E Diel, 1 Nëntor 2026

Dubrovnik, Kryeministri Berisha takim me Gordon: Klinton do vizitojë Shqipërinë

07-07-2012 / Gazeta 55

Kreu i qeverisë: Heqja e imunitetit, reformë jashtëzakonisht e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit


UPDATE- Kryeministri Berisha zhvilloi një takim, në Dubrovnik, me Zv/sekretarin e Departamentit tё Shtetit tё SHBA-ve z.Philip Gordon. Në takim, ishte i pranishëm edhe Zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Qendrore dhe Jugore, z. Philip Riker. Kryeministri ndodhet në Dubrovnik për të marrë pjesë në Samitin e kryetarëve tё qeverive dhe personaliteteve nё fushёn e vendimmarrjes dhe opinionbёrjes nga Europa Juglindore, BE, SHBA dhe Mesdheu, me temё “Shtet-ndёrtimi dhe eksperienca europiane“, që po zhvillohet në datat 6-7 korrik. Zv/sekretari i Departamentit të Shtetit Gordon shprehu kënaqësinë e veçantë që takohej me Kryeministrin Berisha dhe i  përcolli Kryeministrit përshëndetjet më të përzemërta të Sekretares së Shtetit Klinton dhe i rikonfirmoi dëshirën e saj për të vizituar së shpejti Shqipërinë. Zv/sekretari Gordon shfrytëzoi rastin për t’i transmetuar Kryeministrit Berisha urimet dhe përshëndetjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Presidentin e ri të Republikës. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha shprehu gjithashtu kënaqësinë e veçantë që takohej me z, Gordon dhe i kërkoi atij t’i ripërsërisë Sekretares Clinton se shqiptarët do të jenë shumë të lumtur e krenarë ta presin atë, si mike të madhe e të shquar të Shqipërisë dhe kombit shqiptar, në këtë vit jubilar e historik të 100 vjetorit të pavarësisë. Në takim u vlerësua vizita e rëndësishme që Kryeministri Berisha zhvilloi në fund të muajit prill në Uashington. Më tej, në takim u diskutuan zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe ecuria e reformave në të gjitha fushat. Kryeministri Berisha e njohu zv/Sekretarin Gordon me hapat e rëndësishëm të ndërmarrë gjatë kësaj periudhe, në veçanti, për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Europian, ecurinë pozitive  të reformës zgjedhore, por edhe nismën shumë të rëndësishme të deputetëve të koalicionit qeverisës për heqjen e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët, e cila vlerësohet si një reformë jashtëzakonisht e rëndësishme e thelbësore në luftën kundër korrupsionit. Kryeministri theksoi se kjo nismë përmbush një angazhim të hershëm të qeverisë së udhëhequr prej tij dhe se ajo është e hapur për mbështetjen më të gjerë nga i gjithë spektri politik. Në takim u diskutua gjithashtu edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon. Kryeministri Berisha shfrytëzoi rastin për ta ftuar zv/ Sekretarin e Departamentit të Shtetit z.Gordon të vizitojë Shqipërinë, duke e siguruar se është i mirëpritur në çdo kohë, si një mik i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Gjithashtu, Kryeministri Berisha i shprehu Zv/Sekretarit të Departamentit të Shtetit Gordon mirënjohjen më të thellë për mbështetjen e vazhdueshme dhe ndihmën e çmuar që SHBA i kanë dhënë në vijimësi Shqipërisë dhe kombit shqiptar, gjatë gjithë kësaj periudhe.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›