E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duçka: Si ndryshoi qëndrimi i grekëve ndaj projektit TAP

Me nënshkrimin e marrëveshjes së mirëkuptimit mes Shqipërisë, Greqisë e Italisë, Gazsjellësi Transadriatik ka marrë një garanci shtesë për suksesin e tij përfundimtar. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” Dorian Duçka, Drejtor i Integrimit Evropian dhe i Projekteve Ndërkombëtare pranë Ministrisë së Energjetikës shpjegon zhvillimet në Samitin Ballkanik të Naftës dhe të Gazit të mbajtur në Athinë, i cili i parapriu nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit mes tre shteteve në Nju Jork. Duçka, njëherësh kryetari i Samitit të Athinës, shpjegon në intervistë ndryshimin e përqasjes të fqinjëve ndaj projektit TAP, si dhe rolin e ri rajonal që ka marrë Shqipëria në kuadrin energjetik. Teksa komenton zhvillimet e fundit mbi Projektin TAP, Drejtori i Integrimit Evropian shpjegon impaktin ekonomik dhe politik që do të ketë mbi vendin tonë ky projekt madhor evropian.
Para pak ditësh një delegacion shqiptar mori pjesë në një samit rajonal për naftën e gazin në Athinë. Ku u përqendrua puna e samitit?
Në datat 26-28 shtator u zhvillua në Athinë samiti i naftës dhe i gazit për Ballkanin. Merrnin pjesë ministra dhe zëvendësministra të energjisë së rajonit të Ballkanit, dhe kompanitë kryesore shumëkombëshe apo kombëtare që operojnë në fushën e gazit e të naftës në rajonin Ballkanit. Kompani që operojnë si në kërkim e shfrytëzim, transport e përpunim. Më duhet të nënvizoj që në fillim, se në këtë samit Shqipëria luante rol të dorës së parë, ose e thënë ndryshe që vendi për të cilin u fol më shumë, jo vetëm për shkak të gazsjellësit Transadriatik, por edhe si vendi më i pasur me hidrokarbure në rajon. Njëkohësisht u trajtua gjatë në samit, mënyra se si Shqipëria ia ka dalë të tërheqë vëmendjen e disa kompanive shumë të mëdha botërore të naftës e të gazit, të cilat kanë kryer edhe një seri investimesh të rëndësishme në truallin tonë. Për herë të parë pamë ish ministra e zyrtarë të lartë grekë të lidhur me energjetikën, që përgëzonin Shqipërinë për zhvillimet në kuadrin e hidrokarbureve dhe që i kërkonin qeveritarëve aktualë grekë, ministrit të Mjedisit e të Energjetikës, si dhe kompanive të vendit të tyre, të mësonin nga Shqipëria veçanërisht në kuadrin e kërkimit të naftës. Zyrtarët grekë nuk lanë pa përmendur edhe politikat - sipas tyre - të suksesshme shqiptare në kuadrin e përpunimit e të nxjerrjes së naftës e me thithjen e investimeve.
Çfarë politikave u referoheshin me saktësi?
I referoheshin operacioneve në Shqipëri të Bankers Petroleum, ardhjes së kompanisë Shell, afrimi i State Oil, i cili kërkon të jetë i pranishëm në territorin tonë, si dhe zhvillimet me Gazsjellësin Transadriatik, ndaj të cilit ka interes të madh në vendin fqinj.
Të ndalemi te projekti TAP. Samiti i parapriu memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar në Nju Jork nga tre ministrat e Jashtëm të Greqisë, Shqipërisë e Italisë. Çfarë do të thotë ky memorandum për Shqipërinë, në një çast kur cilësohej si një prej pikave të dobëta të këtij projekti?
Është e vërtetë që përmendej nga projektet rivale si një prej pikave të dobëta të TAP. Së pari përbën një sinjal mjaft të fortë politik, drejtuar konsorciumit të Shah Deniz në Azerbajxhan. Përmes memorandumit Shah Deniz-it ju dha garancia se Greqia, Italia e Shqipëria i kanë ofruar projektit mbështetjen e nevojshme politike për TAP-in. Memorandumi siguron konsorciumin se vendet e mbështesin plotësisht projektin dhe dëshirojnë që korridori i jugut të jetë rruga përmes së cilës gazi azerbajxhanas do të transportohet drejt Evropës.
Të sqarojmë pak konceptin. Memorandumi i Bashkëpunimit është ai që i hap udhë marrëveshjes përfundimtare ndërqeveritare, e cila bën të mundur kalimin e TAP nëpër territoret e vendeve përkatëse. Kur parashikoni se do të nënshkruhet marrëveshja ndërqeveritare?
Bëhet fjalë për një Memorandum Bashkëpunimi i cili i hap udhën marrëveshjes ndërqeveritare, e cila i jep formën ligjore të gjithë kuadrit të bashkëpunimit mes vendeve. Është më e madhe se kuadri ligjor i secilit prej vendeve, dhe nënshkruhet normalisht pas nënshkrimit të TAP me secilin prej shteteve në cilësinë e vendit pritës.
Deri pak kohë më parë kemi pasur hezitime të forta nga ana e grekëve lidhur me projektin TAP. Si e shpjegoni ndryshimin e humorit të fqinjëve tanë?
Siç e thashë, projektet rivale përmendin vazhdimisht mungesën e konsensusit të Italisë e Greqisë për projektin TAP. Të dy vendet kanë pasur projektin e tyre kombëtar, që kalonte nga Turqia dhe Greqia për në Itali, ITGI, i cili u skualifikua nga gara në çastin kur konsorciumi i Shah Deniz përzgjodhi të negocionte vetëm me projektin Transadriatik dhe me Nabuccon. Kjo bëri që i vetmi shans i Greqisë dhe i Italisë për t’u përfshirë në këtë projekt madhor ishte përfshirja në projektin TAP.
