E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procesi i demontimi, Spahia: Janë asgjesuar 13.092 ton municione, në proces dhe 26 mijë ton

07-07-2012 / Gazeta 55

Zv/ministri i Mbrojtjes zbardh detajet rreth ecurisë së demontimit dhe çmilitarizimit të armatimeve dhe municioneve të trashëguara nga regjimi komunist

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia deklaroi sot se janë asgjesuar 13.092 ton municioneve, e cila është edhe sasia më e madhe në vitet e fundit. Sipas tij, gjysma e parë e vitit 2012 ka qenë i suksesshëm për ecurinë e demontimit dhe çmilitarizimit të armatimeve dhe municioneve të vjetra e të rrezikshme të trashëguara nga regjimi komunist. Spahia u shpreh optimist për realizimin e objektivit prej 26 mijë tonë municione që priten të asgjesohen gjatë të gjithë vitit 2012. Aktualisht ka përfunduar procesi i asgjesimit në poligone të hapura dhe procesi vijon në mbjente të sigurta brenda. “Në zbatim të prioriteteve të Këshillit të Ministrave, Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i FA dhe strukturat në vartësi, kanë vijuar me intensitet të lartë punën për demilitarizimin e municioneve të tepërta me synim që ky proces të përfundojë në mënyrë të sigurt dhe brenda 6- mujorit të parë të vitit 2013. Në Ministrinë e Mbrojtjes, demilitarizimi i municioneve të tepërta është një prioritet i pandryshuar, i cili ndiqet dhe analizohet në vazhdimësi më përgjegjësinë më të lartë. Në këtë kuadër, Bordi Drejtues i Demilitarizimit të Municioneve të Tepërta në MM, zhvilloi mbledhjen e radhëz ku analizoi ecurinë e këtij procesi për muajin qershor dhe 6-mujorin e parë të vitit 2012.
Në zbatim të Planit të Veprimit të Ministrisë së Mbrojtjes për asgjësimin e municioneve të tepërta në Forcat e Armatosura, demilitarizimi i municioneve të tepërta ka vazhduar me ritme të larta dhe ecuria e këtij procesi gjatë muajt qershor dhe 6-mujorit të parë 2012 rezulton pozitiv dhe i suksesshëm.
Ndër arritjet kryesore për muajin qershor 2012, veçojmë:
1.    Janë asgjësuar 2.826 ton.
2.    Ka përfunduar  asgjësimi masiv i municioneve në poligonet e hapura.
3.    Ngritja / përshtatja dhe vënia në punë e 7-linjave të demontimit industrial.
4.    Boshatisja dhe reduktimi i 3 grup-depove të municionit (Lozhan-Korçë, Konizbaltë-Berat dhe Bratilë-Gramsh), sipas planit dhe prioriteteve të Forcave të Armatosura.
5.     Për 6- mujorin e parë 2012 kemi arritur të demilitarizojmë 13,092 ton municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.

Nga sasia prej 13,092 ton municione të asgjësuar, gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2012, 2,621 ton municione janë shitur për eksport dhe me të ardhurat e përfituara është financuar një pjesë e kostos së demontimit industrial të municioneve në uzina. Sasisë prej 53.806 tonëve të demilitarizuar në vitet 2009-2011 i shtohet edhe sasia prej 13,092 tonë të realizuar gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, duke e çuar në 66.898 ton sasinë e përgjithshme të municioneve dhe eksplozivave të demilitarizuar. Nga sasia e municioneve që janë identifikuar tepër dhe jashtë nevojave sipas strukturës (TOP-it) të FA, mbeten për demilitarizim edhe 25.753 ton. Kostot financiare të procesit të demilitarizimit të municioneve të tepërta përballohen nga fondet e buxhetit shtetit dhe nga partnerët ndërkombëtarë”- u shpreh ai.
Njëkohësisht vijon puna për pastrimin e zonave të kontaminuara nga shpërthimet në depot ushtarake të vitit 1997, dhe në Gërdec. Procesi ka përfunduar në pastrimin e zonave me municione ende të paplasura në Gjeroven të Beratit dhe Urën e Gjadrit në Shkodër.
“Në zbatim të marrëveshjes së nënshkruar me Agjencinë për Mbështetje të NATO-s (NAMSA ndryshuar NSPA), financimi i kostos së demontimit të municioneve në ULP Mjekës, gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2012, është mbuluar kryesisht nga NAMSA me fondet e Departamentit të Shtetit të SHBA dhe pjesërisht me fondet e buxhetit të shtetit. Gjithashtu, në bashkëpunim me UNDP, Fondin Ndërkombëtar të Besimit (ITF) dhe Departamentin e Shtetit të SHBA-s, vijon procesi i pastrimit dhe rehabilitimit  të zonës në Gërdec si dhe ka përfunduar pastrimi i dy zonave të kontaminuara në vitin 1997 me municione të pa-plasura në Gjeroven-Berat dhe Ura Gjadrit-Shkodër. 
Gjatë 6-mujorit të dytë të vitit 2012, puna në drejtim të asgjësimit të municioneve të tepërta në FA, do të fokusohet në sa më poshtë:  
    Vazhdimi i demilitarizimit të municioneve të tepërta me ritmet e nevojshme, në përmbushje të synimit të MM për asgjësimin e 26,000 ton municione, gjatë vitit 2012. 
    Reduktimin edhe të 6-grupdepove të tjera të municionit të cilat janë prioritet i FA.
    Bashkëpunimin me partnerët dhe organizmat ndërkombëtarë, për pastrimin e zonës Gërdecit dhe të zonave të kontaminuara me municione gjatë vitit 1997.
    Do të fillojmë pastrimin, rehabilitimin dhe certifikimin e poligoneve që janë përdorur për asgjësimin e municioneve dhe eksploziveve.
Prioritet i punës së strukturave të MM dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA, ka qenë dhe mbetet siguria në punë dhe zbatimi me korrektësi i standardeve përkatëse”- tha më tej zv/ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›