E Diel, 1 Nëntor 2026

12 të arrestuar në OJF e antiterrorit, Drejtori: kunati i Dajtit ishte agjenti ynë

Drejtori i OFJ-së flet për aktivitetin e tij dhe për kartën e agjentit, për të cilën thotë se nuk jep asnjë lloj imuniteti për personat që e mbajnë. “Agjentët tanë takohen me inspektorët e policisë dhe shkëmbejnë informacione”

Drejtori i OJF-së së paditur nga Ministria e Brendshme, Maksim Ferra pranon pajisjen me dokument anëtarësie të disa personazheve të arrestuar për krime, por sqaron se ky dokument nuk të jep kurrfarë imuniteti. Ai e cilëson pa sens padinë e Ministrisë së Brendshme për shpërndarjen e OJF-së, duke pohuar se deri tani ka pasur marrëdhënie shumë të mira me institucionet shtetërore.

Zoti Ferra, cili është aktiviteti i Qendrës Shqiptare të Studimeve të Luftës Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar?

Është qendër studimi që merret me luftën kundër terrorizimit dhe krimit të organizuar. Aktiviteti i saj ka filluar përpara 5 vitesh. Qendra kryesore është këtu në Shqipëri, por kemi dhe filiale jashtë shtetit. Agjentët tanë janë për të parandaluar krimin dhe terrorizimin në komunitet.

Në faqen tuaj në internet janë të pasqyruara aktivitete të shumta ku bien në sy dhe aktivitetet në Ministrinë e Brendshme dhe më Ministrin Bujar Nishani. Kjo tregon që ju keni pasur bashkëpunime të shumta më Ministrinë e Brendshme dhe se Ministria është në dijeni të aktivitetit tuaj?

Kemi bërë konferenca dhe aktivitete të shumta së bashku dhe detyrimisht, Ministria është në dijeni të aktivitetit tonë.

Në një padi të depozituar pak kohë më parë në Gjykatën e Tiranës, Ministria e Brendshme ju akuzon ju për lëshimin e dokumetave të Qendrës tuaj, personave të cilët më pas janë arrestuar nga Policia për vepra të ndryshme kriminale. Kush ju a ka dhënë ju këtë tagër për të dhënë këto dokumenta dhe a janë të vlefshme ato?

Çdo qendër ose institucion ka të drejtë të nxjerrë kartat e saj të antarësimit dhe poshtë shënohet emri i titullarit. Ato janë karta identifikimi dhe nuk kanë mandat imuniteti. Ka pasur persona që i kanë keqpërdorur dhe ata janë ndalur nga Policia. Edhe ne kemi qenë në një zë me Policinë për arrestimin e këtyre personave që kanë keqpërdorur emri i Organizatës për arsye kriminale.

Në një prej pikave të padisë thuhet që edhe kunatit të Dritan Dajtit, Ergest Xhoxhit, në momentin e arrestimit i është gjetur një kartë e qendrës tuaj...

Ergest Xhoxhi ka qenë anëtar i qendrës tonë dhe detyrimisht kishte kartën, por ne e kemi dënuar dhe e dënojmë përfshirjen e tij në atë ngjarje.

Po në lidhje me padinë, cili është komenti juaj?

Ministria e Brendshme ka hyrë në kompetencat e Policisë së Shtetit dhe në atë padi nuk ka asgjë të vërtetë. Ne kemi komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Brendshme, por Ministria nuk është përgjigjur ashtu siç duam ne.

Në çfarë kuptimi nuk ju është përgjigjur?

Në rastet kur kemi kërkuar bashkëpunim.

Po me Policinë e Shtetit çfarë marrëdhëniesh keni?

Kemi bashkëpunim shumë të mirë, pasi agjentët tanë takohen me inspektorë të policisë, japin informacion për parandalimin e krimit. Ne nuk kemi asnjë ankesë ndaj Policisë dhe Ministrisë, pasi ne kemi kërkuar gjithmonë bashkëpunim, por padia në fjalë na duket pa sens.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›