Kutitë dhe kriza ekonomike, PS proteston sot në Tiranë
Partia Socialiste do të protestojë sot para Parlamentit, duke kërkuar hapjen e kutive ose ndryshe Kryeministri Berisha të largohet. Duke qenë se tubimi i sotëm i jep fund turit njëjavor, socialistët janë kujdesur që të merren masat e nevojshme për një organizim sa më të mirë dhe pjesëmarrje sa më të madhe. Për këtë, drejtuesit e PS-së së Tiranës kanë zhvilluar një sërë takimesh mes tyre për të arritur në sensibilizimin e qytetarëve për arsyet e protestës, e cila kësaj here shkon përtej kërkesave politike duke prekur çështje sociale. Deputetja e kësaj partie në Qarkun e Tiranës, Vasilika Hysi, u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në tubimin para Parlamentit, për të protestuar për mungesën e demokracisë. "Ejani t‘i japim fund mungesës së demokracisë dhe transparencës në marrjen e vendimeve që afektojmë miliona shqiptarë. Pavarësisht bindjes politike, besimit, moshës dhe pozitës sociale, ejani dhe së bashku të ngremë zërin qytetar dhe në mbështetje të qindra mijërave familjeve në nevojë, të personave me aftësi të kufizuara, të pensionistëve, të fëmijëve jetimë, të familjeve rome dhe egjiptiane, ish-ushtarakë që sot, dhe akoma me keq nesër, nuk do të jenë në gjendje të paguajnë energjinë elektrike, shërbimet shëndetësore dhe të sigurojnë minimumin jetik të jetesës së tyre", tha Hysi. Ajo sqaroi se protestat për hapjen e kutive dhe kundër reformave të ndërmarra në fshehtësi dhe në mungesë konsultimi, janë vullneti ynë për t‘i dhënë fund krizës së demokracisë dhe rrënimit të ekonomisë për shkak të një qeverisjeje që qëndron mbi të qeverisurit dhe që nuk mendon aspak për ta. Gjatë kësaj jave, socialistët zhvilluan protestën e parë në Durrës, për të vijuar më pas në Berat, Elbasan, Fier, Vlorë, Shkodër e Lezhë. Kryesocialisti Rama gjatë këtyre takimeve ka bërë të ditur se protestat do rikthehen në muajin janar më të fuqishme se më parë e në bashkërendim me pjesën tjetër të opozitës. Ndërsa opozita ndërmori një tur javor protestash, ditët e fundit janë artikuluar një sërë ftesash nga faktorë të mazhorancës për të pasur dialog. Ndërsa Rama është përgjigjur me të njëjtat kushte: para se të ketë dialog duhet të hapen kutitë. "Ne nuk vëmë kushte, por themi që dialogu duhet të jetë i barabartë, i drejtë dhe jo një mjet i pushtetit sa për të kaluar radhën. Nëse duan dialog, duhet të krijojnë kushte për dialog dhe jo vetëm për ta kthyer opozitën në Parlament. Nuk ka opozitë në Parlament pa transparencën e 28 qershorit", tha ai. Ndërsa në protestën e Fierit dhe të Vlorës, njëkohësisht ai kërkoi që më parë Berisha të tërheqë akuzat kundër tij dhe eksponentëve të tjerë të opozitës.
A.Th.