Dubrava në Gjykatën Ndërkombëtare

Nait Hasani ka gjetur mbështetje në Kuvendin e Kosovës për zbardhjen dhe dërgimin para drejtësisë të kryesve të masakrës së Dubravës.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë kërkuar nga organet e drejtësisë në Kosovë që të angazhohen për ngritjen e aktakuzës për masakrën në Burgun e Dubravës, të kryer nga forcat serbe në maj të vitit 1999, por edhe për masakrat tjera të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Me kërkesë të deputetit të PDK-së, Nait Hasani, i mbijetuar nga masakra e Dubravës, deputetët kanë debatuar për këtë masakër.
Deputeti Hasani ka thënë se kjo është një prej masakrave më të tmerrshme të kryera gjatë luftës në Kosovë, përderisa ka shtuar se kriminelët që kanë kryer këto krime vazhdojnë të sillen të lirë në Serbi, e madje edhe të ngrihen në pozita të larta.
Ai ka kritikuar edhe institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare për heshtjen e kësaj masakre dhe shumë të tjerave, përderisa nuk kanë reshtur përpjekjet për pajtim mes shqiptarëve dhe serbëve. Hasani ka thënë se nuk mund të ketë pajtim pa u dënuar ata që kanë bërë krime.
Ndërkohë, edhe ndaj Prokurorisë së Qarkut në Pejë, Hasani nuk ka lënë të zezë pa thënë për ta.
Ai tha se prokurori tash e katër vjet e ka në sirtarët e vet kallëzimin penal për masakrën e Dubravës, me emrat dhe mbiemrat e komandantëve dhe gardianëve që kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në këtë rast, mirëpo ka vazhduar ta mbajë të heshtur.
Duke thënë se për masakrën e Dubravës përgjegjës të drejtpërdrejtë janë shteti serb, komandantët dhe gardianët që kanë shërbyer në këtë burg, ish i mbijetuari i kësaj masakre ka komanduar që Kuvendi të kërkojë nga prokuroria dhe gjyqësia të përshpejtojë procedurat gjyqësore për ngritjen e aktakuzës me qëllim të dënimit të kriminelëve të luftës.
Ndërkohë, edhe grupet parlamentare e kanë mbështetur rekomandimin e deputetit Hasani, përderisa kanë thënë se krimi dhe kriminelët duhet të dalin para ligjit.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka thënë se Kuvendi duhet të kërkojë nga Prokuroria e Kosovës dhe EULEX-i të merren me veprat kriminale dhe me veprat e kriminelëve të vërtetë, që mund të shihen në çdo fshat të Kosovës, ngase çdo fshat ka varreza të dëshmorëve dhe martirëve që janë vepër e gjenocidit serb.
Gjatë debatit, deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, po ashtu i mbijetuar i kësaj masakre, ka thënë se Serbia me masakrën në burgun e Dubravës u përpoq që të bëhej krimi e të fshihej pas bombardimeve të NATO-s.
Por, ai nuk është pajtuar me deputetin Nait Hasani që kjo çështje dhe zhdukja e personaliteteve të shquara nga burgu i Dubravës, sikur që është atdhetari Ukshin Hoti, të ngrihet nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri në takimet me delegacionin serb në Bruksel.
Ai ka thënë se do të ishte në rregull sikur të kishte kushtëzim për Serbinë me zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit dhe të shumë të zhdukurve të tjerë.
Ndërkaq, deputeti Fatmir Limaj ka thënë se institucionet e drejtësisë në Kosovë nuk duhet të presin fakte apo dëshmi nga njerëzit, por duhet të nisin procedurat për zbardhjen e masakrës së Dubravës dhe shumë masakrave tjera.
Ligjvënësit kanë kërkuar që po ashtu të ngrihet një memorial përkujtimor për këtë masakër, ndërkaq është propozuar që madje të ngrihet një memorial i madh në Prishtinë, ku do të përkujtoheshin të gjithë shqiptarët e vrarë që nga viti 1945 e këtej.
Debati për masakrën në burgun e Dubravës do të vazhdojë, ndërkaq prej deputetëve serbë gjatë këtij debati ishin të pranishëm vetëm dy.
Në fund të debatit, Kuvendi ka obliguar Qeverinë e Kosovës që të merret me deponimin e padisë edhe te gjykatat ndërkombëtare, ndërkaq institucionet e drejtësisë në Kosovë të merren më seriozisht me këtë masakër.