E Shtunë, 31 Tetor 2026

FSHZH nderton rrugen e Shengjergjit

Shëngjergji një nga zonat me resurse të mëdha natyrore në rrethin e Tiranës bëhet tashmë i arritshëm për të gjithë, kjo falë ndërtimit të rrugës së re 18 km të gjatë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Segmenti i cili lidh 12 fshatra do t’u vijë në ndihmë 5 mijë banorëve të cilët për vite me radhë u është dashur të lëvizin drejt Tiranës vetëm gjatë muajve të verës pasi kushtet e këqija të rrugës vështirësonin qarkullimin gjatë dimrit, duke e izoluar këtë zonë.

Ndërtimi i këtij segmenti ka bërë që banore të vjetër të Shëngjergjit të cilët u larguan vite më parë nga vendlindja për shkak të mungesës së infrastrukturës të rikthehen sërish për të ndërtuar biznese duke i dhënë zhvillim ekonomisë së kësaj komune.

Rruga e re ka një gjerësi asfalti prej 4.75 m me bankina anësore në të dy krahet. Ajo është e pajisur me të gjithë elementet e nevojshëm te infrastrukturës përfshirë sinjalistikën, kanalizime, vepra arti, mure mbajtës dhe pritës të cilat janë bërë nga fillimi. Gjatë realizimit të këtij segmenti krejtësisht të ri janë ndërtuar dhe 4 ura që variojnë nga 10 në 50 m .

Gjate inspektimit të punimeve Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Benet Beci tha se investimi i kryer në këtë zonë ka një ndikim te madh ne dy aspekte, në zhvillimin e bujqësisë dhe turizmit i cili ka filluar të ndjehet tashmë.
Rruga për në Shëngjergj është financuar nga qeveria shqiptare dhe Banka e Këshillit të Europës për zhvillim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›