E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duçka: Ja si bashkohen gazësjellësit europianë në Fier

SHKRUAN: Sabina Veizaj 01-08-2011 15:01

Ku konsiston projekti TAP dhe ç’vend zë Shqipëria në këtë projekt?

Në vitet e fundit Bashkimi Europian është shumë i interesuar për gazin natyror për nevojat e veta, pasi BE është një nga konsumatorët kryesor, i dyti në botë. Për këtë qëllim ka identifikuar korridorin jugor të gazit, pasi dëshiron të diversifikojë burimet e veta, të cilat deri tani janë Rusia dhe Afrika e Veriut. Për shkak të situatës së destabilizuar politike në këto vende, herë pas here dhe për të siguruar e rritur sigurinë energjitike, BE dëshiron të investojë në projekte për përcjelljen e gazit nga burime të tjera. Ky korridor identifikon burimin e përcjelljes së gazit nga deti Kaspik. Janë 3 projekte që kanë vite që janë studiuar dhe janë në zhvillim e sipër, por asnjëri nuk ka nisur të ndërtohet deri tani. Një nga projektet kryesore është ai i Nabukos, i cili mendohet që të përcjellë, jo vetëm gaz por edhe naftë nga deti Kaspik dhe Lindja e Mesme drejt Vjenës, duke kaluar përmes Turqisë, Bullgarisë, Rumanisë, Hungarisë, Çekisë. Ndërsa projekti tjetër është ai që pritet të kalojë përmes Turqisë, Greqisë, Italisë, ITGI, kryesuar nga dy kompani greko –italiane; Delta dhe Edison. Vitet e fundit po studiohet projekti TAP, TransAdriatik, i cili përfshin fuqimisht Shqipërinë në rrugën e tij të kalimit. Ky gazsjellës mendohet të jetë 520 km i gjatë dhe mendohet që deri në Selanik të përdorë tubacionet e gazsjellësve ekzistues dhe do të kalojë përmes vendeve si Greqi, Shqipëri, Itali. Pikërisht Shqipëria quhet hallka e munguar dhe mendohet që e shkurton mjaft distancën e këtij tubacioni duke e shndërruar atë në një tubacion shumë ekonomik, më të sigurt dhe më të pranueshëm. Konsorciumi që ka krijuar projektin ITAP është një konsorcium shumë serioz dhe shumë i fuqishëm ndërkombëtar në eksportimin dhe nxjerrjen e gazit me një histori të gjerë financiare. Konsorciumi përbëhet nga gjigandi norvegjez i gazit, i cili ka 42,5 % të kapitalit dhe 42,5 % i ka kompania zvicerane EGL dhe vitet e fundit 15 % është përfshirë kompania gjermane Eon Rurga.

Pak ditë më parë, METE ka nënshkruar një marrëveshje për këtë projekt, ku konsiston?

Shqipëria është një nga aktorët kryesorë që mbështesin projektin TAP dhe ka kryer të gjitha nismat e veta ligjore për të plotësuar kushtet që ky projekt të ketë mbështetjen nga të gjitha vendet ku do të kalojë gazsjellësi. Përmendim Italinë, Greqinë dhe shtete të tjera që do të kenë indirekt influencë në përzgjedhjen e tubacionit të gazit si Turqia dhe Ajzerbaxhani. Memorandumi i bashkëpunimit i nënshkruar ditë më parë nga METE me përfaqësues të kompanisë TAP ka të bëjë me ngritjen e një grupi pune për një tjetër projekt, i cili quhet IAP. Bashkimi Europian ka akorduar një fond prej 3,5 mln euro, ku Shqipëria ka dhënë ndihmesën e vetë me fondet e BE-së për Shqipërinë për të studiuar fizibilitetin. Do të kalojë një tubacion nga Spliti drejt Fierit. Qëllimi është të shihet potencialisht lidhja mes këtyre projekteve. Në momentin që kalon gazsjellësi TAP, ky mund të përcohet nëpërmjet një gazsjellësi tjetër drejt Kroacisë nga Mali i Zi, Bosnja , Kroacia dhe mund të ndikojë edhe në gazifikimin e Kosovës. Ky projekt është mjaft i rëndësishëm sepse sheh që gazsjellësi TAP mund të diversifikojë gazin natyror edhe unazën perëndimore të Ballkanit. Ideja është krijimi i një sinergjie pozitive mes këtyre dy projekteve të ndryshme, pra midis konsorciumit TAP dhe vendeve ku do të kalojë projekti IAP. Shqipëria duke firmosur këtë memorandum bashkëpunimi, shihet si nga përfaqësuesit e BE-së, si nga përfaqwsuesit e projekteve si një nga nyjet kryesore të rrjeteve të gazit në Europë. Pikërisht është Shqipëria pikëlidhja që do të lidhë këto dy projektet, as Greqia, as Italia apo ndonjë vend tjetër, e cila mund të ndikojë në krijimin e depozitave të ndryshme gazit natyror apo edhe terminaleve që ta shpërndajnë në një formë tjetër këtë gaz.

