E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi: Levan – Vlorë, autostrada më e lirë në rajon

07-07-2012 / Gazeta 55

Ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi u përgjigjet akuzave të PS. Projekti i bërë në kohën e Partisë Socialiste, reflektonte një gabim material prej 4.9 milionë euro, pasi nuk parashikonte shtresën e stabilizantit, duke qenë një projekt i hartuar dhe miratuar nga PS gjatë qeverisjes së tyre. Shtresa për stabilizantin shkon 2 milion euro, shto dhe shtresat për ndryshimin e shtratit të Vjosës dhe shtesën në fond për mbrojtjen mjedisore, të cilat nuk parashikoheshin në projektin e Partisë Socialiste


Ministri i Transporteve dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi hodhi poshtë sot pretendimet e Partisë Socialiste, sipas të cilëve segmenti Levan – Vlorë ka kushtuar disa herë më shumë sesa vlera reale e projektit. Ministri i Punëve Publike vuri në dukje se që prej fillimit të ndërtimit të tij e deri në ditët e sotme ku projekti është pothuajse në fazë përfundimtare (98%), ky segment tepër i rëndësishëm rrugor ka patur një mori problematikash komplekse të gjithanshme.


Sipas tij, projekti i bërë në kohën e Partisë Socialiste, reflektonte një gabim material prej 4.9 milionë euro, pasi nuk parashikonte shtresën e stabilizantit, duke qenë një projekt i hartuar dhe miratuar nga PS gjatë qeverisjes së tyre. Lidhur me këtë. kreu i Transporteve sqaroi se shtesa për stabilizantin shkon 2 milion euro, shto dhe shtesat për ndryshimin e shtratit të Vjosës dhe shtesën në fond për mbrojtjen mjedisore.


“Është vetëm një gabim arithmetik, pa asnjë pasojë për projektin. Dëgjova deputetin socialist Artan Gaçi, të thotë se duhet penalizuar Drejtoria e Rrugëve. Nëse duan të penalizojnë dikë, le të penalizojnë drejtuesit socialistë të ministrisë së kohës, por, për hir të së vërtetës, më duhet të them që nuk ka vend për penalitete. Shtesa për mospërputhjet e projektit i është nënshtruar ekspertizës së bankave europiane dhe është miratuar edhe prej tyre. Projekti i hartuar në kohën e qeverisjes së Partisë Socialiste nuk parashikonte shtresën e stabilizantit, e domosdoshme për cilësinë dhe jetëgjatësinë e rrugës, shtresë kjo që kërkon 2 milionë euro. Dëgjova deputetin Besnik Baraj të pyeste i çuditur se si ka mundësi që sot të ndodhë kjo. E para kjo nuk ka ndodhur sot, por më 2004, ndaj, nëse ka pyetje për të bërë, z. Baraj le t’ia drejtojë kolegëve të tij në partinë Socialiste, ish-drejtues të transportit atëkohë. Përsëri më duhet të them që, edhe në këtë rast, nuk ka vend për penalizime. Shtesa për stabilizantin i është nënshtruar ekspertizës së bankave evropiane dhe ka mare aprovimin e tyre. Shtrati i lumit Vjosë, për shkak të distancës prej 7 vitesh nga koha e projektimit në kohën e realizimit të projektit, ka patur rritje të pallogaritur në kuotë. Kjo bëri që ura e vjosës dhe e ferrasit të kenë nevojë për përforcimin e pilotave në themele, për të evituar zhytjen dhe për të rritur kuotën e trasesë, për të shmangur përplasjen me kuotën e lumit e cila, në përmbytjen e dy viteve më parë, arriti pikërisht ne kuotën e urave. Këto ndryshime kanë një vlerë prej 3 milionë euro. Në asnjë sistem përgjegjësish, politike, administrative apo qytetare, ne nuk mund të mbyllnim sytë përpara një problemi të tillë serioz, që, nëse nuk do të trajtohej sic duhet, mund të shkaktonte pasoja katastrofike, prej nga ku i vemi përfitim që do të nxirrej, do të ishte klithma e opozitës, në kulturën e saj më të mirë të kukuvajkës. Nuk mundeshim në asnjë rrethanë të aplikonim sistemin e papërgjegjshmërisë totale të ish-nënkryetarit të bashkisë z. Shalësi, sot deputet. Elementi i fundit që kërkoi shtesë, është mbrojtja mjedisore, e kërkuar si kusht i panegociueshëm nga BERZH, në përputhje me standardet mjedisore të Bashkimit Europiane. Kushtoi një vit kohë dhe dy milionë euro mbrojtja e pelikanit kaçurrel dhe e alienëve invazivë. Askush prej nesh nuk parashikoi që në të njejtën zonë do të duhet të merrnim masa dhe kosto shtesë edhe për mbrojtjen e rrugës nga karabullakët e opozitës. Përfundimisht, deputetët e opozitës, të cilët kanë të gjithë të drejtën ligjore të dyshojnë, por jo të drejtën të gënjejnë, kanë në dorë edhe të gjitha instrumentet për të verifikuar dyshimet e tyre. Mundet, nëse duan, t’u vëmë në dispozicion të gjithë dokumentacionin teknik në lidhje me projektin, raportet e kontraktorit, analizat e supervizorit, komentet e menaxherit të projektit dhe të asistencës teknike të specialistëve të huaj, ekspertizën e bankave evropiane”- u shpreh Olldashi.


