Mbivlerësohet euro, nuk dobësohet as nga emigrantët
Monedha europiane rikthehet në vlerat e saj të larta, duke mos njohur dobësim as nga ardhja e emigrantëve. Ndërsa pritej që sezoni i verës ta çonte euron në shifrat më të ulta, në fakt nuk ka ndodhur kështu. Ditët e fundit një euro në këmbimin valutor është shkëmbyer me 141 lekë nga 138 lekë që u “thye” vetëm një javë më parë. Kështu, gjatë javës së shkuar euro ka pasur një tendencë rritëse, duke kapur shifra që përcaktohen mjaft të larta, kundrejt një monedhe vendase. Sipas specialistëve të ndryshëm, pavarësisht se këto janë luhatje normale të kursit të këmbimit, ndikim kanë pasur edhe prurjet e ulëta të emigrantëve dhe një tjetër faktor mendohet që të jetë edhe liberalizimi i vizave. Kjo, pasi shumë emigrantë shqiptarë nuk janë rikthyer në Shqipëri për pushime dhe kanë marrë në vendet ku ata punojnë të afërmit e tyre. Por, ata që po pësojnë më tepër efektet e larta të euros në këto nivele janë bankat, bizneset dhe konsumatorët. Vlerësimi i monedhës europiane ka ndikuar negativisht edhë në xhepat e atyre që paguajnë shërbime në euro. Kjo kategori rezulton që të paguajnë disa herë më shumë për shërbimet, sidomos kur bëhet fjalë për kreditë e marra në euro. Që nga janari e deri më sot, një klient banke paguan këstin e kredisë 2.000- 6.000 lekë më shumë se në periudhën kur euro kushtonte 136 lekë. Gjithashtu, edhe bizneset që paguajnë qiranë në euro derdhin disa fish më shumë me luhatjen e kursit të këmbimit.
Këmbimi
Panvarësisht fluksit të emigrantëve në këtë sezon veror, kur kursi i këmbimit duhet të ndryshonte duke rritur vlerën e lekut dhe nënvlerësuar euron ka ndodhur e kundërta. Dje, sipas agjencive të këmbimit valutor në kryeqytet, edhe sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, një euro këmbehej me 141 lekë, ndryshe nga disa ditë më parë kur monedha europiane humbi terren. Sipas agjentëve, përveç klientëve të përhershëm, ardhja e emigrantëve nuk ka ndikuar në punën e tyre të përditshme, pasi ka kohë që emigrantët nuk këmbejnë më para në shuma të konsiderueshme. Në të njëjtën linjë qëndron edhe arsyetimi i drejtorit ekzekutiv të Fondacionit për Liri Ekonomike, Artan Gjergji, sipas të cilit, ngërçi i likuiditetit vjen si pasojë e rënies së remitancave, sidomos vitin e fundit dhe krizës psikologjike si pasojë e krizës globale ekonomiko-financiare, që ka diktuar që njerëzit të kursejnë, duke i depozituar në bankë paratë e tyre, ose duke i ruajtur në shtëpi. Këtë e tregon sipas Gjergjit, edhe ardhja e emigrantëve dhe mosndryshimi i kursit të këmbimit, që rezulton me rënien e theksuar të hyrjeve nga emigrantët. Sipas Gjergjit, kjo ka sjellë mungesën e likuiditetit në treg, pasi nuk ka kërkesë agregate dhe paratë nuk qarkullojnë. Ndaj ai gjykon se ky ngërç likuiditeti mund të zgjidhet nga një reagim i mënjëhershëm i biznesit me promocione dhe ulje çmimesh. Dy ditë më parë edhe Guvernatori i Bankës Qëndrore, Ardian Fullani, u bërë thirrje konsumatorëve për të shpenzuar paratë e tyre, me qëllim zgjidhjen e ngërçit të mungesës së likuiditetit në treg, ndërkohë që ekspertët e fushës së ekonomisë dhe financave gjykojnë se institucionet nuk mund të bëjnë asgjë në këtë pikë. Sipas tyre, u mbetet vetëm bizneseve të përdorin politika promocionale të forta dhe të ulin çmimet e mallrave dhe shërbimeve, qoftë edhe pa fitim me qëllim që të nxisin likuiditetin në treg.