Humb jetën ish-deputeti i PS-së, Lekë Çukaj
Një aksident automobilistik i ka marrë jetën ish-deputetit të Partisë Socialiste, Lekë Çukaj, dje në mbrëmje, në "Autostradën e vdekjes". Bashkë me ish-deputetin ka vdekur edhe një person tjetër, bashkëqytetar me të ndjerin Lekë Çukaj, Hasan Guçi, nga Shkodra. 60-vjeçari Çukaj, babai i dy fëmijëve, ka qenë viktimë e një aksidenti të tmerrshëm që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:30 në aksin rrugor Tiranë-Fushë Krujë. I ndodhur në automjetin e tij "Mercedes" gri, me targë TR8959, ish-deputeti socialist po udhëtonte drejt Shkodrës i vetëm, kur në segmentin rrugor ndërmjet Niklës dhe Tapizës është përplasur me një makinë të zezë, po "Mercedez benz" me targa të Shkodrës Sh0252E. Rrethanat e aksidentit nuk janë sqaruar ende, pasi policia nuk ka përfunduar të gjitha ekspertizat. Por në pamje të parë mund të thuhet se karamboli ka qenë fatal, pasi të dyja makinat janë shkatërruar keqas në pjesët e përparme dhe anësore të tyre, madje automjeti që drejtonte i ndjeri Hasan Guçi ka përfunduar në kanalin ndanë rrugës dhe sipas të gjitha gjasave ka kryer disa rrotullime. Ndërsa automjeti që drejtonte ish-parlamentari i Partisë Socialiste ka mbetur në mes të rrugës automobilistike duke ndryshuar drejtimin e lëvizjes. Ndihmën e parë, të aksidentuarve ua kanë dhënë kalimtarët e rastit, të cilët i kanë nxjerrë nga makina me shumë vështirësi për shkak të dëmtimit të madh të automjeteve dhe i kanë dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Sipas mjekëve të spitalit, ka qenë e pamundur të ndërhyhet, pasi të dy të aksidentuarit kanë ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital. Të dy viktimat kanë pasur thuajse të njëjtën moshë, rreth të gjashtëdhjetave, madje dihet mirë se edhe Lekë Çukaj edhe Hasan Guçi njiheshin mirë me njëri-tjetrin, si bashkëqytetarë të Shkodrës. Pak çaste pas përplasjes kanë mbërritur edhe forca të shumta të policisë, së bashku me punonjësit e policisë rrugore, duke bërë të mundur zhbllokimin e rrugës, e cila u bllokua për pak minuta. Sipas burimeve zyrtare të policisë, shkak i aksidentit dyshohet të jetë shpejtësia e madhe e dy drejtuesve të mjeteve, reshjet e dendura të shiut që kanë rënë në momentin e përplasjes, të shoqëruar me mjegull. Në një njoftim të më vonë policia bënte me dije se një nga shkaqet e aksidentit mund të ishte edhe tentativa e parakalimit, por kjo ende nuk është vërtetuar.
Pak ditë më parë në të njëjtin aks rrugor humbën jetën edhe gjashtë persona të tjerë, pak kilometra larg Nikël, pikërisht në fshatin Derven të Krujës, ku një ambulancë e spitalit të Laçit u përplas me një autoveturë tip "Benz" me targa të huaja. Pak minuta pas humbjes tragjike të jetës së ish-deputetit socialist, kreu i Parlamentit, Jozefina Topalli, i ka dërguar një telegram familjes së të ndjerit, së cilës i shpreh "në emër edhe të Kuvendit të Shqipërisë ngushëllimet më të sinqerta e më të thella. Humbja e jetës në aksident e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Lekë Çukaj, ishte një lajm i hidhur për të gjithë kolegët, dashamirësit, miqtë dhe veçanërisht për familjen e të ndjerit". Lekë Çuka ka qenë në dy mandate deputet i Qarkut të Shkodrës, që nga viti 1997, ku është zgjedhur në zonën e Dukagjinit. Me profesion mësues i fizikës, në vitin ‘90 u angazhua me politikën, ku ka qenë për një periudhë të gjatë kohe një nga drejtuesit kryesorë të Partisë Socialiste të Shkodrës, ku në vitin 1997 arriti të zgjidhej deputet, duke thyer mitin e socialistëve, që nuk arrinin të merrnin asnjë deputet në qytetin më të madh të veriut. Së fundi, zoti Çukaj u largua nga PS dhe u angazhua në Partinë Socialiste të Vërtetë 91 (PSV91).