Ai theksoi se Levan - Vlorë, me një kosto prej vetëm 2.45 milionë euro për kilometër, është autostrada më e lirë në rajon. “Meqenëse, këto ditë vape deputetët e opozitës janë vërsulur nëpër plazhe, disave syresh u ka rënë rruga edhe për Vlorë dhe, pasi kanë freskuar gjithçka tjetër përveç mendjes, pasi kanë përshkuar edhe rrugën e re nga Vlora në Levan, janë kujtuar që janë opozitarë dhe kanë nisur betejën. Këtë radhë e kanë kapur me rrugën Levan-Vlorë. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Levan - Vlorë, me një kosto prej vetëm 2.45 milionë euro për kilometër, është autostrada më e lirë në rajon”- deklaroi ministri i Punëve Publike.


Nga ana tjetër Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve shprehu gatishmërinë e tij për të vënë në dispozicion të PS projektin, për të hetuar gjithçka, qoftë nga komisionet hetimore apo dhe vetë Prokuroria, pasi sipas tij institucioni që ai drejton nuk ka asgjë për të fshehur lidhur me këtë rast. “Unë besoj që Partia Socialiste, si parti e madhe që ka qeverisur vendin në kohë të ndryshme, e ka të gjithë ekspertizën për të analizuar gjithçka. Ka ish-ministra, ish-drejtorë, ka specialistë të fushës që mund të nxjerrin konkluzione logjike dhe nuk ka arsye që opozitën për çështjen t’ua lërë në dorë të një skulptori dhe dy kimistëve. Mundet të ngrenë komision hetimor dhe të gjithë ne, nga unë deri tek specialisti më i fundit i drejtorisë së rrugëve, do të jemi mese të gatshëm të paraqitemi para tyre dhe të sqarojmë çdo detaj, çdo qindarkë të shpenzuar për këtë rrugë. Munden t’i drejtohen prokurorisë që të ndërmarrë hetime për procedurën e ndjekur dhe mënyrën sesi janë përdorur fondet publike në këtë projekt. Madje, e ftoj prokurorinë që të hetojë kryesisht çdo dyshim që hedhin publikisht deputetët e opozitës”- theksoi Olldashi.


Projekti i Zbatimit për Ndërtimin e Autostrades Fier-Levan- Vlorë është realizuar në vitin 2004 dhe miratuar me VKT të DPRr në fillim të vitit 2005. Ai është futur në programin  e investimeve të huaja në vitin 2006 dhe pas nje rishikimi te bere nga BERZH sidomos për aspektet e sigurisë rrugore dhe te impaktit mjedisor, gjë që ka konsumuar mese një vit kohë, projekti është tenderuar në fillim të vitit 2007. Më datë 18/09/2006 u paraqiten pranë D.P.Rr, 17 oferta për tu parakualifikuar për ndërtimin e seksionit rrugor Levan – Vlore. Mbas vlerësimit nga KVO u parakualifikuan 9 kompani dhe miratimi i Bankës për Raportin e Vlerësimit u bë më datë 19/09/2006. Pas vlerësimit të ofertave ekonomike, në vend të parë me ofertën më të ulët ekonomike u rendit kompania ALPINE MAYREDER Bau Gmbh me vlerë 41 974 318.70 Euro. Procedura e tenderit ka marë aprovimin e BERZH dhe BEI më 02/04/2007.


Olldashi tha se ka patur spekulime se nënkontraktorët përcaktuan fituesin. “Kjo është absolutisht e pavërtetë, pasi procedura e zhvilluar, sikurse thashë më sipër, mori miratimin e bankave evropiane. Për më tepër, me kërkesë të ministrisë dhe të drejtorisë së rrugëve, nënkontraktori kryesor, Alban-Tirana, është larguar nga projekti, për shkak të mospërmbushjes së programit të punimeve, që në vitin 2009”- tha ai.


Në tenderin e datës 13/11/2006  morën pjesë 7 kompani


1. GP PAPENBURG                    46 997 570 Euro


2. SCT d.d., LJUBLJANA                48 726 727 Euro


3. TODINI Costruzioni Generali            59 033 776 Euro


4. MAPA                         48 880 558 Euro


5. STRABAG AG                    47 103 036 Euro


6. ALPINE MAYREDER Bau            41 974 318 Euro


7. GD GRANIT AD Skopje                53 990 972 Euro

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›