojnë fillimisht dosjen e shtetasit Cerku, duke nxjerrë në pah falsifikimin që ka bërë punonjësja e sigurimeve. Shtetasi 53-vjeçar ka mundur të përftojë nga kjo punonjëse një vërtetim të sigurimeve shoqërore për vitet e punës me ndryshime të dhënash. Pikërisht ndryshimi i këtyre të dhënave të bëra në fletën e regjistrit ka dërguar në Prokurori punonjësen e arkivit në degën e sigurimeve shoqërore në Durrës dhe pensionistin nga Gjepalaj. Një vit më parë sigurimet shoqërore në Durrës pas një kontrolli të hollësishëm të disa dosjeve u kanë hequr përfitimin e pensionit të pleqërisë 27 personave. Kjo kategori është përballur me drejtësinë duke hyrë në dyert e gjykatës për disa muaj rresht. Drejtues të këtij institucioni shumë të përfolur për veprime abuzive kanë urdhëruar këqyrjen e shumë dosjeve të dyshimta për përfitim të paligjshëm të pensionit të pleqërisë apo të pensionit të invaliditetit. Deri në fund të vitit të kaluar janë parë një nga një 270 dosje, ndërsa kjo punë ka vazhduar edhe gjatë këtij viti. Sipas pohimeve zyrtare që vinë nga sigurimet shoqërore thuhet se numrin më të madh të përfituesve të paligjshëm e kanë kategoria që kanë plotësuar dosjet si të punësuar në nëntokë e më pas ata të invaliditetit. Në falsifikim janë përfshirë disa institucione. Disa punonjës të gjendjeve civile kanë lëshuar certifikata të parregullta duke ndihmuar personat të rrisin fiktivisht moshën e tyre. Edhe arkivat apo zyrat e personelit në disa ndërmarrje e institucione kanë bërë të njëjtën gjë duke lëshuar vërtetime pune të pambështetur realisht në bordure. Një pjesë e vulave të vjetra të ish-ndërmarrjeve i kanë shpëtuar asgjësimit dhe kjo ka ndikuar në jo pak raste në rritjen e shifrave të abuzimeve. Në degën e sigurimeve shoqërore është thënë se një pjesë e ndërmarrjeve të dyshuara për veprime abuzive janë shkrirë dhe dokumentacionet në arkiva janë të pasistemuara

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›