Paralelisht me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit të të tre qeverive, mediat greke nënvizuan të vinin re se kjo ishte një mundësi shumë e mirë për t’i bërë presion Tiranës të pranonte marrëveshjen për ndarjen e ujërave territoriale. Perceptuat ndonjë qëndrim të tillë gjatë samitit?
Në simpozium as që u prek fare një temë e tillë. Për mendimin tim janë çështje që ngrihen nga qarqe të caktuara në shtetin fqinj, ku nuk besoj se përfshihen ekspertët apo zyrtarët e niveleve me të cilët bashkëpunuam ne. Në simpozion ndjehej një frymë krejt tjetër. Madje u përsërit suksesi shqiptar në fushën e energjetikës nga ekspertë të rangjeve të larta të fushës së energjisë, madje edhe nga ish-ministra të Greqisë. Ajo që mendoj unë është se kriza, dhe situata e vështirë ku ndodhen tani, e ka bërë një pjesë të grekëve më të kthjellët e i ka shtyrë përtej nacionalizmave.
Ndërkohë që Nabucco është ende rival i fortë i TAP.
Edhe Nabucco, i cili e çon gazin përmes Bullgarisë në Austri, shihet se një projekt i vlefshëm nga ana e Evropës Perëndimore kur vjen fjala te diversifikimi i burimeve energjetike, por duhet të themi se rruga nëpër të cilën do të shtrihet TAP është më e shkurtër ndërkohë që kostot janë më të ulëta. E tëra kjo do të thotë çmim më i ulët gazi për vendet evropiane që do të furnizohen me të. Por ka edhe një përparësi tjetër shumë të rëndësishme: Shqipëria ofron depozita natyrore për magazinimin e gazit në zonën e Dumresë dhe në zonën e Divjakës.
Vetëm pak kohë më parë Azerbajxhani bëri të ditur përmes ambasadorit të vet në Greqi, i cili mbulon edhe Shqipërinë, se ka njësoj në konsideratë të dy projektet, TAP dhe Nabucco.
Unë e konsideroj një qëndrim të Azerbajxhanit për të mbajtur garën gjallë. Sa më e gjallë të jetë gara, aq më të interesuar janë garuesit të japin maksimumin, më të mirën e mundshme. Për mendimin tim konsiderohet nga Azerbajxhani si një nxitje për ta bërë TAP-in më produktiv.
Vazhdimisht zëra të ndryshëm autoritarë i kanë dhënë TAP-it 50% të shanseve për të fituar garën. Cilat janë këto shanse aktualisht, pas zhvillimeve të fundit.
Personalisht besoj se shanset që TAP të përzgjidhet përfundimisht si rruga përmes të cilës do të transportohet gazi azer në Evropë janë 70-80%. Në të gjitha takimet që kemi në këtë kuadër, TAP vlerësohet si projekti primar. E thënë më qartë, gara mbetet zyrtarisht e hapur, por ne kemi bindjen se në fund TAP do të rezultojë projekti fitues.
Në samitin e Greqisë, u fol gjatë edhe për projektin IAP (Ionian Adriatic Pipeline), degëzim i TAP, i cili do të furnizojë me gaz Bosnje Hercegovinën, Kroacinë e Malin e Zi. Çfarë rëndësie paraqet për Shqipërinë ky projekt?
IAP, është një vlerë e shtuar për Shqipërinë. Përmes këtij degëzimi TAP ka mundësinë të furnizojë një treg tjetër, Ballkani perëndimor. Është një treg i virgjër në fushën e gazit, i cili njëherësh ka nevojë për të. Projekti parashikon një tubacion që do të lidhë Splitin e Kroacisë me Fierin.
Jemi përpara dy zhvillimeve të rëndësishme: TAP dhe IAP. Cili do të jetë impakti i të dyve në ekonominë shqiptare?
Impakti ekonomik do të jetë mjaft i madh. Shtrirja e gazjellësit në territorin shqiptar do të përkthehet në një investim rreth një miliardë euro. Ndërkaq përreth dhe në funksion të tij do të krijohet një rrjet i tërë rrathësh koncentrikë shërbimesh të ndryshme të cilat gjithashtu do kenë mbi vete investime, vende pune e zhvillim ekonomik. Mjafton të sjell në vëmendje që vetëm për ndërtimin e gazjellësit do të ndërtohen 100 kilometra rrugë të reja e do të rehabilitohen 100 kilometra ekzistente. Bëhet fjalë për më shumë se 2000 vende pune, pa harruar se janë zona ku aktualisht ka vështirësi të konsiderueshme ekonomike. Nga ana tjetër, një pjesë e gazit do të përdoret në Shqipëri, gjë që gjithashtu do të përkthehet në zhvillim ekonomik. Ka nisur masterplani për gazifikimin e vendit, që do të thotë se po studiohet rrjeti i shpërndarjes dhe përdorimit të tij.
Folëm për impaktin ekonomik, por do të ketë impakt politik?
Sigurisht do të ketë edhe impakt politik. Thjesht fakti që gjendemi të përfshirë në një prej korridoreve më të mëdhenj energjetikë evropiane, me investime kolosale, do të thotë se jemi partnerë në një sipërmarrje me përmasa shumë të rëndësishme. Mos të harrojmë që korridori jugor për të cilin po flasim mund të kushtojë në total 50 miliardë euro. Shqipëria tashmë është bërë pjesë integrale e këtij korridori, por edhe një derë kyçe e tij.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›