Në cilën fazë të projektit është METE?

Shqipëria i ka plotësuar të gjitha legjislacionet dhe ka përmbushur të gjitha kriteret ligjore që kanë të bëjnë me gazin natyror, përsa i përket direktivave të Bashkimit Europian. Dhe në pikwpamje të Aki Komuniterit, Shqipëria është në stad më të avancuar dhe e ka patur më të lehtë për të përafruar legjislacionin, pasi nuk ka patur një treg të gazit natyror. Ndërkohë, qeveria shqiptare ka aplikuar me grante të ndryshme me qeveritë mike dhe donatorë të ndryshëm, ku i është akorduar një fond prej disa milionë eurosh për të ngritur njësinë e menaxhimit të projektit për infrastrukturat e mëdha të gazit. Fondet janë akorduar nga qeveria zvicerane dhe Ministria e Jashtme norvegjeze dhe qeveria shqiptare për të thithur konsulentë ndërkombëtarë në fushën e gazit natyror për të negociuar me kompanitë e mëdha dhe me shumë investitorë të tjerë.

Çfarë problemesh mund të dalin gjatë rrugës së implementimit të projektit?

Ne jemi në një fazë kritike, pasi konsorciumi që drejton projektin TAP, në tetor është ftuar nga konsorciumi që ka të drejtën e gazit në detin Kaspik në Asejrbaxhan për të dhënë ofertën me tarifat e tyre dhe mënyrat se si do ta transportojnë. Këtu është një konkurim kryesor. Skenari më i keq mund të jetë ai që projekti TAP nuk përzgjidhet nga koncensionari që ka gazin në detin Kaspik për të transmetuar gazin nëpërmejt këtij tubacioni. Nëqoftëse kjo kompani nuk fiton të drejtën për të transmetuar gazin, gjithë ky investim është i humbur. Problemi kryesor është të mos humbasë e drejta për të transmetuar gazin. Ndryshe nga kompanitë e tjera që drejtojnë projektet, kompania TAP që do të kalojë përmes Shqipërisë, kompania e madhe norvegjeze Shtat Oil, përvecse ka 42,5 % të aksioneve është edhe koncensionari kryesor i gazit në Detin Kaspik me 22,5 % të aksioneve dhe kjo na jep shpresën dhe kurajon për të na bërë më të pranueshëm dhe më seriozë. Dhe një nga pranuesit e ofertave do të jetë një nga përfaqësuesit që ka aksione në TAP. Probleme legjislative nuk ka, por herë pas here duhet të nënshkruhen marrëveshje me vendet në të cilat do të kalojë gazsjellësi. Gjërat do të jenë më të qarta dhe nuk do të ketë probleme nga qeveritë e vendeve në momentin që do të përzgjidhet oferta për gazësjellësin që do të përcjellë gazin në BE. Përsa i përket impaktit mjedisor, janë kryer disa studime paraprake dhe cdo gjë ka rezultuar brenda normave dhe direktivave të Bashkimit Europian. Gazësjellësi nuk do të kalojë në zonat të cilësuara si trashëgimi kulturore dhe as në zonat e banuara, apo parqeve natyrore.

Çfarë efektesh do të ketë ky investim përsa i përket ekonomisë së vendit?

Efektet janë të mëdha. Shqipëria së pari hyn në hartën e vendeve ku kalon përcjellësi i gazit natyror në Europë. Ashtu si gjaku është i domosdoshëm për trupin, ashtu është edhe gazi natyror për ekonominë e qëndrueshme. Gjithashtu ky projekt fut Shqipërinë në radarin e investitorëve të gazsjellësve. Shqipëria në të njëjtën kohë do të marrë një rentë të madhe financiare për transmetimin e gazit. Bëhet fjalë për disa dhjetra milionë euro. Shqipëria është një vend i vogël dhe do të përfitojë cdo vit këtë rentë të madhe. Gjithashtu do të ndërtohet një treg i ri i gazit natyror në Shqipëri. Sot gazi natyror tregtohet me 4 $ ndërsa nafta 100 $, kështu do të diversifikohet konsumimi i energjisë në vend duke bërë që të ketë më pak energji elektrike. Konsumatori do të shpenzojë më pak energji elektrike. Gjithashtu duke u ndërtuar terminalet dhe depozitat do të hapen vende pune që do të krijojnë të ardhura të qëndrueshme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›